Me dy ndeshjet e para, Parma – Juventus dhe Fiorentina – Napoli ka nisur sezoni i ri i kampionatit italian, Seria A. Nuk kishte shumë surpriza sa i përket rezultateve, me dy favoritet në luftën për titullin kampion, që fituan, por sërish pa eliminuar polemikat. Këto të fundit më shumë i prodhoi ndeshja Fiorentina – Napoli. Nga kjo sfidë mediet italiane kanë veçuar tre momente shumë të dyshimta që përcaktuan rezultatin e saj.
Në fillim pati shumë diskutime për penalltinë e dhënë për Fiorentinën në minutën 7 për një prekje të dyshuar me dorë nga Zielinski. Polaku e preku topin me krahun e tij, por që duket se e përdor për të mbrojtur veten nga Castrovilli, lojtari që kishte pas tij. Gjithashtu topi përplaset së pari në anën e tij. Do të ishte jo korrekte të thuash që prekja nuk ekziston, por bazuar në rregullat e reja ndërkombëtare dhe të zbatuara gjithashtu në Itali, prekja duhet të ndëshkohet edhe pse e diskutueshme.
Pas këtij rasti, vjen momenti kulminant është bërë edhe viral në rrjetet sociale. Pas një topi që vjen nga krahët drejt zonës, Mertens futet në dyluftim për topin, rrëzohet dhe arbitri bën shenjë për penallti. Por pamjet e përsëritura tregojnë shumë qartë se Mertens nuk është prekur nga mbrojtësi vjolë dhe simulimi ka qenë shumë i pastër. Por VAR nuk e ndaloi këtë rast dhe mediet italiane shprehin habi se si teknologjia nuk funksionoi këtë herë me sulmuesin belg. Në qendër të kritikave përveç arbitrit kryesor të ndeshjes, Massa kanë përfunduar edhe ata që qëndronin në dhomat e VAR.
Në një tjetër gabim të arbitrit Massa, protagonist ishte mbrojtësi shqiptar, Elsi Hysaj. Shkodrani tërhoqi për krahu Ribery, duke e rrëzuar. Ka dyshime për faullin nëse ishte brenda zonës së penalltisë apo jashtë. Por edhe në këtë rast VAR ndihmoi që kjo natë të behej akoma dhe me e keqe për gjyqtarin Massa.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



