Futboll

Gropë 1 miliard lekë, Flamurtari në rrezik falimenti

Sezoni u mbyll me nder, jemi në fundin e muajit qershor dhe të gjitha skuadrat po mendojnë për të filluar punën për sezonin e ri. Mes shumë problemesh dhe një kaosi që mbizotëron thuajse në të gjitha ekipet e Superligës, si ato që do luajnë në Europë edhe të tjerat, Flamurtari dallon.

Ekipi vlonjat duket se në këtë qershor të nxehtë është ekip me hallet më të mëdha. Te klubi vlonjat lojtarët dhe i gjithë stafi teknik e mbylli sezonin pa u paguar. Të paktën që nga muaji tetor janë diçka më shumë se 7 rroga që mungojnë në kontot bankare të lojtarëve.

Sipas një raporti të siguruar nga panorama sport, te Flamurtari totali i rrogave në një sezon shkon në mbi 834 mijë euro. Në një muaj te Flamurtari në sezonin që u mbyll rrogat shkonin në 74 mijë euro. Ndër më të paguarit te ekipi vlonjat në sezonin që u mbyll ishin sulmuesit e huaj, Torasa, Kale dhe Danio Alvesh. Por edhe mesfushorët Idriz Batha dhe Emilianjo Musta bashkë me mbrojtësin Albi Alla figurojnë te lojtarët me pagat më të larta mujore. Një rrogë të majme të parashikuar në kontratë ka edhe trajneri ilir Daja, që do duhej të merrte çdo muaj në Vlorë 5 mijë euro. Vlen të theksohet se një pjesë e këtyre lojtarëve janë larguar në janar, por që Flamurtari sërish mori të tjerë futbollistë, që gjithashtu nuk janë paguar.

Por nga gjithë ky total i majmë rrogash te Flamurtari lojtarët dhe stafi janë shlyer deri në muajin nëntor të vitit të shkuar. Pra duke filluar nga muaji dhjetor dhe deri në maj, janë gjashtë muaj që Flamurtari nuk ka shpërndarë rroga për futbollistët dhe stafin e këtij sezoni. Muaji nëntor edhe pse nga lojtarët konsiderohet si i pa shlyer, nga administratori Idrizi pretendohet se është dhënë në formën e një bonusi. Në bazë të kontratave të bëra verën e shkuar, Flamurtari merrte përsipër që të paguante lojtarët për 11 muaj, nga korriku i 2018-ës deri në majin e 2019-ës, duke e lënë qershorin të lirë. Pra për këto gjashtë muaj që në Vlorë nuk është dhënë asnjë lekë, llogaritet që borxhi shkon diçka më shumë se 445 mijë euro.

Situata në Vlorë është shumë e mjegullt në këto momente. Bashkia si pronare në këto momente vetëm të futbolli dhe Flamurtari nuk e ka mendjen. Kompanitë turke të përfaqësuara nga Sinan Idrizi pas më shumë se 5 vite investime të mëdha, duket se janë lodhur dhe duan që të merret një vendim sa më i shpejtë në lidhje me privatizimin. Sido që të jetë te Flamurtari të gjithë duhet të bëhen bashkë dhe të gjejnë një zgjidhje sa më shpjet për të shmangur paditë e lojtarëve për rrogat, çka do të ishte shkatërrimtare për këtë klub, që mund edhe ta zbriste nga kategoria. Por edhe kjo nuk është sërish skenari më i keq për Flamurtari, pasi në gjendjen që është edhe falimentimi nuk është një opsion shumë i largët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë