Futboll

Tirana provon shansin europian, Kukësi do një titull sezonal

Sezoni 2018-2019 ul siparin me finalen e Kupës së Shqipërisë. Në “Selman Stërmasi” do të zbresin Tirana me Kukësin për të zbuluar se kush do të jetë fituesi i trofeut të dytë më të rëndësishëm kombëtar. Kjo ndeshje e kësaj të diele vendos edhe biletën e fundit për në Kupat Europiane. Për Tiranën pasi fitoi betejën për të qëndruar në Superligë, tani kërkon të shpëtojë nderin, duke shkuar në eliminatoret e Europa League. Ndërsa për Kukësin kjo finale është shansi i fundit për të mbyllur këtë sezon me shumë shpenzime me të paktën me një trofe.

Ardian Mema e arriti misionin e tij për ta mbajtur Tiranën këtë vit në elitë edhe pse mes drithërimash dhe vuajtjesh të mëdha. Shumë nga lojtarët bazë të këtij sezoni pritet të mos jenë pjesë e bardhbluve për vitin e ardhshëm. Ngo i pari dhe të tjerë duken me “valixhe në duar”, por duan ta mbyllin këtë sezon me një trofe. Kupa e Shqipërisë përveç lavdisë së trofeut është një detyrim edhe në planin financiar për Tiranën, pasi Kupat e Europës mund të mbushin arkat e klubit. Për Tiranën një tjetër stimul shtesë është edhe një përballje e mundshme në Superkupë me Partizanin nëse fiton sot.

Për Kukësin diskutimi është krejtësisht i ndryshëm. Shpenzimet më të larta të bëra nga presidenti Gjici shkuan dëm për kampionatin, pasi nuk mundi të rivalizonte Partizanin. Ernest Gjoka nuk e bëri diferencën nga trajnerët e tjetër të Kukësit në këtë sezon dhe mund ta sigurojë qëndrimin e tij në stolin verilindor vetëm në rast se fiton Kupën. Trofeu kërkohet me ngulm nga Safet Gjici edhe si një motiv për të vijuar të investojë për sezonin e ardhshëm. Nëse Kukësi fiton, i bën nder edhe Skënderbeut ose Flamurtarit që mund të sigurojnë një biletë për në Kupat e Europës. Skënderbeu shkon në Europë nëse kuksianët fitojnë dhe fitojnë gjyqin me UEFA-n, nëse nuk ia del përfiton Flamurtari.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë