Te Kukësi në fundin e këtij sezoni duket se nuk po mendohet aspak për fillimin e fazës eliminatore në Europa League. Nga nënkampionët e vendit janë bërë disa largime të futbollistëve të rëndësishëm në sezonin që sapo u mbyll.
Pas Irakli Dzarias që nuk ishte titullar dhe nuk shkaktoi ndonjë problem shumë të madh, një tjetër ikje e bujshme ka ndodhur te verilindorët këtë të premte. Bëhet fjalë për sulmuesin kryesor të Kukësit dhe fituesin e “Këpucës së Artë” në Superligë në sezonin që u mbyll, Arturo Rxhinaldo.
Futbollisti afrikan mes shumë problemesh gjatë sezonit ka vendosur ta mbyllë aventurën e tij kuksiane. Lajmi është bërë zyrtar nga vetë klubi i Kukësit përmes një njoftimi për mediet.
Njoftimi i klubit të Kukësit:
“F.K Kukësi njofton përfundimin e bashkëpunimit me Reginaldo Artur Faite. Sulmuesi, i ardhur te skuadra jonë gjatë merkatos së verës, arriti të shënonte 20 gola në 43 ndeshje, nga të cilat 13 gola në Kategorinë Superiore, 5 gola në Kupën e Shqipërisë si dhe dy gola në Turin e parë të Uefa Champions League.
Mozambikasi me skuadrën tonë arriti të fitonte Kupën e Shqipërisë si dhe “Këpucën e artë’ me 13 golat e tij në Superligë. Klubi falënderon Reginaldo Artur Faite për kontributin e dhënë në skuadrën tonë dhe i urojmë suksese në karrierë”, shkruhej në njoftimin e klubit verilindor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




