4 gola Liverpuli në ndeshjen e parë, vjen përgjigja në të njëjtin nivel edhe nga kampionët në fuqi të Mançester Sitit. Kampionët e Premier Ligës fituan bindshëm 5-0 në ndeshjen hapëse të këtij sezoni të ri përballë modestëve të Uest Ham. Fitore në start mori edhe Totenhami që premton sërish një sezon kompetitiv deri në fund.
Guardiola edhe pse me fokusin e veçantë në Ligën e Kampionëve këtë sezon nuk ka ndër mend të lëshojë pe as në kampionat. Sfida e parë me Uest Hamin ishte prova e gjallë. “Qytetarët” zbritën në fushë me formacionin më të mirë, duke mos nënvlerësuar asgjë dhe që asnjë moment i kësaj ndeshje të ishte në dorën e fatit.
Stërling me triplet që në ndeshjen e parë, Aguerro dhe Hezus treguan se janë në formë dhe të gatshëm për ta marrë prej dorë edhe këtë vit Sitin. Ndeshja për disa momente u duk sikur ishte stërvitore, por vetëm fytyra e Guardiolës që jepte udhëzime sikur të ishte finalja e Champions të bindëte se ndeshja kishte vlera për kampionatin.
Po aq në formë është shfaqur në ndeshjen hapëse të sezonit edhe skuadra nënkampione e Europës, Totenhami. Ekipi i Poketinos që këtë verë është përforcuar goxha, me disa blerje të bujshme, sidomos në mesfushë u imponua karshi Aston Vilës në shifrat 3-1. Blerjet e shumta të Aston Vilës nuk bën punë para Kejn, i cili në këtë ndeshje u ndihmua edhe nga prurja e re Ndombele.
Edhe në ndeshjet e tjera të javës së parë në elitën e futbollit britanik pati shumë gola dhe rezultate befasuese.
Më poshtë tabela e plotë:
Java e parë e Premier Ligës mbyllet nesër me tre ndeshjet e fundit, Mançester Junajtid – Çelsi, Njukastëll – Arsenal dhe Leicester Uolverhemton.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.