Treg

Çfarë kërkon të fitojë OSHEE kur deklaron humbje 64 mln euro?

Vetëm pak kohë më parë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike prezantoi në bordin e Entit Rregullator të Energjisë në mënyrë të detajuar se përse nuk mund të arrijë t’u ulë shqiptarëve kohën e mungesës së energjisë elektrike në shtëpitë e tyre. Ose ndryshe, përmes investimeve në projekte të ndryshme, të rrisë cilësinë e furnizimit me energji elektrike, sipas detyrimit që i jep marrëveshja me ERE dhe përafrimi me legjislacionin e BE-së.

Nga njëra anë OSHEE thotë se rrjeti i amortizuar kërkon kohë dhe pará dhe - pavarësisht vështirësive - ka bërë shumë punë për cilësinë e furnizimit me energji përmes investimeve. Ndërsa nga ana tjetër, të ardhurat e kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike rezultuan me një rritje minimale prej 2% gjatë vitit 2019 dhe shpenzimet u rritën me 20%, duke sjellë mbi 7.7 miliardë lekë humbje ose afërsisht 64 milionë euro.

Të dhënat i ka bërë me dije vetë OSHEE kur ka aplikuar për tarifat e shitjes së energjisë pranë Entit Rregullator.

OSHEE justifikohet se kjo është humbja e parë pas 4 viteve dhe se shkaku kryesor për rritjen e shpenzimeve janë blerjet e energjisë elektrike nga importi për shkak të thatësirës së gjatë në vend. Mirëpo një zë tjetër që duhet të tregojë mirëadministrimin e kompanisë, është aftësia e në arkëtimin e të ardhurave. OSHEE thotë se kjo është hera e parë që del me këtë rezultat pas një për formance të shkëlqyer gjatë katër viteve, por nuk thotë se sa nga të ardhurat u rritën nga borxhet që qeveria ua mblodhi qytetarëve duke i kërcënuar me burg dhe sa për shkak të aftësisë së saj për të qenë një sipërmarrje e suksesshme.

Këtë as audituesit e specializuar nuk dinë ta thonë me saktësi kur konstatuan se mënyra sesi kompania i mban të dhënat është kaotike dhe nuk jep mundësi për parashikime apo analiza të hollësishme.

OSHEE mori një rritje çmimi në kurriz të qytetarëve dhe u përfshi në një projekt investimi me kredi nga Banka Botërore në vitin 2015, (150 mln euro).

Por nga të dhënat e vetë kompanisë, katër vite pas “reformës” së pretenduar, kompania ka tani humbje financiare prej 64 milionë eurosh.

Sinqeriteti i OSHEE për humbjen financiare pranë ERE duket se e ka një kleçkë, sepse kjo transparencë e papritur e kompanisë kur nga ana tjetër nuk respekton detyrimin ligjor për të bërë publike bilancet, parashikon diçka jo të mirë për qytetarët. Ajo i ka kërkuar ERE-s rritjen e çmimit por e ka fshehur kërkesën pas termave që mund të jenë njohura për gjuhën e drunjtë teknike por jo për qytetarët. Pritet një dalje publike e kompanisë rreth kësaj çështjeje, por deri sa kjo të ndodhë, OSHEE edhe me kaq e ka të damkosur dështimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë