Lajme

OSHEE me humbje, PD: Paratë u vodhën nga Rama dhe oligarkët e tij

Partia Demokratike thotë se pavarësisht se shqiptarët e paguajnë energjinë elektrike më shtrenjtë se të gjithë qytetarët e tjerë në rajon, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike deklaron humbje 64 milionë euro.

Në një deklaratë për mediat, Sekretari i Burimeve Njerëzore, Ervin Minarolli zbuloi edhe shkakun kryesor të këtyre humbjeve, sipas selisë blu.

“64 milionë eurot që i mungojnë arkës së Operatorit të Energjisë Elektrike janë para të futura në xhepat e Edi Ramës dhe njerëzve të tij, duke blerë energji me çmim më të lartë se tregu, apo duke përdorur paratë publike për të mbushur xhepat e klientëve të vet, në dëm të financave të kompanisë”, tha ai.

PD thotë se OSHEE përdoret si bankomat nga Edi Rama dhe Vangjush Dako.

“Vitin e kaluar ka tenderuar rreth 75 milionë euro. Shumica e tyre dërrmuese janë pa garë, më 1 kompani kliente të qeverisë së Edi Ramës, që zhvasin vazhdimisht paratë e shqiptarëve, duke fituar me ofertën më të lartë. Nuk ka oligark, klient apo shërbëtor politik të Ramës që nuk ka zhvatur para nga tenderat e fryrë të OSHEE-së. Në vitin e gropës së madhe financiare kompania, që mbahet nga faturat e shtrenjta të energjisë dhe paratë e shqiptarëve, ka bërë edhe më të pasur kryebashkiakët ilegjitimë Safet Gjicin e Kukësit, Pjerin Ndreun e Lezhës, Agim Kajmakun e Vorës, Ilir Beqjën e kudogjendur”, shtoi Minarolli.

Veç emrave të politikanëve, PD publikoi edhe emra biznesmenësh, që sipas saj janë të përfshirë në zhvatjen e OSHEE-së.

“Përfitues të miliona eurove në mënyrë të përsëritur nga partia e babëzisë janë miqtë dhe klientët e Edi Ramës, Papuli, Kastrati, Fusha, Gentian Sula i koncesionit të pompave të naftës, Anri Sala i ekspozitave të Edi Ramës apo kompania që merret me imazhin propagandistik të Ramës dhe Veliajt, DixhiPrint Al”, vijoi deklarata.

Opozita shton se përveç tyre është edhe Bashkim Balili, vëllai i Klement Balilit.

“Nga gropa e korrupsionit të OSHEE-së ka përfituar edhe vëllai i trafikantit ndërkombëtar të drogës Klement Balili. Në vend që të hetohej sipas ligjit antimafia për pasuritë e tij, Bashkim Balili merr tendera nga qeveria e Edi Ramës. Vetëm në një vit, klientët e kryeministrit të partisë së babëzisë kanë zhvatur nga kompania që ka dalë me humbje, rreth 11.4 milionë euro duke dhënë makina me qera, duke shitur lule, karburant, policë privatë dhe propagandë”, u shpreh Ervin Minarolli.

Sekretari i Burimeve Njerëzore në PD e mbylli deklaratën duke kujtuar se këto janë të gjitha arsyet se përse në fund të muajit shqiptarëve u mbërrijnë fatura të majme për konsumin e energjisë elektrike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë