Futboll

Tirana barazim që nuk zgjidh gjë, në “Selman Stërmasi” fiton frika

Në ndeshjen më vendimtare të javës dhe më të rëndësishmen për Tiranën dhe Kastriotin nuk ka fitues. Përballja që do të vendoste qëndrimin apo rënien e njërit prej ekipeve në Superligë nuk pati gola dhe ajo që ka fituar ka qenë frika e të dyja ekipeve për të mos të dalë të humbur nga kjo përballje.

Në 45' minutat e para ishte një ndeshje e ngrirë, frika mbizotëronte dhe skuadrat bënë shumë pak për të shënuar me aksione të vakëta nga të dyja krahët. Si ekipi pritës, Tirana goditi një shtyllë dhe Kastrioti po ashtu e pati një rast të artë për shënim. Në këtë ndeshje vendimtare bardheblutë kishin gjetur në portë një “hero në heshtje” si Ilion Lika që tregoi edhe një herë tjetër vlerat e tij.

Në pjesën e dytë loja u bë më hapur, barazimi nuk i vlente shumë asnjërës palë dhe filloi të kishte më shumë aksione të rrezikshme. Majkëll Ngo, sulmuesi që e ka nxjerrë shumë herë nga “balta” Tiranën këtë sezon, nuk ishte në ditën e tij dhe humbi disa raste të pastra. Nga ana tjetër edhe krutanët i patën rastet e tyre, por kishin përballë një Ilion Lika në ditën e tij më të mirë, ku veshi rrobat e heroit për ekipin e Ardian Memës.  Në minutën e 76-të erdhi rasti më i përfolur i kësaj ndeshje, ku Kastrioti shënoi, por anësori pa saktë një pozicion jashtë loje.

Deri në fund nervat dhe frika e madhe në këtë ndeshje fituan dhe të dyja ekipet shkuan në dhomat e zhveshjes me një barazim pa gola që e bën akoma dhe më enigmatike çështjen e ekipit që do të bjerë këtë vit nga Superliga. Nëse bie Kastrioti do të ishte një fatkeqësi, për nivelin që ka treguar në fazën e dytë të kampionatit. Por nëse bie Tirana do të ishte një dramë për tifozët dhe katastrofë për futbollin shqiptar që do e kishte edhe një herë tjetër në nivele inferiore ekipin e tij më të titulluar.

Në ndeshjet e tjera të Superligës, vlen të veçohet fitorja e Flamurtarit. Vlonjatët kanë mposhtur Laçin në shtëpi me rezultatin 1-0 dhe tani Europa është më afër. Një hap të rëndësishëm në luftën për Europën kanë bërë edhe Teuta me Skënderbeun. Durrsakët mundën Partizanin kampion në shtëpi në shifrat 2-0, ndërsa Skënderbeu fitoi me Kukësin 0-3.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë