Futboll

Kukësi ngre Kupën e Shqipërisë përballë Tiranës së pafuqishme

Kukësi ka fituar Kupën e Shqipërisë në finalen e zhvilluar përballë Tiranës. 2-1 është mbyllur përballja e luajtur në stadiumin “Elbasan Arena”. Kukësi kështu ia del që ta mbyllë me një trofe këtë kampionat, pasi e humbi betejën me Partizanin në luftën për titullin kampion. Për Tiranën ky sezon mund të konsiderohet një dështim i plotë, pasi nuk mundi të shkojë në Europë dhe mbijetesën e siguroi vetëm në javën e fundit.

Ndeshja e luajtur në Elbasan pas një rrebeshi të vërtetë shiu ishte me dy fytyra. Një Tiranë e mefshtë në minutat e para të ndeshjes nuk mundi dot ta evitonte golin e Shkurtajt. Kukësi kishte shanset për të shënuar sërish, por pa sukses, duke u ndalur nga Ilion Lika. Me 45 minutat e para që u mbyllën në favor të kuksianëve, në pjesën e dytë Tirana hyri në fushë me dëshirën për t’ia ndryshuar fatin kësaj përballje.

Ngo do të barazonte, duke ngjallur shpresën e tifozëve bardheblu. Por shumë shpejtë kjo shkëndijë do të venitej, pasi Kukësi shënoi sërish me anë të Regxhinaldos. Sulmuesi afrikan fitoi edhe Këpucën e Artë të kampionatit shqiptar, duke u rikonfirmuar si një lojtarët më të mirë të viteve të fundit që ka bujtur në Superligën Shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë