Ilir Daja ka marrë tashmë në dorë “frenat” e Skënderbeut. Tekniku tiranas ka bërë sot prezantimin zyrtar, duke dalë para gazetarëve bashkë me presidentin e ekipit korçar, Ardjan Takaj. Sigurisht, nuk është ai Skënderbe që Daja ka drejtuar më parë, që shkonte në grupet e Ligës së Europës, është një situatë shumë e vështirë, megjithatë trajneri kryeqytetas e ka pranuar bashkëpunimin me kënaqësi, por edhe si një detyrim ndaj të kaluarës.
“Po prezantojmë sot trajnerin Ilir Daja, i cili nuk është një trajner i ri të Skënderbeu, me të në krye kemi arritur majat. Kemi përjetuar momente shumë të bukura me Dajën dhe tani na duhet të punojmë në një moment të vështirë për ne të gjithë. Kemi një projekt për një Skënderbe në nivele të larta sërish, pavarësisht vështirësive dhe betejës ligjore që kemi. Ishte një “dënim me vdekje” ai i UEFA-s për ne, ku çdo klub tjetër shqiptar do të ishte dorëzuar, kurse ne jo. Ne jemi Skënderbeu do të vazhdojmë të punojmë fort për një ekip serioz”, – ka thënë presidenti Takaj fillimisht.

Më pas fjalën e ka marrë trajneri Ilir Daja, i cili vjen te Skënderbeu pas përvojës njëvjeçare me Flamurtari. “Për mua është kënaqësi të kthehem te një ekip, ku kam arritur kulmin e karrierës si trajner, duke shkuar deri në fazën e grupeve të Ligës së Europës. Këtë radhë ishte një zgjedhje, ku zemra dëgjoi trurin. Do të jetë e vështirë, nuk diskutohet, por kam marrë garancinë nga drejtuesit se do të jetë një Skënderbe për vendet e para. Nuk e anashkalojmë titullin, por e them se do të luftojmë për të qenë në nivelet e larta të Superiores. Merkaton do ta fillojmë nga lojtari i “12-të”, pra nga tifozët, pasi kemi nevojë për ndihmën e tyre. Dua ta falënderoj presidentin Takaj dhe të them se Skënderbeu do të reflektojë në fushë vlera sportive dhe kulturën e qytetit të Korçës. Për grupin e futbollistëve do të shohim, kemi marrë Turtullin dhe portierin Koliçi. Do të ketë lëvizje në ditët në vazhdim dhe besoj se do të kemi një ekip të gatshëm për të dhënë më të mirën dhe për të synuar kreun e klasifikimit.
Në ekip ka kualitet aktualisht, por na mungojnë disa lojtarë me përvojë që janë larguar”, – theksoi trajneri Daja, i cili në staf do të ketë sërish ish-kapitenin e Skënderbeut, Gentian Liçin, dhe Ilir Bozhiqin. Ekipit korçar pritet t’i bashkohen këto ditë lojtarë të rinj nga vendi dhe të huaj.
Skënderbeu është dënuar 10 vite jashtë Kupave të Europës nga UEFA. KAS-i i Lozanës e la në fuqi këtë dënim dhe tashmë klubi korçar i është drejtuar Gjykatës Federale të Zvicrës për këtë çështje. Në këto kushte, do të jetë e vështirë që ekipi korçar të vazhdojë si më parë, por drejtuesit e tij shpresojnë se do ta fitojnë të drejtën në Gjykatën Federale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




