Pas dështimit dramatik në Ligën e Kampionëve, për Barcelonën vjen dhe një tjetër dështim. Katalnasit janë mposhtur në finalen Kupës së Mbretit mbrëmjen e së shtunës nga Valencia me rezultatin 1-2. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Benito Villamarín” ka qenë edhe një herë tjetër një refren i përsëritur, me Mesin që bëri gjithçka që Barça të fitonte, por që nuk u ndoq edhe nga shokët e tij të ekipit.
Valencia e nisi shumë mirë ndeshjen duke luajtur pa frikë ndaj kampionëve në fuqi. Duke ushtruar presion, Valencia po e vinte në vështirësi në disa momente Barcelonën dhe në minutën e 21’ erdhi goli nga Kevin Gameiro. Sulmuesi francez shfrytëzoi më së miri një aksion të shpejtë duke gjuajtur fortë në hyrje të zonës. Edhe pas golit Valencia nuk do e ulte ritmin, por insistoi edhe për golin e dytë. Dhe nuk do të vononte shumë në fakt rrjeta e dyfishimit, teksa në minutën e 33’ ishte Rodrigo ai që shënoi për Valencian.
Në 45 minutat e dyta të ndeshjes, Barcelona u fut me një tjetër marsh në fushë, më agresive dhe me shumë forca në sulm. Pas shumë përpjekjeve, do të ishte Lionel Mesi, ai që do të ngushtonte diferencën në minutën e 73’. Pas këtij goli ndeshja u bë akoma dhe më e bukur me aksione dhe raste të pastra për shënim nga të dyja krahët, por që shifrat nuk do të ndryshonin asgjë. Valencia ia doli që ta mbrojë këtë rezultat dhe kështu ngre trofeun e dytë më të rëndësishëm në Spanjë. Ndërsa Barcelona këtë sezon do duhet të mjaftohet vetëm me fitimin e titullit kampion në La Liga.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




