Futboll

Grizman lë Atletikon pas 5 vitesh, prapa fshihet Barcelona

Antuan Grizman zyrtarizoi largimin nga Atletiko Madrid me një video të shpërndarë në profilet e rrjeteve sociale të klubit spanjoll. Ndeshja me Levanten do të jetë e fundit për të me fanellën e ekipit spanjoll dhe tani e pret Barcelona, siç shkruan shtypi spanjoll, por edhe “NY Times. “Pasi fola me klubin, dua të flas me ju për vendimin e largimit nga Atletiko Madrid. Kam dëshirë për sfida të reja. Atletiko është klubi që më ka dhënë trofetë e parë dhe tifozët më kanë dhënë shumë dashuri. Kanë qenë 5 vite të jashtëzakonshëm dhe ju falënderoj përzemërsisht”, - shprehej francezi në videon e lajmit të largimit.

Pavarësisht zgjatjes së kontratës me Atletikon para Botërorit dhe një klauzole prej 200 milionë eurosh, në Spanjë evidentojnë faktin se kontrata e firmosur nga Grizman parashikon një ulje në 120 milionë euro, duke nisur nga 1 korriku. Klubi spanjoll do të arkëtojë 96 milionë euro nga shitja e sulmuesit, sepse 20% e shumës shkon për Real Sociedadin. Vitet e fundit është folur shumë për largimin e tij nga Atletiko dhe kalimin te Barcelona, por gjithçka ishte përgënjeshtruar nga vetë lojtari ose klubi. Tani largimi është zyrtar dhe sulmuesi francez duket i destinuar të veshë fanellën e Barcelonës. Grizman është kërkuar edhe nga disa klube të mëdha në Europë, por emri i tij lidhet më shumë me Barcelonën.

https://twitter.com/Atleti/status/1128393365630980099

Një vit më parë francezi i refuzonte katalanasit për të qëndruar tek Atletiko. Madje, ishte një refuzim spektakolar, me një video që zgjaste rreth 40 minuta dhe në fund zbulonte vendimin e Grizman për të ardhmen. Në video shfaqeshin momentet më të bukura të francezit me fanellën e Atletikos dhe në fund pyetja: “Çfarë vendimi ke marrë?” Përgjigja ishte: "Vendosa të qëndroj”. Një video edhe këtë radhë, por fundi është ndryshe. Grizman do të largohet. Barcelona e pret.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë