E krijuar vetëm pak ditë më parë, Sindikata e Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë ka filluar aktivitetin e saj me sulme në drejtim të numrit dy të qeverisë shqiptare, zv.kryeministrit, Erion Braçe. Është kryetari i kësaj sindikate, Andi Lila, i cili ka reaguar shumë ashpër pas një statusi kritik të Erion Braçes, ku sulmonte botën e futbollit për gjendjen ku është katandisur ky sport në vendin tonë, sidomos në aspektin financiar.
Lila i kthehet Braçes, duke i kujtuar atij se nuk mund të shkruaj si tifoz i thjeshtë dhe se në pozicionin që mban, i takon që të bëjë ligje në të mirë të sportit dhe jo të bëjë kritizerin.
“I nderuar z. Brace. Lexova me vëmendje reagimin tuaj në të cilin herë flisni si tifoz futbolli dhe herë nga pozita e një zyrtari shteti, fatkeqësisht jashtë realitetit. Pa dashur të hyjë në replika pa vlerë jo vetëm me ju zoti Braçe, por me asnjë dashamirës futbolli, por në cilësinë e Kryetarit të Sindikatës se Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë shpreh keqardhje për paragjykimin që i bëhet organizimit të sportit në këtë vend. Politika në Shqipëri dhe në veçanti Mazhoranca qeverisëse që tashmë është absolute në çdo nivel qeverisës e ka pasur të gjithë mundësinë që të përmirësonte statusin e futbollistëve në vend nëpërmjet një ligji që do të sillte zhvillim në këtë sport në tërësi e për rrjedhojë do e bënte edhe me atraktiv financiarisht dhe jo vetëm, por deri më sot nuk ka bërë asgjë të tillë.”- shkruan Lila.

Më tej ish-lojtari i kombëtares, tashmë një zë në mbrojtje të futbollistëve profesionistë shqiptarë i kujton zv.kryeministrit Braçe të gjitha defektet e qeverisë në miradministrim e sportit në vend në gjithë këto vite. Lila me tone jo të buta thekson se politika nuk duhet të kujtohet për sportin dhe futbollin në veçanti vetëm kur ka fushata, apo kur dëshiron të përfitojë prej tij.
“Z.zv.kryeministër: A nuk ka qenë detyrë e administratës tatimore që të kontrollojë klubet e futbollit jo vetëm për bilancet mizerabël, por edhe për pagimin e kontributeve shoqërore e shëndetësore për futbollistët? Përse z.Braçe, politika kujtohet për futbollin vetëm kur shkojmë në Europian apo fushata elektorale ku premtimet asnjëherë nuk mbahen? A e dini se të humburit e përhershëm nga mungesa e vullnetit politik janë FUTBOLLISTET? Është pikërisht mungesa e vullnetit politik që te futbolli profesionist të ketë përmirësime thelbësore, ajo që na bëri ne si futbollistë që të angazhoheshim në themelimin e Sindikatës tonë.”

Në fund, Andi Lila në cilësinë e Kryetarit të Sindikatës se Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë thekson se ky organ përfaqësues i futbollistëve, tashmë do të fillojë të ngrejë zërin kundër çdo qeverie në pushtet për padrejtësitë që iu bëhen atyre. Lila gjithashtu shkruan se nuk i beson premtimit të kryeministrit se në shtator do të jetë gati ligji për sportin, aq shumë i pritur nga të gjithë.
“Do jemi ne Z. Braçe, në opozitë me të gjithë politikanët, zëri i munguar i futbollistëve, që të gjithë ato të drejta të munguara të mos nëpërkëmben më, apo të përdoren si “lëndë e parë” për statuse rrjetesh sociale. Këto të drejta të nëpërkëmbura do të bëhen patjetër realitet nëpërmjet trysnisë që ne vetë do ushtrojmë ndaj jush si klasë politike si dhe kujtdo tjetër që deri dje i ka shkelur si pa të keq. Premtimet se në “shtator” do bëhet ndryshimi, nuk mund të jenë lajme vere. Së pari duhet të caktoni vitin se ndoshta kalon si “100 ditshi” dhe së dyti këto dratfligje duhet të jenë drafte ligjore të mirëmenduara dhe të debatuara me ne futbollistët pasi përfaqësojmë grupin e interesit.”
Braçe i kundërpërgjigjet Andi Lilës: FSHF nuk na lejon të ndërhyjmë
Pas akuzave të ashpra të kryetarit të sindikatës së futbollistëve, Andi Lila, drejtuar zv.kryeministrit, Erion Braçe në lidhje me gjendjen e futbollit shqiptar, ka ardhur reagimi i këtij të fundit. Sërish përmes një postimi në rrjetet sociale, Braçe shkruan se nuk do donte të replikonte me një futbollist, por këtë herë është i detyruar, pasi i përgjigjet një drejtuesi të një sindikate për futbollistët.

