Futboll

“Top të Artë” për çdo rol, propozimi i Iker Kasijas trazon futbollin

Gjithmonë e më shumë diskutime dhe polemika për sa i takon dhënies së “Topit të Artë” dhe në edicionin e radhës nuk është çudi të ketë ndonjë ndryshim për të dhe çmimet e tjera individuale. Sezonin e fundit ishte Luka Modriç që arriti të prishte hegjemoninë e Kristiano Ronaldos dhe Lionel Mesit. Edhe këtë herë mbetet një temë e nxehtë diskutimi se kujt i takon çmimi prestigjioz.

Për këtë argument ka folur së fundi portieri i njohur spanjoll, Iker Kasijas. Teksa ishte duke biseduar me fansat në Tuiter, ai u është përgjigjur disa pyetjeve interesante, duke dhënë edhe një propozim interesant, që ka filluar ta trazojë botën e futbollit. I pyetur për mundësinë e fitimit të “Topit të Artë” nga mbrojtësi Virxhil van Dajk, i vlerësuar nga UEFA si lojtari më i mirë i Ligës së Kampionëve sezonin e fundit, Kasijas theksoi: “Sigurisht, ishte mbrojtësi më i mirë i sezonit të kaluar. Por për “Topin e Artë” çështja është më e komplikuar. Kush e meriton? Sipas meje, duhet të ketë një çmim për çdo rol: portieri më i mirë, mbrojtësi më i mirë, mesfushori më i mirë dhe sulmuesi më i mirë”.

https://twitter.com/IkerCasillas/status/1173356879906529286
Propozimi i Iker Kasilas për "Topin e Artë". Gazeta Si, 16 shtator 2019

Kasijas është pyetur edhe për të ardhmen, për rikuperimin e plotë pas problemeve kardiake dhe mundësisë së rikthimit te Real Madrid si drejtues. “Kam filluar një fazë të re të procesit të rikuperimit. Le të themi se po i kërkoj diçka më shumë zemrës, diçka të vogël. Duhet të rikuperohem plotësisht. Rikthimi te Reali? Jam shumë krenar që e kam veshur atë fanellë për 25 vjet”, u shpreh portieri i suksesshëm, që ka fituar gjithçka në karrierë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë