Pas 23 viteve të mbushura me lavdi dhe suksese të mëdha, te Mançester Junajtid ka 6 vite që kanë zbarkuar dështimet e njëpasnjëshme. Sir Aleks Ferguson, njeriu simbol i këtij ekipi, ndoshta më i madhi, vendosi të largohej në vitin 2013-të, pasi mosha nuk e lejonte që të vijonte të përgatiste ekipin me të njëjtën energji dhe pasion siç kishte bërë për dy dekada me radhë.
Pas këtij vendimi, të gjithë e dinin që do të ishte e vështirë për këtë klub që të ruante të njëjtin ritëm. E provoi Dejvid Mojes në fillim, ku nuk ishin të paktë ata që i besuan dhe menduan se mund ta mbante në nivele të larta ‘djallin nga Mançesteri’. Por shumë shpejt u kuptua se Mojes nuk mund t’ia dilte dhe u detyrua të hapë krahun. Pas tij provuan që të rikthenin lavdinë në “Old Traford” edhe dy emra të mëdhenj të trajningut botëror, si Van Gal dhe Murinjo. Të dy provuan, duke shpenzuar paund pa fund, por sërish një Europa League, ishte shumë pak për një ekip që kishte dominuar futbollin anglez për 20 vite me radhë.

I konsideruar si viti zero, sezoni i shkuar pa Hoze Murinjon të shkarkohej për herë të tretë në karrierën e tij dhe vendin të t’ia zinte një “anonim”. I tillë në fakt ishte si trajner, pasi si lojtar Ole Gunnar Solskjaer, pa dyshim që nuk ishte harruar nga tifozët. Një sulmues mesatar, që gjithmonë kishte qenë i urtë dhe pragmatist në maksimum për të përfituar nga mundësitë e pakta që mund të merrte për të luajtur në ekipet e mbushura me yje të Sir Ferguson.
Por në rolin e trajnerit Solskjaer në pak muaj, tregoi se ishte ndryshe. Arriti të ngjizë në ekip grintën dhe dëshirën për sukses. Disa fitore rresht, lojë e bukur dhe në mars firmosi një kontratë të re afatgjatë në drejtim të “djajve të kuq”. Disa luhatje në fund dhe mungesa e eksperiencës e nxorën jashtë Ligës së Kampionëve, por ndoshta ishte më mirë që këtë leksion e mësoi kaq herët, pasi është në kohë që të rikuperojë.
Këtë verë gjithë tifozët e Mançesterit i kanë varur shpresat te ky njeri. Merkato nuk ka qenë aq e fortë, disa blerje me profil të ultë dhe një sërë talentesh të ardhur nga akademia janë ato që kanë mbushur ekipin e Solskjaer këtë verë. Sigurisht duke pasur në mendje problemet me dy yjet, Pogba dhe Lukaku, të cilët duan të largohen, Solskjaer nuk i ka pasur të vogla dhimbjet e kokës këtë verë.
Por tifozët e Mançester Jundjtid kanë disa arsye që duhet të besojnë te Ole Gunnar Solskjaer se ai mund të jetë pasuesi i denjë i Sir Aleks Ferguson.

Stërvitje e fortë dhe intensitet të lartë
Në Australi lojtarët nën urdhrat e Solskjaer iu është dashur të djersijnë shumë. Pa justifikime dhe tolerance zero, tekniku norvegjez po ngjiz te ekipi i tij një ritëm shumë të lartë atletik. I domosdoshëm në fakt, kur mendon se në sezonin e shkuar disa prej yjeve të Junajtid ishin mbipeshë dhe mezi lëviznin në fushë. Nisje me marshin e 6-të e kanë cilësuar mediet britanike, e cila i dha provat në ndeshjet miqësore për International Champions Cup, ku Mançester Junajtid ka qenë më lartë se kundërshtarët e tij. Një nisje me marshin e fundit, por Solskjaer tani duhet të punojë që kjo energji të zgjasë deri në fund.
Menaxhim korrekt i ‘yjeve rebel’

Te Mançester Junajtid në këto vite negative nuk kanë munguar paratë dhe as lojtarët e mëdhenj, por problemi kanë qenë tekat e tyre dhe angazhimi jo aq serioz përgjatë gjithë sezonit. Pogba, De Gega, Lukaku, Sançez, apo edhe të tjerë yje të “djajve të kuq” në të shkuarën kanë pasur përplasje me trajnerët dhe impakti është parë qartë në fushën e lojës. Por me norvegjezin në dirigjim situata ka qenë komplet ndryshe. Edhe me ata që duan të largohen, (Lukaku), ai nuk ka krijuar polemike, por thjesht i ka mbajtur në distancë, duke e ruajtur grupin e lojtarëve të tij të qetë dhe në harmoni të plotë. Disa të tjerë po rigjejnë besimin te vetvetja, pikërisht falë dorës së Solskjaer.

Profili i ultë mediatik
Ole Gunnar Solskjaer nuk replikon me gazetarët, nuk i thumbon ata dhe as nuk dëshiron që të dalë çdo ditë në faqet e para të tabloidëve britanikë. Për norvegjezin është shumë e rëndësishme që mediet të jenë sa më të distancuara, për të mos hyrë në intimitetin e grupit të lojtarëve që ai drejton. Konferencat e tij për mediet janë shumë të shkurtra, precize dhe pa deklarata të bujshme. Kjo sjellje e tij shikohet me sy pozitiv, pasi nuk e ngarkon ekipin me presionin e medieve, siç për shembull bënte Murinjo dy vite më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




