Futboll

Edhe Lipi thumbon Sarrin: Nuk është mësuar me grup të madh, Konte një lider

Marçelo Lipi, ish-trajneri i Juventusit dhe Italisë, aktualisht në krye të kombëtares së Kinës, ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit në Serinë A dhe veçanërisht për trajnerët e Juventusit dhe Interit. Ai ka thumbuar Mauricio Sarrin dhe i ka thurur elozhe Antonio Kontes.

Në një intervistë të fundit për “Radio Rai”, trajneri i njohur ka pohuar se nuk sheh të reja në këtë fillim të kampionatit në Itali, ndërkohë që nuk i kursen thumbat për Sarrin, ashtu si Konte. “Asgjë ndryshe nga e zakonshmja. Do të ketë rivalitet mes Juventusit dhe Interit. Nuk më pëlqeu Juventusi në Firence, por nuk duhet të mendojmë negativisht, sepse një orë lojë nuk është një test. Sarri nuk e priste para kampionatit se do të administronte një grup kaq të madh lojtarësh. Është një punë e vështirë, por nuk mendoj se është ky problemi. Duhet të dimë se të ndryshosh mënyrën e lojës dhe të stërvitjes është diçka që kërkon kohë dhe të gjithë lojtarët duhet të jenë në gjendjen më të mirë”, - ka theksuar Lipi.

Lipi dhe Konte. Gazeta Si, 16 shtator 2019

Më pas, elozhet për Konten: “Ai është një lider, një udhëheqës i denjë, siç ishte edhe kur luante vetë futboll. Ai e sheh skuadrën si një diçka unike, ku të gjithë janë në dispozicion për të tjerët”. Lipi “bekon” më tej edhe punën e Mançinit tek Italia: “Po jep një sinjal të madh ndryshimi, ka nisur një punë të re në një moment shumë të vështirë. Shumë mirë që ka grumbulluar të rinj që nuk kanë luajtur në kampionat me klubet e tyre apo në Champions. Unë zgjidhja nga kampionati 60% të lojtarëve, ai duhet të zgjedhë 40%, por mamatë italiane kanë qenë të zonjat dhe 20-vjeçarët e sotëm janë lojtarë shumë të mirë”.

Dhe në fund një mendim për VAR-in: “Mendoj se është diçka e mirë, ndihmon të evitohen gabimet. VAR-i është edhe në Kinë, edhe pse këtu duhen 7-8 minuta deri në rinisjen e lojës. VAR-i duhet të shërbejë vetëm për vendime të rëndësishme, nëse e ka kaluar topi vijën apo jo. Duhen shmangur ndërhyrjet me vend e pa vend”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë