Histori

20 Shkurti, dita që flaku në greminë diktaturën

Deri në fillim të viteve 1990 të paktë ishin ata që kishin guxuar që të shanin publikisht Enver Hoxhën, e akoma më të paktë ata që kishin guxuar të cenonin shtatoret e diktatorit të ngritura thuajse në çdo cep të Shqipërisë, pasi ata që gjenin këtë guxim, në rastin më të mirë internoheshin, e në rastin më të keq dënoheshin me vdekje nga makineria e regjimit.

Pas vdekjes së Enver Hoxhës, emri i tij iu vendos shesheve, porteve, aeroportit të Rinasit dhe institucioneve, përfshirë këtu Universitetit të Tiranës. Por, kryesimboli i diktatorit ishte padyshim shtatorja gjigante e derdhur në bronz dhe e vendosur në Sheshin Skënderbej, në krah të “Heroit Kombëtar” dhe përballë Muzeut Historik. Ndaj, rrëzimi i kësaj shtatoreje përkthehej në rrëzim të diktaturës.

Ishte 20 shkurti i vitit 1991. Pluralizmi sapo kishte trokitur në Shqipëri. Partia Demokratike kishte pak më shumë se dy muaj që ishte themeluar dhe më 31 mars të po atij viti vendi shkonte në zgjedhjet e para pluraliste.

Gjendja në vend ishte më shumë se e mjeruar. Bërthama e lëvizjes ndodhej në Qytetin Studenti. Studentët e kishin arritur fitoren e parë. Qindra studentë u futën në grevë urie dhe mes kërkesave kryesore ishte heqja e emrit të Enver Hoxhës nga Universiteti i Tiranës.

Guximi i studentëve i dha zemër pjesës tjetër të shoqërisë dhe më 20 shkurt, mijëra qytetarë iu përgjigjën thirrjes për t’u grumbulluar kundër diktaturës në Sheshin Skënderbej. Pas orësh betejë me forcat e policisë dhe ushtrinë, protestuesit shembën shtatoren në orën 14:05 minuta dhe më pas e tërhoqën atë zvarrë me anë të një kamioni përmes Tiranës. Simbolika që përcolli akti ishte e fortë. Shqiptarët kishin hapur sytë dhe u zgjuan kundër regjimit më të egër komunist në Europë.

I mveshur me dritëhije është edhe roli i Ramiz Alisë në këtë ditë. Në intervistat e dhëna vite më vonë u shfaq i vetëdijshëm se nuk mund të shmangte ndryshimin, por se u përpoq që të shmangte kaosin dhe viktimat. Por, kundërshtarë dhe protagonistë në lëvizjen e atyre ditëve deklarojnë se Ramiz Alia i trembej faktit se mund të përfundonte si Nikola Çaushesku në Rumani, i cili u pushkatua së bashku me gruan e tij, Elena.

Veç kësaj, ashtu si shumë data të tjera historike të vendit tonë, edhe 20 shkurti interpretohet ndryshe nga politika, njëri krah mundohet ta përvetësojë, ndërsa tjetri t’ja zbehë rëndësinë. Megjithatë, 20 Shkurti është dita kur së bashku me shtatoren ra edhe regjimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë