Shendet

4 në 10 fëmijë kanë probleme me shikimin, mjeku: Në Shqipëri mund të kthehet në një ‘epidemi’ miopie

Nga Gazeta Si- Që prej shtatorit, rreth 3500 nxënës janë depistuar për shikimin dhe 615 prej tyre janë referuar më pas tek mjeku specialist për problemet e hasura.

Programi për kujdesin e shikimit përfshin fëmijët e grupmoshës nga 6 deri në 14 vjeç dhe ka nxjerrë në pah një problem që nëse vazhdohet me këto përmasa, në një të ardhme, vendi ynë mund të jetë në një epidemi miopie.

Rubin Topi, mjek okulist thotë për Gazetasi.al se problemet me shikimin janë shtuar dhe çdo vit ka gjithnjë e më shumë raste.

“Arsyeja është se kanë çasje të pakontrolluar ndaj pajisjeve teknologjike si tableti, kompjuteri, celulari, televizori nëse fëmija rri në një distancë të afërt etj”, thotë Topi, duke shtuar se kjo evidentohet edhe nga depistimet që bëhen nëpër shkolla por edhe nga vizitat që bëhen nga mjekët okulist.

Mjeku okulist, Rubin Topi. Gazeta Si, mars, 2024.

“Nga 10 fëmijë, 3-4 fëmijë zakonisht dalin me probleme me shikimin. Kjo ndodh sepse pajisjet digjitale lëshojnë rreze shumë të dëmshme për shikimin, dritën blu që ka energji shumë të lartë. Kjo dritë jo vetëm dëmton shikimin por ndodh edhe një fenomen tjetër që quhet lodhja e muskulaturës së syrit”, thotë mjeku okulist Topi i cili shpjegon se dëmtimi i syrit dhe lodhja e muskulaturës së syrit bëjnë që tek fëmija të krijohet miopia, pra fëmija të ketë probleme me shikimin nga larg.

Sipas mjekut okulist, mosha që preken më shumë janë duke filluar nga 2-3 deri në moshën 16 vjeç, duke qenë se është një moshë që ka gjithnjë e më shumë qasje në pajisjet digjitale.

“Me këto ritme, sigurisht që rrezikohet të kthehet në një epidemi”, thotë Topi.

Mjeku këshillon prindërit se dëmi është i madh dhe i pakthyeshëm nëse e lënë fëmijën të rrijë shumë gjatë me pajisje digjitale.

“Pajisjet digjitale krijojnë varësi dhe tek fëmijët dëmi është më i madh sepse vetë truri është në zhvillim e sipër dhe ndodh i njëjti fenomen siç është varësia nga kokaina. Jo më kot e kanë quajtur një drogë digjitale”.

Mjeku okulist shpjegon se një problem është edhe sindroma e syrit të thatë, ku thahet sipërfaqja e syrit çka sjell irritim, skuqje dhe kruarje.

“Pasojat janë të shumëfishta dhe të shumanshme”.

Ai këshillon prindërit që mos t’i lënë fëmijët më shumë se gjysmë ore në ditë maksimumi në pajisjet digjitale dhe që në momentin e parë që do dyshojnë se fëmija mund të ketë probleme me shikimin, të drejtohen tek mjeku specialist.

Problemet me shikimin janë cituar si një shqetësim në rritje edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, që parashikon që deri në vitin 2050, mbi gjysma e njerëzve në të gjithë botën do të ketë probleme me shikimin.

Rritja mund t’i atribuohet faktorëve të ndryshëm, duke përfshirë predispozitën gjenetike dhe ndikimin e mjedisit përreth. Stili i jetesës së kohëve të fundit, si përdorimi i gjerë i pajisjeve elektronike dhe jeta në ambiente të mbyllura, ka treguar se luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin dhe përparimin e këtij defekti të shikimit.

Singapori, ‘kryeqyteti i miopisë në botë”

Sot, Singapori ka një shkallë miopie prej rreth 80% tek të rinjtë dhe është quajtur "kryeqyteti i miopisë në botë".

"Ne jemi marrë me këtë problem për 20 vjet, kështu që jemi pothuajse të pafuqishëm ndaj tij", ka thënë  Audrey Chia, pedagoge në Qendrën Kombëtare të Syve të Singaporit (SNEC).

"Pothuajse të gjithë në Singapor janë miopë tani".

Ajo që ndodhi në Singapor tani duket se po ndodh në të gjithë botën. Vendet me stile jetese në dukje krejtësisht të ndryshme janë të bashkuara nga një fenomen befasues: rritja e shkallës së miopisë.

Në Shtetet e Bashkuara, rreth 40% e të rriturve janë miopë, nga 25% në 1971. Normat janë rritur në mënyrë të ngjashme në Mbretërinë e Bashkuar. Por situata e tyre zbehet në krahasim me atë të adoleshentëve dhe të rinjve në Korenë e Jugut, Tajvan dhe Kinë ku normat e prevalencës së të cilëve janë midis 84% dhe 97%. Nëse tendencat aktuale vazhdojnë, gjysma e popullsisë së botës do të jetë miope deri në vitin 2050. Dhe problemi duket se po përhapet me një ritëm më të shpejtë se kurrë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë