Projektligji për buxhetin 2024, ai për taksat kombëtare dhe akcizat ka kaluar me votat e 75 deputetëve të PS-së në një situatë kaosi, ku një parë palë rendiste përmendesh nenet për ta mbyllur sa më shpjet seancën dhe tjetra kishte parashikuar përplasjen e radhës, tymuese, përmbysje karrigesh, hedhje kapsollash dhe zhurmë. Seanca e të enjtes me gjithë paketën ekonomike zgjati vetëm 8 minuta.
Para së të fillonte seanca u pa njëjta skenë, përplasje mes deputetëve të grupit Bardhi-Berisha dhe Gardës. Kjo e fundit sikur kontrollonte imtësisht deputetët për ndonjë tymuese, ndërsa pala tjetër duke pretenduar se janë qelibar.
Gjatë seancës u rrëzuan edhe amendimet e depozituara 24 orë më parë nga deputetët e PD-së, Zheni Gjergji, dhe Bujar Leskaj.
Në sallë nuk ishin të pranishëm 6 deputetë të opozitës, pas përjashtimit me 10 ditë konkretisht; Sali Berisha, Gazment Bardhi, Flamur Noka, Edi Paloka, Albana Vokshi dhe Elda Hoti.
Por nuk munguan katër deputete gra nga radhët e grupit të Bashës që votuan kundër projektbuxhetit.
“Edi Rama në mënyrë të përsëritur i ka vendosur flakën, parlamentit të Shqipërisë. Po funksionojnë në kushtet e një junte, ku forca fizike e gardistëve, e drejtuesve të Policisë, e krimit në zgjedhje bëjnë të mundur mbajtjen në këmbë të kësaj ngrehine që duket qartësisht se nuk po bashkëjeton në mënyrë demokratike, sipas Kushtetutës dhe ligjit.
Në mënyrë tinëzare dhe me vrap, PS votoi buxhetin i cili për herë të parë godet shtresën e mesme, godet më të rëndësishmen për qytetarët në një demokraci, taksim 21% të profesioneve të lira…
E patë dhe sot që kishte amendime nga deputetë të PD dhe u hodhën poshtë… Kush do që ne të bëhemi palaçot e Edi Ramës, ne nuk bëhemi dot. Kushdo që merr përsipër të bëhet palaço për ndonjë arsye tjetër, që mund të jenë arsye financiare apo të ndonjë përfitimi të drejtpërdrejtë, është i denjë për ta bërë.
Për të gjithë ata që hedhin broçkulla të tipit “po të ishit ju, çfarë do të ndodhte”, ja ku kishte mendime dhe i hodhën për dy sekonda se nuk pyet për Kushtetutë. Ne nuk po bëjmë betejë përveçse për mijëra njerëz që kanë miratuar këtë Kushtetutës. Nuk po lëmë që vendi të shkojë në një regjim të plotë”, tha Ervin Salianji pas seancës së shkurtër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.