Futboll

Trajneri i Gjermanisë nuk i ka numrin, mesfushori i telefonon vetë

Nadiem Amiri është grumbulluar për herë të parë me kombëtaren e të rriturve të Gjermanisë. Trajneri Joakim Lëv e kishte përfshirë në listën e tij për kualifikueset e radhës të “Euro 2020”. Por është një grumbullim i veçantë për këtë futbollist, siç tregon vetë ai. Mesfushori i Bajer Leverkusen, duke folur për faqen zyrtare të klubit, ka zbuluar se trajneri Lëv nuk ia kishte numrin e telefonit dhe u desh ndërhyrja e palëve të tjera që lojtari ta telefononte me urgjencë drejtuesin teknik të Gjermanisë.

“Më thanë se duhej t’i telefonoja trajnerin Lëv, sepse ai nuk kishte numrin tim dhe në atë moment shpresat e mia u shtuan. E telefonova pas stërvitjes të së enjtes dhe ai më tha se do të grumbullohesha me kombëtaren A. Një ëndërr e realizuar për mua”, - ka rrëfyer Amiri, i cili numëron 24 ndeshje dhe 6 gola me Gjermaninë U-21. Me këtë ekip ai ka fituar edhe Europianin në vitin 2017 dhe ka humbur një finale në 2019-ën. Amiri është 22 vjeç dhe luan si mesfushor me tipare sulmuese.

Amiri me Gjermaninë U-21. Gazeta Si, 7 tetor 2019

Gjermania luan me Estoninë dhe Bjellorusinë dy ndeshjet e radhës në Grupin C, ku kryeson me 12 pikë, po aq sa ka edhe Irlanda e Veriut. Janë dy ndeshje të lehta në letër dhe trajneri Lëv kërkon të shohë sa më shumë elementë, të cilët mund t’i shërbejnë për të ardhmen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë