Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ja faturon kryesisht tre faktorëve deficitin me 7.4 mld lekë për vitin 2019. Faktori i parë është thatësira që karakterizoi vitin që lamë pas, duke e detyruar OSHEE që të importojë më shumë energjisë. Faktori i dytë është një borxh dhe kamatëvonesa që OSHEE i detyrohej Korporatës Elektroenergjitike dhe faktori i tretë janë vendimet e gjykatave që kanë ndëshkuar Operatoritn.
Kompania e pranon shifrën prej 7.4 mld lek humbje, por thotë që në krye të reagimit ndaj artikujve mbi bilancin negativ, se 2019 ishte një vit i vështirë përsa u takon reshjeve dhe thotë se pavarësisht kësaj nuk u kushtëzuan investimet për reduktimin e humbjeve në rrjet.
“Për vitin 2019 i konsideruar si më i vështiri sa i takon thatesirës së tejzgjatur, që çoi në mungesën e prodhimit nga HEC-et e Kaskadës së Drinit dhe ato private, nga të dhënat e këtyre treguesve, humbjet në rrjetin e shpërndarjes në vitin 2019 zbritën në 21.7 për qind, kur objektivi i Bankës Botërore ishte 23 për qind, ndërsa një vit më parë ato ishin 23.9 për qind”, thotë OSHE.
Për këtë arsye, OSHEE thotë se ishte e pashmangshme kostoja e importit të energjisë së munguar në vend.
“Gjatë 2019, shpenzimet për blerje energjie rezultuan 8.9 miliard Lekë më shumë se 2018. Pamundësia e Korporatës Elektroenergjetike për të prodhuar energji nga Kaskada e Drinit, detyroi OSHEE-në që këtë sasi që do duhej ta blinte me 1.5 Lek/kËh, ta siguronte nga importi me çmim mesatar prej 9.2 Lek/kËh. Në këto kushte, fatura e OSHEE për të garantuar furnizimin pa ndërprerje me energji për konsumatorët arriti për këtë vit në shifrën rekord prej 350 milion eurosh”, sqaron Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Sa u takon arkëtimeve, OSHEE parashikon një rritje me 2 për qind nga parashikimi i vendosur në buxhetin e 2019, duke u ndalur në 97 për qind. OSHEE thotë gjithashtu se 3.3 mld lek janë tatim-fitimi i paguar për detyrimet e viteve të mëparshme, ndërsa në total ka paguar 8.1 mld lek në buxhetin e shtetit.
Kompania thekson se ka shlyer të gjitha faturat korrente ndaj KESH dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit, si dhe Postës Shqiptare, si dhe 1.2 mld lek që sipas saj janë detyrime të trashëguara ndaj KESH.
Një tjetër faktor, që radhit OSHEE është ndryshimi i kontratës me Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare.
“Sipas kontratës së mëparshme, KESH kompensonte Operatorin e Shpërndarjes në rastet kur ishte në pamundësi për të kryer furnizimin me energji në sasinë e kontraktuar përmes Kaskadës së Drinit. Me kontratën e ndryshuar, e gjithë barra financiare e garantimit të energjisë së munguar përballohet nga OSHEE pa kompensim prej KESH”, deklaron kompania.
Duke renditur më pas dy elementë të tjerë që shkaktuan këtë gropë financiare, OSHEE ndalet tek shifra 2.3 mld lekë, që kompania thotë se ishte detyrim i trashëguar ndaj KESH, e që kompania do të shlyejë për 22 vite.
“Vlera është kamatvonesë që KESH i kishte llogaritur Operatorit të Shpërndarjes për fatura të papaguara të energjisë që para vitit 2015 nga CEZ Shpërndarje. Ky pretendim i trashëguar ka qenë objekt i shqyrtimit nga gjykata. Arritja e një dakordësie me mirëkuptim mes KESH dhe OSHEE për këtë mosmarrëveshje ishte një kusht i vendosur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Moszgjidhja e këtij konflikti pengonte disbursimin e kredisë prej 218 milion eurosh që BERZH firmosi me KESH për ristrukturimin e portofolit të kredive afatshkurtra”, thotë deklarata.
Faktori tjetër madhor, sipas OSHEE janë vendimet e gjykatave, që i kanë shkaktuar kompanisë 1.2 mld lek shpenzime të tjera.
“Gjykatat kanë trajtuar padi të depozituara ndër vite ndaj kompanisë. Në vlerësimin e OSHEE, një pjesë dërrmuese e këtyre vendimeve janë absurde, të pambështetura në ligj e madje kanë detyruar kompaninë të kryejë pagesat e menjëhershme pas vendimeve të shkallës së parë, pa pritur shqyrtimet e shkallëve të tjera gjyqësore të apelimit”, thotë kompania.
Megjithatë, bilanci negativ, thotë OSHEE, nuk ka cenuar objektivat e vendosura në raport me reduktimin e humbjeve, rritjen e arkëtimeve dhe kontributin në Buxhetin e Shtetit përmes tatim/taksave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.