Njerez

30 vjetori i vdekjes, Havzi Nela: Kaq i rrezikshëm paskam qenë për partinë,  sa ma çoi gjithë jetën burgjeve?

Kur të mësoni se kam vdekë,

Kur të thoni: “Ndjesë pastë!”

A e dini se çfarë kam hjekë

Unë, poeti zemërzjarrtë?

Kështu shkruante mësuesi dhe poeti përpara se ta dënonin me varje në qendrën e qytetit të Kukësit. Më 10 gusht të vitit 1988, edhe pse pushteti diktatorial ishte në grahmat e fundit, akte çnjerëzore si vrasja e Havzi Nelës dukej se ishin përpjekjet e fundit për të ushqyer tek populli terrorin- mbi të cilin ishte instaluar që në zanafillë sistemi.

Pasi një grup gjykatësish komunistë i përbërë nga Fehmi Abdiu, Vili Robo dhe Fatmira Laskaj

morën vendimin për ta dënuar mësuesin me varje, ekzekutimi u bë në orën dy të mëngjesit të datës 10 gusht dhe trupi i pajetë, ende i varur në shtyllë druri, u ekspozua deri në mesnatë për t’u varrosur më pas në një gropë...

Tridhjetë vjet pas vdekjes së tij, Autoriteti për Informimin mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit, ka njoftuar për herë të parë vë në dispozicion të studiuesve dokumentet e deklasifikuara që i përkasin dosjes formulare të krijuar nga ish-Sigurimi i Shtetit, ndërsa ka bërë publike edhe disa dokumente nga kjo dosje.

Dosja e Sigurimit të Shtetit mbi Havzi Nelën

I ndjekur nga shërbimet operative të regjimit komunist qysh prej viteve ’60, i dyshuar si agjent jugosllav i Shërbimit UDB, në një raport që mban datën 11 gusht të vitit 1962, burimi me pseudonimin “Beci” informon Sigurimin se në një takim të datës 4 gusht të po atij viti, Havzi Nela, pasi është takuar me disa miq, të identifikuar nga burimi si Ismail Zeneli e Binjak Alia, në tri net që kanë qëndruar bashkë nuk kanë zhvilluar biseda politike, por më tepër muhabetin e kanë përqendruar në biseda të thjeshta familjare.

E megjithëse në raportim nuk kishte asgjë të dyshimtë që vinte prej mësuesit dhe poetit nga katundi Kollovoz, me statusin si i riatdhetësuar politik nga Jugosllavia, detyra për burimin ishte të takohej sërish me Havzi Nelën. “Dhe bisedën filloje lidhur me emërimin mësues, çfarë fshati, etj. Ku gjatë muhabetit thuaji se një interesant si ti Havzi, si i zunë birazela për pesë ditë, je ngut si një i ri jam çudit, thuaj.”, shkruhet në këtë raport të vitit 1962, firmosur nga punëtori operativ me gradën nëntoger,Hamdi Visha.

Një tjetër material i lëshuar për publikun nga AIDSSh është edhe vendimi i datës 8 gusht të vitit 1975, Gjykatës së rrethit Mirditë, e cila e dënon Nelën me 12 vjet heqje lirie.

I pandehuri, Havzi Nela, i biri i Shabanit dhe i Xhevahires, i lindur më 1934 në Kallovoz të Kukësit, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjendje shoqërore punëtor, me profesion arsimtar, me arsim të lartë të pambaruar, me gjendje familjare i martuar pa fëmijë, i dënuar me 15 vjet heqje lirie, në bazë të nenit 64/ 14 të Kodit Penal , me vendim nr. 25 data 22.5.1967, të Gjykatës së rrethit Shkodër, i arrestuar më 30.5.1975, i akuzuar se ka bërë agjitacion e propagandë kundër Pushtetit Popullor, ka kryer krimin e parashikuar prej nenit 73/1 të Kodit Penal, Gjykata pasi shqyrtoi materialet e hetuesisë, provat e marra gjatë zhvillimit të gjykimit, mbrojtjen dhe fjalën e fundit të të pandehurit, i cili kërkon drejtësi, vendosi: Ta deklarojë fajtor të pandehurin Havzi Nela, për krimin e agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor dhe në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal e dënon me 8 vjet heqje lirie.Përfundimisht në aplikim të nenit 49, të Kodit Penal e dënon me 12 vjet heqje lirie.

Kaq i rrezikshëm paskam qenë unë për partinë sa ma çoi gjithë jetën burgjeve?”

Havzi Nela 

Asokohe poeti dhe mësuesi vuante dënimin në kampin nr. 303, në Spaç. Në këtë dokument ku shihet vendimi i gjykatës së Rrëshenit, ka një vërejtje ku se, në kampin e Spaçit, i pandehuri gjatë vitit 1974 dhe 1975, me të dënuar të ndryshëm ka bërë biseda armiqësore kundër pushtetit popullor. “Ai ka folur se në vendin tonë standardi i jetesës është më i ulët se në vendet kapitaliste dhe revizioniste dhe se në këto të fundit ka demokraci dhe liri fjale dhe shtypi, e cila shprehet në grevat dhe protestat që bën atje popullor kundër regjimit në fuqi.”, shkruhet në dokumentin, i cili vijon se “i pandehuri, si armik i Pushteti popullor ka mburrur sistemin shoqëror të vendeve revizioniste sidomos të Bashkimit Sovjetik , duke thënë se aty zbatohen plotësisht parimet e Marksizëm Leninizmit dhe se Bashkimi Sovjetik nuk është vend revizionist”. Ishte koha kur Republika Popullore e Shqipërisë i kishte prishur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik. “Në lidhje me këtë problem , duke e krahasuar me vendin tonë, i pandehuri ka thënë se këto parime nuk zbatohen në vendin tonë dhe se revizionistët sovjetikë kanë për të ndërhyrë për të rregulluar situatën.”

Sipas këtij informacioni, i pandehuri Havzi Nela, në vitet ’74-’75 do të interpretonte edhe masat që Partia kishte marrë ndaj armiqve dhe tradhtarëve të saj, e të popullit në ushtri.

Korabi, është pseudonimi i një tjetër burimi bashkëpunëtor me njësitë operative në ndjekje të Havzi Nelës. Bëhet fjalë për një tjetër të burgosur, i cili nga brenda kampit të Spaçit, raportonte se gjatë një bisede të bërë me Nelën, më 16 mars të vitit 1975, ai do ndante me bashkëvuajtësin (bashkëpunëtor të Sigurimit) mendimet rreth situatës politike në të cilën ndodhej aktualisht vendi. “Më tha se situata në vendin tonë është shumë e turbullt, se këtyre u ka shpërthyer vullkani brenda në udhëheqje, prandaj i kanë ditët e numëruara. Qeveria e këtij udhëheqësi e mban popullin me diktaturë terroriste”- raporton burimi, duke shtuar “ Havziu shtoi se së shpejti do të përfundojë sigurimi europian dhe kjo parti është e detyruar të kapitullojë”.Korabit, pas informacioneve, i jepej detyra të rrinte me Havzi Nelën, ta dëgjonte kur fliste, por pa ndërhyrë shumë në bisedë.

I rritur në një varfëri të skajshme, fakt që nuk mohohet e madje edhe theksohet në dokumentet në Dosjen e tij të Sigurimit të Shtetit, Havzi Nela nisi studimet në

në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës, por u përjashtua si element destruktiv për bindjet e tij. Me shumë përpjekje e vështirësi arriti të punësohej si mësues në shkollën fillore të Planit të Bardhë, fshat në rrethin e Matit, por u dëbua edhe nga atje, shkak ishte aktiviteti i tij i dyshimtë; u lexonte nxënësve poemat e tij.

E përfundoi arsimin e lartë në Shkodër, me korrespodencë e më pas punoi si mësues në Krumë, Lojmë dhe Shishtaveci deri në vitin 1967, kur u transferua në Topojan, vendi ku nisi edhe kalvari i tragjedisë së tij. Dënimi me 15 vite heqje lirie, në vitin 1967, i erdhi për shkak se kishte kaluar kufirin drejt Kosovës, por forcat jugosllave e dorëzuan sërish në Shqipëri. Edhe bashkëshortja e tij u dënua me 10 vite burg.

Ishte gjatë gjithë kohës i vëzhguar nga Sigurimi, u mor në paraburgim në shumë raste. Në vitin 1986,  e lejuan që për një kohë të shkurtër të dilte nga burgu, liri që nuk do të zgjaste shumë, pasi në vitin 1987 arrestohet sërish.

Një vit përpara se të dënohej me varje, punëtori operativ i zonës, Mois Hoxha ka lënë një shënim operativ që mban datën 13 tetor të vitit 1987, pasi një ditë më parë kishte marrë pjesë në internimin e Havzi Nelës, në Arrën të Kukësit.“Kaq i rrezikshëm paskam qenë unë për partinë sa ma çoi gjithë jetën burgjeve?”, do të shprehej mësuesi pasi Sali Gera i komunikoi vendimin, siç lexohet në rrëfimin e këtij punëtori operativ.

 “Ti ke bërë krim dhe për këtë të falënderosh Partinë që të fali jetën”, mësohet t’i ketë thënë operativi Mois Hoxha, gjithnjë sipas fjalëve të tij, dokumentuar në këtë shënim të vitit 1987, ndërsa Havziu do i përgjigjej “Unë nuk ia di për nder askujt, se e kam shlye me jetën time.”

Pasi do të qortohej se e kishte gabim me fjalët e tij, nga Sali Gera, me kërcënimin se për to do të bindej vetë. Unë-thoshte  Havziu-do të bindem vetëm kur të bëhem dhè, por më vjen keq se ju po merrni në qafë shumë njerëz të ndershëm duke dëgjuar lloj-lloj maskarai e batakçiu se ku e dinit se unë nuk mund të bëhesha njeri i denjë, por mund të bëhesha agjent, që po më internoni.”

Një vit më vonë, do ta varnin në qendrën e qytetit – ku tani për nder të tij qëndron një bust – i varrosur në një në një gropë shtylle, thuajse më këmbë, i mbuluar me dhè e gurë, ndërsa sipër do të mbulohej me ferra e shkurre... Sikur ta dinte fundin e tij të hidhur, ndërsa i hiqnin edhe dinjitetin e fundit njerëzor që trupi i tij i pajetë të prehej në varreza, poeti do të shkruante:

Kur të pyesni: “Ku e ka vorrin?”

Kur t’kërkoni me ma gjetë.

Thoni: “Ai urreu mizorin”.

Thoni: “Dheu s’ka me e tretë

Pesë vjet e dhjetë ditë të tjera do të vazhdonte kalvari i mësuesit, të cilit pasi ia prenë jetën në moshën 54 –vjeçare e dënuan të mos kishte paqen e përtejme duke u përqafuar nga krahët e tokës, që presin një ditë çdo vdekatar.

Nga ceremonia e varrimit të Havzi Nelës, 1995

Më 20 gusht të vitit 1993, pas përpjekjeve të shumta nga zyrtarët e qeverisë në pushtet (tashmë në një sistem pluralist, të cilin Nela që aq shumë e desh, nuk pati mundësinë ta dëshmojë), u gjet edhe vendi, i mbuluar me gurë e shkurre, pranë fshatit Kolsh rreth dy kilometra në dalje të Kukësit, ku ishte varrosur mësuesi Havzi Nela. Sali Berisha asokohe President i Republikës së Shqipërisë i dha Havzi Nelës, titullin “Dëshmor i Demokracisë.”, e më pas iu dha edhe titulli “Nder i Kombit”.

Shtëpia e poetit në fshatin Kollovoz, të Kukësit. 

Me rastin e 30 vjetorit të varjes së poetit dhe mësuesit Bashkia e Kukësit, pasi vendosi bustin e poetit në gjimnazin e qytetit, ka përuruar shtëpinë e Havzi Nelës në fshatin Kollovoz, ku thuhet se poeti kishte groposur dorëshkrimet e tij të fundit, që të mos binin në duart e Sigurimit të Shtetit. Ishin shtatë fletore me rreth pesë mijë e pesëqind vargje poezi, të cilat ia ruajtën vëllezërit, ndërsa bashkëshortja, Lavdija, do të ruante letrat që poeti ia kish shkruar.

Kur të vijë, të çelë pranvera,

Kur bilbili nis me këndue.

Mbi vorr tim me gur’e ferra,

Nji tufë lule me ma lëshue.

Prekni vorrin, mos ngurroni,

Kush ka lindë, ai ka me vdekë,

Veten ju kur t’a ngushëlloni,

Thoni:”Gjallë kurkush s’ka mbetë...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë