Politike

4 vite dekriminalizim, "Zgjedhjet e 2019 shtuan politikanët kriminelë"

Katër vite nga hyrja në fuqi e ligjit të dekriminalizimit, kurba e përfshirjes së individëve me rekorde kriminale në politikë dhe qeverisje pritej të ulej ndjeshëm me kalimin e viteve, por zgjedhjet lokale 2019 treguan se kurba mbetet në ngritje dhe ende ka një hendek të thellë midis koncepteve të dekriminalizimit dhe vullnetit politik për ta jetësuar atë në mënyrë cilësore dhe integrale.

Ky është një nga shqetësimet që thekson Instituti i Studimeve Politike në një raport të publikuar së fundmi mbi ecurinë e zbatimit të këtij ligji.

ISP thotë se sistemi i meritës, transparencës, aftësisë dhe integritetit në promovimin e individëve në politikë e qeverisje tregon se mbetet ende i brishtë dhe nuk ka fuqi parandaluese.

“Shqipëria nuk ka ende një database të besueshme për burimet njerëzore në administratë dhe në qeverisje, për rrjedhojë partitë vijojnë të kenë peshën kryesore ndaj edhe prirja e individëve me rekord kriminale për të marrë poste drejtuese në shtet është e lidhur me natyrën klienteliste e vertikale të vendimmarrjes politike”, thotë ISP.

Një tjetër vërejtje lidhet me vetë ligjin. Sipas raportit, në të nuk u parashikuan të gjithë elementët parandalues.

“Legjislacioni i dekriminalizimit nuk parashikoi të gjithë elementët që e bëjnë procesin efektiv, parandalues dhe transparent aktualisht e në të ardhmen. Individët me rekorde kriminale të larguar nga parlamenti dhe qeverisja vijojnë të gëzojnë imunitet politik në partitë e tyre politike, nuk ka ende vendime publike të partive për pezullim apo përjashtuar nga partitë, duke dëshmuar një hendek të thellë midis parimeve të ligjit dhe parimeve mbi të cilat funksionojnë partitë politike”, vijon raporti.

ISP kujton se Shqipëria është i vetmi vend në Europa që i ka ngritur në Kushtetutë konceptet e integritetit dhe të dekriminalizimit. Këtë e cilëson një vendim të nevojshëm për një periudhë afatshkurtër, por tepër penalizues për vendin në periudhë afatgjatë.

Tek rekomandimet, ISP propozon reformim të sistemit të emërimeve dhe të promovimit në politikë, ndërhyrje përmirësuese ligjore. Tek kjo e fundit kërkohet ndërhyrja që tek formulari i vetëdeklarimit.

“Sqarime të mëtejshme duhet të bëhen në modelin e formularit. Mbushja e tij përmes palëve të treta duhet të trajtohet si falsifikim. Rekomandohet që një sistem i përzgjedhjes periodike të deklaratave të regjistruara të futet përmes një vendimi të Parlamentit. Formularët e zgjedhur rastësisht, duhet të dërgohen në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm për verifikim më të thellë. Formulari mund të rishikohet për të pasqyruar kërkesat me më shumë detaje. Individëve duhet t’u kërkohet të deklarojnë pozicionin që ata mbajnë ose kërkojnë. Kjo do ta bënte formularin më të thjeshtë dhe më të kuptueshëm, duke mundësuar kështu mbledhjen e informacionit më të mirë. Informacioni do të lejonte një kategorizim më të mirë, dhe identifikimin e rasteve, organin përgjegjës, standardizimin e informacionit i cili do të siguronte një akses më të mirë dhe transparencë jo vetëm për publikun, por gjithashtu do të tregonte efikasitetin e punës së institucioneve përgjegjëse”, thotë ISP.

Instituti këshillon gjithashtu që lista e individëve të zgjedhur për verifikim të bëhet publike së bashku me formularët e plotësuar prej trye, që të nxitet denoncimi i të dhënave të mundshme kriminale nga publiku. Këtë e propozin si zgjidhje për të ndihmuar strukturat shtetërore që vihen nën presionin e kohës për të verifikuar qindra dosje, kur bëhet fjalë për zgjedhje për deputetë, kryetarë bashkish, apo anëtarë këshillash bashkiakë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë