Është mbyllur me turp aventura dhe ëndrra europiane e nënkampionëve të Kosovës Prishtina. Ekipi i drejtuar nga Mirel Josa u mposht në transfertë nga skuadra nga Gjibraltari, St’ Xhozef’s. Skuadra kosovare e humbi këtë ndeshje 2-0 dhe tashmë duhet të rikthehet në shtëpi dhe të mendojë për kampionatin, pasi aventura në Europa League mbyllet këto për këtë sezon.
Prishtina krijoi disa raste sidomos në pjesën e parë, ku u duk se e dëshironte shumë fitoren në këtë ndeshje. Rastet e Prishtinës nuk ishin aq shumë rezultative para portës kundërshtare. Por kjo nuk ishte më e keqja, pasi në 45 minutat e dyta ekipi i Josës do të shkatërronte gjithçka me duart e tij.
Ishte Bekteshi, që i ndëshkuar me të verdhë në pjesën e parë, ndërhyri në mënyrë të parregullt dhe la lojën pasi u ndëshkua me karton të kuq. Por nuk mbaroi këtu, pasi për pPrishtinalinjtë gaboi edhe lojtari më me eksperiencë në fushë. Armend Dallku, kapiteni i ekipit filloi të kontestonte gjyqtarin për kartonin e kuq ndaj Bekteshit, por edhe ai u ndëshkua edhe brenda të njëjtës minutë për sjellje antisportive, duke lënë ekipin me 9 lojtarë.
Nga ky moment Prishtinës i doli situata plotësisht nga kontrolli. Shpresat për të dalë me një rezultat pozitiv nga kjo ndeshje u venitën minutë pas minute. Trajneri Mirel Josa e pati shumë të vështirë të gjente një mënyrë rreshtimi të ekipit me dy lojtarë më pak se kundërshtarët. Largimi i Bekteshit dhe Dallkut që janë edhe dy qendrat e mbrojtjes së Prishtinës nuk u arrit që të mbyllet nga lojtarët e tjerë, por as nga zëvendësimet e kryera.
Dy golat e ekipit nga Gjibraltari erdhën shumë thjeshtë, sigurisht përballë një mbrojtje të arnuar të Prishtinës, vendasit e patën mëse të lehtë. Pas dy golave të vendasve Prishtina thjesht priti fundin e ndeshjes dhe mbylli me turp këtë aventurë europiane edhe për këtë sezon. Kështu mbyllet 2-0 në Gjibraltar ëndrra ekipit të kryeqytetit kosovar dhe e vetmja që ka mundësinë për të shkuar më tej janë kampionët e Feronikelit.
St. Xhozef’s: Vera, Mauri, Lobato, Boro, Martinez, Peçi, Vijar, Penja, Perez, Ferrer, Piner.
Trajner: R. Prokopio
Prishtina: Bekaj, Dallku, Bekteshi, Thaçi, Bashiru, Miftaraj, Ahmeti, Krasniqi, Uka, Mankenda, Boshnjaku.
Trajner: M. Josa
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




