Futboll

E kryer, Atletiko bën goditjen e madhe të merkatos, firmos me talentin portugez

Tani nuk ka më dyshime, “Ronaldo i ri”, Joao Feliks do të jetë një lojtar i Atletiko Madrid.  Klubi spanjoll ende nuk ka dalë me një komunikatë zyrtare, por është Benfika që tashmë i ka zbuluar të gjitha.

 Talenti 19-vjeçar që shënoi 15 gola në 26 ndeshje të ligës portugeze sezonin e kaluar do t’i kushtojë spanjollëve plot 126 milionë euro. Për portugezin ishin shumë ekipe të interesuara, duke filluar nga Mançester Junajtid, Juventus, apo edhe Siti por me gjasë u tërhoq për shkak të çmimit tejet të lartë që kërkonte Benfika.

Në pritje të deklaratës zyrtare nga Atletiko e Madridit, Feliks do të bëhet kështu lojtari i pestë më i shtrenjtë në historinë e transferimeve, pas Nejmar, Kilian Mbappe, Filip Kutinjo dhe Osmane Dembele. Ai gjithashtu është adoleshenti i dytë i blerë më shtrenjtë në merkato, pas Kilian Mbappe, që kaloi nga Monako te PSG për 180 milionë euro dy vite më parë.

Feliks i çmendi të gjithë me sezonin që bëri këtë vit te Benfika, ku tripleta në ndeshjen e Europa League kundër Eintrahtit të Frankfurtit, shoi çdo dyshim për aftësitë e tij. Feliks ishte gjithashtu protagonist edhe me kombëtaren e Portugalisë në Uefa Nations League, duke qenë në pjesën më të madh të ndeshjeve titullar përkrahë Kristiano Ronaldos.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë