Në ndeshjen më vendimtare të javës dhe më të rëndësishmen për Tiranën dhe Kastriotin nuk ka fitues. Përballja që do të vendoste qëndrimin apo rënien e njërit prej ekipeve në Superligë nuk pati gola dhe ajo që ka fituar ka qenë frika e të dyja ekipeve për të mos të dalë të humbur nga kjo përballje.
Në 45′ minutat e para ishte një ndeshje e ngrirë, frika mbizotëronte dhe skuadrat bënë shumë pak për të shënuar me aksione të vakëta nga të dyja krahët. Si ekipi pritës, Tirana goditi një shtyllë dhe Kastrioti po ashtu e pati një rast të artë për shënim. Në këtë ndeshje vendimtare bardheblutë kishin gjetur në portë një “hero në heshtje” si Ilion Lika që tregoi edhe një herë tjetër vlerat e tij.
Në pjesën e dytë loja u bë më hapur, barazimi nuk i vlente shumë asnjërës palë dhe filloi të kishte më shumë aksione të rrezikshme. Majkëll Ngo, sulmuesi që e ka nxjerrë shumë herë nga “balta” Tiranën këtë sezon, nuk ishte në ditën e tij dhe humbi disa raste të pastra. Nga ana tjetër edhe krutanët i patën rastet e tyre, por kishin përballë një Ilion Lika në ditën e tij më të mirë, ku veshi rrobat e heroit për ekipin e Ardian Memës. Në minutën e 76-të erdhi rasti më i përfolur i kësaj ndeshje, ku Kastrioti shënoi, por anësori pa saktë një pozicion jashtë loje.
Deri në fund nervat dhe frika e madhe në këtë ndeshje fituan dhe të dyja ekipet shkuan në dhomat e zhveshjes me një barazim pa gola që e bën akoma dhe më enigmatike çështjen e ekipit që do të bjerë këtë vit nga Superliga. Nëse bie Kastrioti do të ishte një fatkeqësi, për nivelin që ka treguar në fazën e dytë të kampionatit. Por nëse bie Tirana do të ishte një dramë për tifozët dhe katastrofë për futbollin shqiptar që do e kishte edhe një herë tjetër në nivele inferiore ekipin e tij më të titulluar.
Në ndeshjet e tjera të Superligës, vlen të veçohet fitorja e Flamurtarit. Vlonjatët kanë mposhtur Laçin në shtëpi me rezultatin 1-0 dhe tani Europa është më afër. Një hap të rëndësishëm në luftën për Europën kanë bërë edhe Teuta me Skënderbeun. Durrsakët mundën Partizanin kampion në shtëpi në shifrat 2-0, ndërsa Skënderbeu fitoi me Kukësin 0-3.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




