Futboll

Tirana është për titull, Skënderbeu dhe Teuta shenja pozitive

Tirana është për titull kampion. Nëse merkato e fuqishme nuk kishte mjaftuar që të bindshim për këtë gjë, fitorja e sotme, po, i ka larguar të gjitha dyshimet. Në javën e parë të Superligës, bardheblutë fituan 3-0 përballë Luftëtarit, ndërsa shenja pozitive kanë dhënë edhe Teuta dhe Skënderbeu, që kanë fituar 1-0 ndeshjet e parë me Flamurtarin dhe Bylisin.

Skuadra e Ardian Memës e bërë e gjitha nga e para këtë sezon ka treguar variantin më të mirë të saj, duke shënuar 3 herë në portën e Luftëtarit që në “Selman Stërmasi” reflektoi hallet që shoqëruan gjatë verës. Dunga, Halili dhe Batha me golat e tyre çuan peshë tifozët e Tiranës që tashmë mund të besojnë se mund të luftohet për titullin kampion. Luftëtari nuk bëri asnjë përpjekje për të fituar në Tiranë edhe pse Açka provoi të ruante nderin e gjirokastritëve në fund të ndeshjes, por ishte i pafat.

Lojtaret e Tiranes ne fund te ndeshjes, duke festuar – Gazeta Si, 24 gusht 2019

Sfida tjetër e Superligës, Skënderbeu – Flamurtari ka pasur doza të mëdha dramaticiteti. Korçarët e Ilir Dajës ia dolën që të fitojnë edhe pse për të marrë tre pikët duhej të vuanin deri në minutat e fundit. Goli i fitores u shënua nga Gripshi në minutën e 95’, teksa 7 minuta më herët Flamurtari kishte mbetur me një lojtarë më pak, pas daljes me të kuq të Zeqajt. Skënderbeu konfirmohet se pavërsisht halleve të mëdha që ka do të jetë një kockë e fortë për të gjitha skuadrat këtë vite, ndërsa te Flamurtari duhet të punojnë shumë nëse nuk duan të luftojnë për mbijetesën.

Moment nga ndeshja Skenderbeu – Flamurtari, Gazeta Si, 24 gusht 2019

Një përballje shumë e bukur për tu parë ishte edhe ajo në “Niko Dovana”. Teuta e Bledi Shkëmbit ia doli ta nisë mbarë këtë kampionat, duke mposhtur Bylisin e ardhur nga kategoria e parë. Goli i vetëm i këtij takimi për durrsakët u shënua nga kapiteni Arapi në minutën e 34’. Teuta e këtij viti është ndërtuar për të luftuar Kupat e Europës, ndërsa Bylisi me nivelin e treguar dha shenja pozitive se mund të jetë i denjë për të qëndruar në Superligë më shumë se një vit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë