Treg

Bojaxhi: Të shkarkohet ekipi drejtues i OSHEE, të hapet tregu për konkurrencë

Sabina Veizaj- Për ish Zëvendës Ministrin e Energjetikës dhe ish Drejtorin e KESH Gjergj Bojaxhi, situata e shërbimit dhe ajo financiare e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë elektrike është e patolerueshme.

Gjergj Bojaxhi

“Është e pamundur që të jemi në të njëjtën pikë si në 1990-ën; shërbimi i keq dhe tarifat e larta. Nëse vihen objektivë dhe targete për përmirësimin e menaxhimit të kompanisë nuk ka justifikime për mospërbushjen e tyre. Më e pakta është që dikush duhet të mbajë përgjegjësi për mosrealizimin e objektivave. Duhet të largohet urgjentisht ekipi drejtues”- mendon Bojaxhi.

Por më thelbësorja, thotë ai për gazetën “Si”, OSHEE nuk duhet të jetë publike.
“Dështimi me kompaninë private ndodhi sepse nuk funksionuan mekanizmat ligjor, edhe të ERE-s. Kompania rregullohej nga shteti. Është e pamundur që një privat të dështojë në shërbim. Përdorja nga shteti e dështoi.”- sqaron ish zëvendës ministri i energjetikës Bojaxhi.

Për të që situata të ketë shpresë për të ndryshuar, duhet të hapet tregu për konkurrencë dhe shërbimi ti kalojë privatit.

OSHEE pak ditë më parë ka bërë me dije se të ardhurat e saj rezultuan me një rritje minimale prej 2% gjatë vitit 2019 dhe shpenzimet u rritën me 20%, duke sjellë mbi 7.7 miliardë lekë humbje ose afërsisht 64 milionë euro.

Në të njëjtën kohë, Enti Rregullator i Energjisë i miratoi OSHEE-së kërkesën për shtyrje të bërjes së investimeve me qëllim përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji elektrike, investime që sipas marrëveshjeve duhet të ishin kryer deri në shtator 2019-të.
Aktualisht, sipas OSHEE-së një abonent ka 3000 minuta ndërprerje të energjisë në vit, ky është tregues i një cilësie të dobët të furnizimit në raport me rajonin dhe standardet europiane.

OSHEE e argumenton situatën me amortizimin e rrjetit dhe të qenit një shoqëri e varfër aksionare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë