Herën e fundit që PSG-ja ka humbur dy ndeshje në shtatë javët e para të kampionatit, ka fituar titullin kampion në Francë. Ka ndodhur tre vjet më parë dhe ishte një humbje turpëruese. Të mërkurën, emiri i Katarit ishte në tribunën e “Parc des Princes” dhe sigurisht që u hidhërua shumë nga humbja 0-2 ndaj Reims. Një humbje krejtësisht e papritur dhe është logjike tashmë që trajneri gjerman, Tomas Tuhel, rrezikon shumë shkarkimin nga puna.
Trajneri i PSG-së i bindi drejtuesit e klubit me fitoren 3-0 ndaj Real Madrid në Champions, por tashmë është kthyer nën presion. Mund të jetë koincidencë, por edhe herën e fundit që Reims mposhti PSG-në me Leonardon drejtor sportiv, pati lëvizje në stol. Ishte Karlo Ançeloti, i cili në vitin 2013 paguante “faturën” e rezultateve të skuadrës së njohur franceze.
Në këtë moment po flitet gjithmonë e më shumë për ndryshim në stolin parisien dhe hija e Masimiliano Alegrit, ish-trajnerit të Juventusit, qëndron mbi gjermanin Tuhel. Ndeshja e radhës është transferta me Bordonë në kampionat dhe ndoshta drejtuesit e klubit nuk do të nxitohen ta shkarkojnë trajnerin gjerman menjëherë, por që Tuhel i ka orët të numëruara në stolin e PSG-së, është e sigurt. Ai nuk mundi ta bënte PSG-në të aftë për të bërë kapërcimin e madh në nivel rezultatesh në Champions, pavarësisht blerjeve dhe shpenzimeve të shumta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.