Njerez

92 vjet nga lindja e Dritëro Agollit

Je për mua ëndërr çast e orë

Teoremë e turbullt dhe dilemë...

Po të jem vërtet një Pitagorë,

Ti je më e vërteta teoremë...

Edhe pse ai nuk është më midis nesh, poezia e Dritëro Agollit, prania e tij artistike, vjen pothuajse çdo ditë tek ne me vargjet e veprat që ai ka lënë.

Sot është ditëlindja e shkrimtarit dhe poetit të madh, Dritëro Agolli, i cili u nda nga jeta vetëm 6 vite më parë, në shkurt të 2017-s.

Dritëro Agolli ka lindur më 13 tetor të vitit 1931 dhe këtë tetor Dritëroi do të mbushte 92 vjeç.

Ndonëse ai mungon prej gjashtë vitesh, urimet për shkrimtarin nuk reshtin, duke e kujtuar përmes veprës së tij. Ndërsa e bija, Elona, shkruan për të atin.

“Babi sot ka datën e lindjes … nuk është thjesht kujtesë … është më shumë se mall, është më e thellë se dashuri”.

Ajo ka ndarë në rrjetet sociale edhe një pjesë të “Kujtimet e birit” të Rodrigo Garcia për Gabriel García Márquez, duke dashur të bëjë një paralelizëm për të atin.

“Ndjenjat që kam pasur për babain, me gjithë dashurinë për të, ndërlikoheshin nga fama dhe talenti i tij, duke e shndërruar atë njëherazi në disa persona, të cilët duhet të përpiqesha t’i shkrija në një të vetëm, duke përjetuar përherë emocione të ndryshme”.

Ndërkohë, Qendra e Botimeve për Diasporën me rastin e 92-vjetorit të lindjes së poetit të mirënjohur, Dritëro Agollit, e sjell autorin në një vëllim me poezi të zgjedhura të tij, i cili do të përcillet te lexuesi edhe në pesë gjuhë të ndryshme: shqip-anglisht, shqip-italisht, shqip-frëngjisht, shqip-greqisht dhe shqip-gjermanisht si pjesë e programit të botimeve dygjuhëshe të Qendrës së Botimeve për Diasporën.

Përmbledhje me poezi

Kush ishte Dritëro Agolli

Dritëro Agolli lindi më 13 tetor 1931, ishte poet, prozator, publicist dhe politikan shqiptar. Kritik ndaj frymës tradicionaliste dhe patriotizmit retorik, Dritëro Agolli solli në poezi ndjeshmëri e figuracion të ri, duke e përtërirë sistemin e vjershërimit shqip.

Mësimet e para i kreu në vendlindje, vazhdoi gjimnazin e Gjirokastrës, një shkollë me mjaft traditë. Ai vazhdoi studimet e tij në Fakultetin e Arteve në Shën Petersburg. Ka punuar shumë kohë si gazetar në gazetën e përditshme “Zëri i popullit” dhe për shumë vjet ka qenë kryetar i ‘Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë’.

Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në perëndim e në lindje. Dritëro Agolli hyri që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet ’60) si një protagonist i saj, duke i ndryshuar përmasën e së ardhmes. Në veprën e tij, Agolli e vendosi veten si protagonist bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe fusharaku. Agolli u bë poeti i tokës dhe i dashurisë, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore.

Si shkrimtar i madh i një ‘gjuhe të vogël’, ai është po aq i dashur prej lexuesve bashkëkombës, sa dhe në metropolet e kulturës botërore. Agolli krijoi një model të ri vjershërimi në problematikë dhe në mjeshtërinë letrare, ai gërshetoi natyrshëm vlerat tradicionale të poezisë me mënyra të reja të shprehjes poetike. Thjeshtësia e komunikimit, mesazhet universale dhe shprehja e hapur e ndjeshmërisë janë shtyllat e forta ku mbështetet poezia e tij. Në prozën e tij, Agolli solli risi vetëm në strukturën narrative, por dhe në galerinë e personazheve të veta. Ata janë sa të çuditshëm aq dhe të zakonshëm, sa tragjikë aq edhe komikë, sa të thjeshtë aq edhe madhështorë.

Vepra e tij poetike më e njohur është “Nënë Shqipëri”, ku krijohet figura e atdheut me traditat heroike, me vështirësitë e shumta me të cilat u përballen. Me vëllimet poetike “Pelegrini i vonuar”, “Lypësi i kohës”, “Fletorkat e mesnatës” autori shpall sfidën e tij të re të mjeshtërisë. Në këto vëllime shpërfaqet poeti me ideal të tronditur, që duhet të gjejë vlerën dhe kuptimin e jetës së vet dhe të brezit që përfaqëson në kushtet e tronditjeve të mëdha të shoqërisë dhe të ndryshimeve rrënjësore të rrugës drejt së ardhmes së saj. Në prozë, bëri emër sidomos romani ‘Komisari Memo’, në të cilin pasqyrohet roli i madh edukues dhe drejtues në vitet e Luftës Nacional – Çlirimtare.

Në vitin 2011 Dritëro Agolli, është nderuar me titullin doktor Honoris Causa nga Universiteti Evropian i Tiranës. Në një ceremoni të veçantë, iu dha ky titull shkrimtarit të shquar “Për kontributin e madh dhe të rëndësishëm në krijimtarinë e tij letrare për më shumë se 60 vjet, si poet, prozator, dramaturg, përkthyes e eseist”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë