Futboll

Migjen Basha firmos në Australi, super ofertë për mesfushorin

Faqja zyrtare e Melburn Viktori, një prej skuadrave më me emër në Australi, i uronte mëngjesin e sotëm mirëserdhjen mesfushorit 32-vjeçar Migjen Basha. Pak kohë më parë ai i dha lamtumirën Kombëtares së Shqipërisë dhe Arisit në Greqi. Dhe duket se ka pasur një plan të menduar mirë në kokë.

Një ofertë e majme financiare, edhe pse shifra nuk bëhet publike, e ka bindur Bashën të shkojë në kontinentin e largët dhe t’i bashkohet ekipit, ku më parë ka lënë gjurmë Besart Berisha, një tjetër ish-futbollist i Shqipërisë dhe më pas i Kosovës. Melburn Viktori është një nga klubet më seriozë në Australi dhe ka objektiva për titullin kampion, ndaj dhe ka vendosur ta përforcojë skuadrën me një lojtar me shumë përvojë në arenën ndërkombëtare si Migjen Basha. Më parë mesfushori ka luajtur në Itali, ku ka pjesën dërrmuese të karrierës, me skuadra si Torino, Atalanta e Frozinone, në Zvicër me Lucernën dhe në Greqi me Arisin.

Njoftimi zyrtar për afrimin e Migjen Bashës nga Melburn Viktori

Në Australi pati një aventurë të shkurtër pak muaj më parë edhe Kristi Vangjeli, një tjetër ish-lojtar i Kombëtares. Në kampionatin australian u besojnë më së shumti lojtarëve veteranë që me eksperiencën e futbollit europian ndihmojnë në zhvillimin dhe rritjen e futbollit në këtë vend. Kampionati nis në fillim të tetorit në Australi dhe Basha duket se do të debutojë në derbin me Melburn Sitin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë