Njerez

2000 gra çojnë në gjykatë qeverinë e Zvicrës, nuk po i mbron nga ndryshimet klimatike

Më shumë se 2000 gra po e çojnë qeverinë zvicerane në gjykatë duke pretenduar se politika për ndryshimin e klimës po shkel të drejtën e tyre për jetë dhe shëndet.

Kjo është hera e parë që Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) do të dëgjojë një çështje mbi ndikimin e ndryshimeve klimatike në të drejtat e njeriut.

Temperaturat në Zvicër po rriten më shpejt se mesatarja globale dhe valët e të nxehtit janë gjithnjë e më të shpeshta.

Gratë zvicerane thonë se ndryshimi i klimës po rrezikon të drejtat e tyre njerëzore, shëndetin dhe madje edhe jetën e tyre. Provat e tyre në gjykatë përfshijnë të dhënat mjekësore.

Ato duan që GJEDNJ të urdhërojë Zvicrën të punojë më shumë në reduktimin e emetimeve të gazeve serrë.

Një nga gratë Elisabeth Stern, i tha BBC-së se për shkak të ndryshimeve klimatike, “ne kemi më shumë valë të nxehti dhe gratë e moshuara vuajnë më shumë. Ato vdesin më shpesh gjatë këtyre valëve të të nxehtit”.

“Disa njerëz thonë se pse po ankohemi pasi ne do të vdesim gjithsesi por ne nuk duam të vdesim vetëm sepse qeveria jonë zvicerane nuk ka qenë e suksesshme në krijimin e një politike të mirë klimatike”.

Observatori Europian i Klimës dhe Shëndetit thotë se rritjet e parashikuara të temperaturës mesatare ka të ngjarë të kenë "ndikime serioze në shëndetin publik" në të gjithë Europën, veçanërisht tek të moshuarit.

Në 20 vitet e fundit, vdekshmëria e lidhur me nxehtësinë tek njerëzit më të vjetër se 65 vjeç në Europë është rritur me më shumë se 30%.

Qeveria zvicerane nuk e mohon se ndryshimi i klimës mund të ndikojë në shëndet por thotë se nuk mund të lidhet në mënyrë specifike me shëndetin e grave të moshuara.

Temperaturat botërore po rriten për shkak të aktivitetit njerëzor dhe ndryshimet klimatike tani kërcënojnë çdo aspekt të jetës njerëzore.

Sipas organit të OKB-së për klimën, IPCC, nëse rritja e temperaturës globale nuk mund të mbahet brenda 1.5 gradë, Europa do të ketë më shumë përmbytje të shkaktuara nga reshjet ekstreme.

Temperaturat ekstreme mund të rrisin gjithashtu rrezikun e zjarreve, siç u pa në Europë verën e kaluar. Franca dhe Gjermania regjistruan rreth shtatë herë më shumë tokë të djegur midis janarit dhe mesit të korrikut 2022, krahasuar me vitet e mëparshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë