Politike

‘Rama, prostitutë amorale politike’, Berisha: Fshehu pjesëmarrjen në samitin anti-amerikan

Nga Gazeta ‘Si’– Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama lidhur me vizitën e fundit në Spanjë dhe pjesëmarrjen në një aktivitet ndërkombëtar.

Gjatë një konference për shtyp, Berisha deklaroi se Rama ka udhëtuar drejt Barcelonës për të marrë pjesë në një samit ndërkombëtar të titulluar “Samiti Global për Demokracinë”, por sipas tij, këtë pjesëmarrje nuk e ka bërë transparente për publikun shqiptar.

Sipas Berishës, ky samit është organizuar nga Aleks Soros, ndërsa Rama -tha ai-  e shiti si vizitë zyrtare në Spanjë.

“Si mund të quhet, çfarë emri mund t’i vihet një kryeministri, i cili fluturon disa mijëra kilometra nga vendi i tij për të marrë pjesë në një samit ndërkombëtar të titulluar Samiti Global për Demokracinë në Barcelonë dhe mashtron qytetarët e vet, u thotë se unë isha për një vizitë në Spanjë, tek Pedro Sanchez, dhe nuk thotë një fjalë të vetme, mban sekret për qytetarët e vendit të tij pjesëmarrjen në samitin global ku ishin një numër i caktuar kryetarësh shtetesh apo kryeministra, nga një seri vendesh të Amerikës Latine, të Afrikës dhe pjesë të tjera të globit”, u shpreh lideri i PD.

Sipas Berishës, aktiviteti kishte një frymë që nuk ishte në përputhje me orientimin euro-atlantik.

“Çfarë emri mund t’i vini ju një kryeministri të tillë që fsheh pjesëmarrjen e tij në një samit ndërkombëtar dhe e shet se ishte për një vizitë zyrtare në Spanjë? A mund ta quani këtë një burrec, një langaraq, por mundet edhe një prostitutë amorale politike? Pse kjo?

Së pari, samiti në të cilin u paraqit siç deklaron udhëheqësi i të majtës botërore ekstreme, ishte organizim i tij. Lexoni postimet që ka bërë dhe kënaqësinë që shpreh.

Së dyti, ky samit, e vërteta, ishte me një mantra anti-amerikane, por nuk ishte pro-europian. Jo, nuk ishte një samit pro-europian. More pjesë. Je në panel. Je në foto. Kujt ia fsheh ti këtë?”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë