Histori

1992, kur “The New York Times”, i bënte jehonë Ekipit Olimpik Shqiptar

DAVID WALLECHINSKY, 4 korrik 1992- Hapja e ceremonisë së Lojërave Olimpike në Barcelonë më 25 korrik, do të kulmojë me shfaqjen dramatike të ekipeve nga Afrika e Jugut dhe Gjermania. Folësit nëpër ekrane do t'i shpjegojnë audiencës mbarë botërorë prej 3.5 miliard shikuesish se afrikano jugorët do të garojnë për herë të parë që prej vitit 1960 dhe se një kontingjent tjetër do të përfaqësojë Gjermaninë e bashkuar për herë të parë në Lojërat Verore.

Të rikthyer në këtë kompeticion, do të jetë edhe një ekip prej 14 atletësh. Por ky ekip, i cili përfaqëson Shqipërinë, ka një histori dramatike të veten. Shqipëria është kthyer në Lojërat Olimpike. Sigurisht, shumica e njerëzve as që e dinë se ajo ishte larguar prej tyre. Shqipëria është i vetmi vend që ka braktisur katër Olimpiada radhazi. Hera e fundit dhe e vetme që atletët shqiptar garuan në Lojërat Olimpike ishte në vitin 1972, në Mynih të Gjermanisë.

Besnik Dizdari, botuesi i gazetës "Sporti", e cila publikohet dy herë në javë në Shqipëri, i mban mend mirë Lojërat e Mynihut. Ai e ndoqi ceremoninë e hapjes në një televizion italian, i cili mezi kapej në Shqipëri. "Kishim Shpresa të Mëdha. Kur u shfaq flamuri shqiptar në Paradën e Shteteve",- rikujton Dizdari, "Fotografova ekranin e televizorit dhe fotografinë e vendosa në faqen e parë të gazetës, e cila do të botohej të nesërmen. Kishim shpresa të mëdha se më në fund Shqipëria po hapej ndaj pjesës tjetër të botës."

Në fund rezultuan shpresa të rreme. Shqipëria u drejtua nga Enver Hoxha që prej Luftë së Dytë Botërore, një diktator Stalinist, i cili mbylli kufijtë, e shpalli territorin e tij shtet ateist, të parin në botë, dhe urdhëroi që të shkruhej emri i tij nëpër shkëmbinj, me germa aq të mëdha sa mund të shihen ende, nga aeroplan që fluturojnë nga veriu i Greqisë.

Në vitin 1973, Hoxha i mbylli përsëri dyert, duke e izoluar kombin e tij edhe më plotësisht se më parë. Midis qindra urdhëresave që nxori për të imponuar vullnetin e tij, ishte njëra që e urdhëronte gazetën "Sporti" të mos i kushtonte më shumë se dy kolona në numër sportit ndërkombëtar. Kur Lojërat Olimpike të vitit 1976 po afroheshin, Hoxha shpalli se Shqipëria nuk do të merrte pjesë, sepse atletet e saj nuk ishin në standardet ndërkombëtare. Ai tha të njëjtën gjë në vitin 1980 dhe 1984. Pas vdekjes së Hoxhës në vitin 1985, pasuesi i tij, Ramiz Alia e përsëriti të njëjtin justifikim para Lojërave Olimpike të Seulit në 1988. Në të vërtetë, disa atletë shqiptar ishin të klasit botëror, veçanërisht në qitje dhe peshëngritje. Në vitin 1981, për shembull, një qitëse femër fitoi Kampionatin Europian në qitje me pushkë; në vitin 1983, një tjetër fitoi medaljen e artë në qitje me pistoletë në Kampionatin Europian për të rinj.

Peshëngritësi Ymer Pampuri ishte njëri nga 9 personat që përbënin delegacionin Olimpik të Shqipërisë në vitin 1972. "Isha unë, katër qitësa, Ministri i Sportit, dy trajnerë dhe një anëtar i sigurimit të shtetit",- rikujton ai. Detyra e përfaqësuesit të sigurimit të shtetit ishte të siguronte se asnjë nga anëtarët e delegacionit nuk do të takohej me atletë të shteteve të tjera, përveç atyre me origjinë shqiptare nga rajoni i Jugosllavisë, Kosovës.

"Kisha veç zemrën dhe krahët e mi", - thotë Pampuri, i cili si atëherë edhe tani e nxjerr jetesën duke punuar si kloun në cirk. "Nuk dija gjë për atletët e tjerë apo për rekordet Olimpike. Deri kur me testuan për droga të jashtëligjshme, nuk e dija se ekzistonin gjëra të tilla".

Në atë kohë, peshëngritësve olimpikë u kërkohej të ngrinin pesha në tre stile: shtytje, shkëputje dhe forcë. Pampuri shkaktoi entuziazëm të madh, pasi vendosi një Rekord Olimpik në stilin e forcës. Por, ai kishte pak përvojë në stilin e shkëputjes dhe shtytjes të cilat nuk ishin shumë mirë të përvetësuara në Shqipëri. Ai doli në vendin e 9 nga 13 pjesëmarrës. "Është e mundur të përfaqësosh me dinjitet, pa fituar", - tha Pampuri.

Në prill të vitit 1992, Shqipëria zgjodhi një qeveri jo komuniste dhe, tani, shqiptarët janë të etur për të hyrë përsëri në komunitetin e shteteve. Por, ata kanë rrugë të gjatë për të bërë. Shqipëria nuk është më një vend i varfër komunist; tani është një vend i varfër kapitalist.

Papunësia është mbi 50 përqind dhe në rritje. Rrugët e kryeqytetit, Tiranës, janë të mbushura me burra që enden rrugëve. Më të vjetrit lexojnë dhe diskutojnë artikuj nga 30 gazetat kombëtare, të cilat mbinë pas demokratizimit. Disa nga të rinjtë përpiqen të hamendësojnë lëvizjet e artistëve që luajnë me tre karta e të cilët mblidhen në parqet e qytetit. Vizitorët e huaj të gatshëm për të rrezikuar në tregun e zi mund të blejnë një suvenir të pazakonta për 25$, një pasaportë shqiptare.

Makinat private janë një zbulim i kohëve më të fundit në skenën shqiptare. Dhe, për shkak se rregullat dhe normat e drejtimit të automjetit duket se nuk ekzistojnë, vetë kalimi i rrugës nga njëra anë në tjetrën në Tiranë mund të jetë një aventurë. Jashtë qytetit, shumica e njerëzve udhëtojnë ende në këmbë ose me karroca të tërhequra nga kuajt. Vetë toka duket e pasur, por pothuajse 50 vite rregullash drakoniane komuniste e kanë mbytur zhvillimin.

"Sporti shqiptar", - thotë Agim Zeka, presidenti i Komitetit Olimpik Shqiptar, - "si e gjithë jeta shqiptare, është në hapat e parë dhe ka nevoje për mbështetje. Shqiptarët e dashurojnë sportin. Në të ardhmen e largët, do të ketë arritje të mëdha".

Megjithatë, në të ardhmen e afërt, kohët do të jenë të vështira. Fondet e fundit të qeverisë për sportet u shpenzuan në prill për të dërguar ekipin e futbollit të të rinjve në një turne në Sevije të Spanjës. Turneu kombëtar i basketbollit dhe ai i volejbollit u detyruan të pezulloheshin, pasi nuk kishte para të mjaftueshme për të transportuar arbitrat për ndeshjet.

Ëndrra e sponsorizimit

Komiteti Kombëtar Olimpik është i izoluar dhe pa mbështetje. Zyrtarët e sportit shpresojnë në sponsorizme të huaja. Megjithatë, deri tani ata kanë marrë shumë fjalë të mira, por asnjë financim.

Duke patur parasysh gjendjen e vështirë në Shqipëri, nuk është e habitshme që pothuajse të gjithë sportistët kryesorë të vendit po dezertojnë. Duke lënë vendin, ata nuk po kërkojnë lavdi, thjesht duan të gjejnë një punë. Sportisti më i suksesshëm i Shqipërisë është një peshëngritës, Pirro Dhima. Dhima u rendit i treti në Kampionatin Europian të këtij viti. Fatkeqësisht, ai përfaqësonte Greqinë, e cila ia kishte dhënë shtetësinë në kohë rekord.

Zyrtarë të Komiteti Olimpik Shqiptar thonë se shpresojnë që dashamirës amerikano-shqiptar do të dhurojnë aq para sa të dërgojnë ekipin prej 14 sportistësh në Lojërat e ardhshme të Barcelonës. Ky ekip do të përbëhet nga katër çiklistë, katër peshëngritës, tre atletë në disiplinën vrapim, kërcim, hedhje shtize, një qitës dhe një notar, Steve Lescas (Frank Leska), një shqiptaro-amerikan nga Meple Glen, Pensilvani dhe Universiteti La Salle (La Salle University), i cili pritet të vijë për herë të parë në Shqipëri.

Askush nuk pret ndonjë medalje, por vetëm pjesëmarrja në Lojërat Olimpike për herë të parë pas 20 vitesh është e rëndësishme për shqiptarët.

"Unë e krahasoj pjesëmarrjen tonë me një lindje të vështirë", - tha Besnik Dizdari, - "por të paktën është një lindje dhe kjo na jep shpresë". /Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë