Federata e Futbollit të Kosovës zyrtarisht i ka nisur një letër FIFA-s dhe UEFA-s kundër federatës serbe të futbollit. Objekti i kësaj letër ankese të FFK-së drejt dy organeve më të mëdha të futbollit në botë ka të bëjë me cenimin e territorit të Republikës së Kosovës nga ana e federatës serbe e futbollit. Në letrën e saj FFK-ja kërkon nga FIFA dhe UEFA që ta ndihmojnë në ndalimin e çdo veprimtare futbollistike të paligjshme që federata e Serbisë ushtron në Kosovë.
Kjo letër e qeverisë së futbollit Kosovar merr spunto nga pjesëmarrja e klubit të futbollit “Trepça” e Mitrovicës së Veriut në kampionatet serbe. Ky ekip aktualisht militon në kategorinë e tretë të Serbisë, por selinë dhe ndeshjet i luan në Mitrovicë. Letra dërguar Xhani Infantino-s dhe Alekasndër Ceferin-it kërkon gjithashtu edhe ndalimin e çdo lloj gare të futbollit të Serbisë në territorin e shtetit të Kosovës, si dhe të detyrojnë federatën serbe që ta ndryshojë statutin e saj, ku Kosovën e paraqet si pjesë të federatës së tyre, e që është në kundërshtim me realitetin si dhe me statutet e FIFA-s e UEFA-s.
“Situata me të cilën ne jemi duke u përballur sa i përket ekipit të ashtuquajtur, “Trepça” nuk do të tolerohet më nga ana jonë me mbështetjen e qeverisë së Kosovës, policisë dhe instancat e tjera shtetërore. Nëse FIFA dhe UEFA nuk ndërhyjnë për t’i dhënë zgjidhje kësaj situate rrezikohet që tensionet politike të shtohen dhe kjo gjë vetëm sa e dëmton futbollin tonë.”- shkruhet ndër të tjera në letrën e presidentit të FFK-së, Agim Ademi drejtuar Infantino-s dhe Ceferin-it.
Më tej nga këto dy organizma kërkohet të gjendet një zgjidhje që të shmangen situatat që ndodhën në prag të ndeshjeve ndërkombëtare, Mali i Zi – Kosovë dhe Slovan Bratislava – Feronikeli. Në ndeshjen e parë, e vlefshme për eliminatoret e kampionatit europian trajneri dhe disa futbollistë malazez nuk pranuan të dalin në fushë për tu përballur me ekipin përfaqësues të Kosovës. Ndërsa në sfidën tjetër, e vlefshme për eliminatoret e Ligës së Europës, dy lojtarë nuk pranuar që të luanin kundër Feronikeli, ekipin kampion i Superligës kosovare. Kjo është beteja e dytë e futbollit të Kosovës kundër Serbisë, pasi të parën për njohje nga FIFA dhe UEFA tashmë e ka fituar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.