“PËR ANDIN, FUTBOLLIN E PISTË DHE LIGJSHMËRINË QE DUA! I nderuar zoti Lila! Nuk do replikoja kurrë me një futbollist-ata thjesht i ndjek në garë, i duartrokas pa fund kur e meritojnë, por meqë u prezantuat nga detyra e lartë e kryetarit të parë te Sindikatës së Futbollistëve, po ndaj me ju, tre katër mendime mbi atë që lexova.”
Më tej në reagimin e tij, zv.kryeministri Braçe thekson se kur flet për futbollin, ai shprehet edhe si futbollist edhe si zyrtar i shtetit shqiptar.
“E para dhe kjo është personale; Jo ju, por kërkush përfshi dhe atë që e dallova mes rreshtave, nuk me thotë dot se si duhet të flasë! Unë zotni kam lirinë të them atë që mendoj dhe e bëj si dua: Prej pasionit si tifoz e s’më vjen turp hiç, prej detyrës ekzakt kur duhet të bej detyrën, tërësisht e ndarë me pasionin!
Tani për çështjen; E para, unë nuk paragjykoj kërkënd, as individë, as ekip e as FSHF. Unë i referohem fakteve! Tre vendime të Cas nuk janë paragjykim por vendime gjykate!
I fundit prej tyre ka legjitimuar sistemin BFDS të monitorimit të garave të paracaktuara me qëllim bastet e paligjshme! Këtë ta them si shtetar mu në mes të realitetit, por edhe si tifoz që urren ta mashtrojnë kur sheh një ndeshje futbolli!”
Erion Braçe më tej thotë se duhet ngritur zëri kundër fenomenit dhe jo t’i hidhet faji njërit apo tjetrit. Sipas numrit dy të qeverisë shqiptare edhe kur prej tij janë iniciuar nisma për ta rregulluar këtë gjendje financiare të sportit dhe futbollit në veçanti, sërish ka pasur një rezistencë nga FSHF-ja, e cila e ka konsideruar atë si një ndërhyrje në pavarësinë e saj.

“Tani një pyetje kam; Ju përse refuzoni të pranoni që paracaktimi i rezultateve të një gare, kombëtare e ndërkombëtare, është një fenomen i përhapur në futbollin shqiptar e për të cilin flasin të gjithë?
Nuk pastrohet, kurohet, përmirësohet duke kapur majën e konkurrencës, financohet futbolli duke fshehur krimin zotni! E dyta, mua më kërkon llogari për të drejtat e futbollistëve?! Zotni e kam unë gabim apo marrëdhënia është mes futbollistit, klubit, përmes një kontrate që administrohet nga palët dhe FSHF-ja, e cila duhet ta mbrojë atë kontratë?!
Nëse ti e di ndryshe, atëherë kot që e keni ngritur atë sindikatë. Kontratat e futbollistëve kanë rregullat dhe institucionet ku mbrohen e të siguroj, nuk është Qeveria ajo që i garanton. Kërkund. E treta, po, ti ke te drejte, bilancet e pista janë detyre e Tatimeve. Por duhet te dish dy gjera: E para, të gjitha detyrimet e sotme ndaj fiskut i kanë llogaritur tatimet, pra kanë bërë punën; E dyta, sa herë unë kam nxitur këtë-siç ti ma kërkon, FSHF ka ulëritur për ndërhyrje politike e ka kërcënuar me UEFA! Kjo është E VËRTETA. Si tre stadiumet e kësaj qeverie! Aty luan ti!”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




