U pëlqen apo nuk u pëlqen njerëzve, presidenti i Lacios, Klaudio Lotito, ka pasur gjithmonë prirje dhe nuhatje për të bërë biznes. Vendimi i tij në 2009-ën për ta bërë Igli Taren nga futbollist në drejtor sportiv, është një nga më të rëndësishmit që ka marrë. Ashtu si mbreti Midas kthente në ar çdo gjë që prekte, edhe Tare transformon në një aset të klubit çdo të ri të talentuar që sjell te Lacio, duke paguar shuma të vogla. Prej 10 vjetësh Tare ka shkruar fatin e Lacios, duke zbuluar lojtarë me kualitet dhe duke mbushur arkën e klubit italian.
Gazeta Si sjell një klasifikim të 10 blerjeve më të bujshme të drejtorit sportiv shqiptar, sipas një portali sportiv në Itali. Komentet e tifozëve për këtë renditje janë kryesisht pozitive për Taren, me vlerësim për punën e tij. Ka nga ata që sjellin në vëmendje emra lojtarësh të blerë nga Tare dhe që kanë dështuar, kurse të tjerë përmendin lojtarë të tjerë me kualitet që mungojnë në këtë klafikim. Le t’i shohim me radhë:
10 FELIPE ANDERSON
Felipe Anderson përfaqëson në mënyrën më të mirë një lule në kurorën e punës së Igli Tares. Shpejtësi, teknikë dhe efikasitet. Një koncentrat talenti. Tare e mori nga Santosi në vitin 2013 për 7.5 milionë euro dhe vlera e tij u shumëfishua pas 5 sezoneve me Lacion. Pati një raport të vështirë me trajnerin Simone Inzagi dhe në 2018-ën u shit tek Uest Hemi për 38 milionë euro.
9 ANTONIO KANDREVA
Pavarësisht kualitetit të kroseve të tij, Antonio Kandreva do të jetë përgjithmonë në zemrat e tifozëve të Lacios, sidomos për kualifikimin në Champions, në vitin 2015. Igli Tare e bleu këtë lojtar me “fotofinish” në merkaton e dimrit të 2012-ës nga Çezena, duke e shkëmbyer me Simone Del Nero. Te Lacio u prit me skepticizëm, por për 4 sezone ai u ka dhuruar emocione tifozëve. Në vitin 2016 u shit tek Interi për 22 milionë euro.
8 JOAKUIN KORREA
Ende 24 vjeç, “El Tucu” u ble nga Tare në 2018-ën nga Sevilja për 16 milionë euro, plus bonuset. Pasi mbylli sezonin e parë me Lacion, me disa ulje-ngritje, por me gola shumë të rëndësishëm dhe një shpërthim në javët e fundit, çdo klub që dëshiron ta marrë këtë futbollist, duhet të derdhë 50-60 milionë euro në arkat e Lacios.
7 HERNANES
I mbiquajtur “Profeti”, braziliani ka qenë një ndër forcat më të mëdha që Lacio ka pasur në mesfushë në erën e Lotitos. Tare e bleu në vitin 2010 nga San Paolo për 13.5 milionë euro. Potencial i jashtëzakonshëm, por i kushtëzuar nga ajo sjellje tipike braziliane që nuk ndreqet kurrë. Hernanes hyri në zemrën e tifozëve bardhekaltër dhe në vitin 2011 u vlerësua si braziliani i dytë më i mirë në Europë, pas Maikon. Në 2014-ën, mes lotësh Hernanes la Formelon dhe kaloi tek Interi për 18 milionë euro.
6 ÇIRO IMOBILE
U lançua në futbollin madhe me Peskarën, pastaj një sezon i jashtëzakonshëm me Torinon. Më pas një xhiro nëpër Europë, por pa shkëlqyer as me Borusia Dortmund dhe as me Seviljen. Imobile u mor nga Tare në 2016-ën për 10 milionë euro të paguara në arkën e klubit spanjoll. Dhe intuita e Tares nuk gaboi as këtë herë, pasi sulmuesi rilindi me fanellën e Lacios, duke u bërë beniamini i tifozëve të këtij ekipi.
5 MIROSLAV KLOSE
Sulmuesi i njohur gjerman u ble nga Igli Tare me parametra zero nga Bajern Mynih në vitin 2011. Kampioni i botës, tani i tërhequr nga futbolli, shënoi 54 gola me fanellën e Lacios, duke i bërë menjëherë për vete tifozët e tij. Një goditje romantike e jashtëzakonshme e Igli Tares në këtë rast.
4 STEFAN DE VRIJ
I shumë përfolur në fund të sezonit 2017-2018, holandezi u ble nga Tare në 2014-ën nga Fejenordi për një shifër qesharake, 8.5 milionë euro. Në katërvjeçarin që luajti me Lacion, De Vrij u bë një ndër mbrojtësit më të mirë të Europës. Kaloi me parametra zero tek Interi në vitin 2018.
3 LUKAS BILIA
Mesfushori i datëlindjes 1986 u pikas nga Igli Tare, kur ai luante në radhët e Anderlehtit, në vitin 2013. Argjentinasi u ble për 13 milionë euro. Një lojtar sasie dhe cilësie, që u imponua menjëherë në fushë, duke marrë në dorë “frenat” e mesfushës së Lacios, më pas edhe të dhomave të zhveshjes. Karakteri i fortë dhe karizma e tij bënë që të zgjidhej kapiten i skuadrës në vitin 2017, para se të transferohej te Milani për 16 milionë euro, plus 3 milionë bonus.
2 FRANCESKO AÇERBI
Pasi u la “jetime” nga De Vrij, mbrojtja e Lacios kishte nevojë për një lider të ri. Dhe Tare pa te Françesko Açerbi në vitin 2018 njeriun e duhur për të zgjidhur situatën. Intuita e drejtorit shqiptar nuk gaboi, sepse me ish-lojtarin e Sasuolos Lacio arriti të fitojë Kupën e Italisë dhe të kualifikohet për në Ligën e Europës. Nëse nuk do të kishte marrë atë karton të kuq ndaj Napolit, Açerbi do të kishte arritur 162 ndeshjet pa ndërprerje të Havier Zanetit, ndoshta edhe do ta kalonte. U ndal në kuotën e 149 ndeshjeve me Sasuolon dhe Lacion.
1 SERGEJ MILINKOVIÇ-SAVIÇ
Ishte e paevitueshme që kjo renditje të mos mbyllej me serbin Sergej Milinkoviç-Saviç. Nëse gjithçka shkon sipas planeve, ai do të jetë shitja më e madhe dhe me më shumë fitim në historinë e Lacios. Natyrisht, mban “targën” e Igli Tares. U ble nga Genk për 10 milionë euro dhe tani pritet të shitet nga 60 deri në 80 milionë euro. Fitimi në këtë rast është i jashtëzakonshëm për presidentin Lotito dhe të gjitha këto ia ka mundësuar Igli Tare, drejtori sportiv që ai i besoi shumë vite më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.