Libra

Zef Zorba: Il traduttore-traditore dhe një trini poetësh

“Omne Trium perfectum!”,  thotë shprehja latine, që e sheh përsosmërinë në gjithë ç’vjen në trini. Ashtu siç i ka parë edhe poeti Zef Zorba tre hermetikët e mëdhenj italianë, të cilëve u  shqipëroi poezi dhe bashkë me to edhe shënime mbi jetët, veprën dhe tiparet dalluese të secilit. “Por ai është këmba  e katërt e kësaj platforme moderniste, që bën bashkë dy brigje të poezisë”, thotë Ana Shkreli, nga botimet “Çabej” , që sapo ka sjellë të botuar përzgjedhjen poetike të titulluar “Perfectum Trinum”.

Fill vetëm në gji të dheut çdonjëri

Prej një rrezeje dielli shestuar

E bëhet muzg menjëherë

 Quasimodo

Salvatore Quasimodo

Ishte viti 1984, disa vite përpara se të ndihej vërtet agonia e diktaturës, ndërsa poeti dhe përkthyesi nga Shkodra, nga ana tjetër e Adriatikut përkthente në fshehtësi letërsinë e ndaluar. I shkolluar në Padova, në vitet ’40, tre poetët italianë ishin edhe të parapëlqyerit e tij. “Kjo antologji është e pamjaftueshme për pasqyrimin e veprës poetike të të treve apo për paralelizmin e tyre pasi veç së vërtetës “traduttore- traditore” edhe vetë metoda e antologjizmës është dashtë e pa dashtë vullnet i përzgjedhësit e njëfarë shkrandjeje e veprës totale të autorit”, shkruante tridhjetë e pesë vite shqipëruesi, i cili mjerisht nuk pa asnjë nga veprat e përkthyera apo krijimtarinë origjinale të tij ta shihnin dritën e botimit sa qe ballë.

Një parmak flladi

Për të mbështetur sonte

Trishtimin tim

Ungaretti

Giuseppe Unngaretti

“Nga fraksionarizimi ka rrezik që “poeti njeri” të paraqitet me reflekse jo të qenësishme nga e gjithë prodhimtaria e tij. E mbara do të ishte të jepej shqipërimi i plotë i veprës poetike të çdonjërit. Po kujt ia mban? Mua jo”, shkruante Zorba, me rigorozitetin thuajse shkencor të shqipëruesit, me vetëdijen se do të vinte një ditë që puna e tij do të botohej dhe do të njihej nga lexuesit.

Makina e shkrimit të poetit dhe përkthyesit /Zef Zorba

Eugenio Montale, fitues i Nobelit të Letërsisë më 1975, Salvatore Quasimodo, Nobel i Letërsisë më 1955-ën dhe Giuseppe Ungaretti, i kandiduar po atë vit dhe Zef Zorba, poeti i sirtarëve apo hermetiku dhe modernisti,  i cili do të njihej nga lexuesi shqiptar, vetëm pas vdekjes, kur më 1994-ën do të botohej vepra e tij poetike  “Buza e ngrirë në gaz”. E megjithatë edhe shumë vite pas vdekjes, atë e mban gjallë i gjithë korpusi letrar, dorëshkrime që presin ende ta shohin dritën e botimeve. Një zotim i të bijave kur ai u nda nga jeta dhe që në këtë 99 –vjetor të tij, përuruan në teatrin “Migjeni”, në Shkodër, përmbledhjen poetike “Perfectum Trinum”, ndërsa thonë se kanë gati të tjera dorëshkrime, që do të botohen deri në 100 vjetorin e tij.

Më dukej një lodër e lehtë

Ta bëja asgjë largësinë

Që më qe hapur të këmbeja mërzinë

E zbehtë me zjarrin tënd të vërtetë

Montale

Eugenio Montale

Zef Zorba mund të quhet padyshim një artist  i plotë e i shumanshëm: poet, përkthyes, publicist, regjisor, autor pjesësh dramatike dhe libretesh. Lindi në Kotorr më 1920, në një familje shqiptare.  Më 1941 u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Shoqërore, në universitetin e Padovas por u detyrua të ndërpriste studimet më 1943-shin  për shkak të Luftës së Dytë Botërore dhe të kthehej në Shkodër ku jetoi deri në fund të jetës më 1993-shin.

Ende sot shumë përkthime të tij mbeten në sirtar, në dorëshkrime; T.S Elliot me “Katër Quartete”, “Pritje koktej”, “E mërkura e përhime”,  poema të Robert Frost, Oscar Wilde, me “Rëndësia e Seriozitetit”,   si edhe vepra nga Pirandello,  Wilder, O’Neal, etj. Si regjisor në Shtëpinë e Kulturës në Shkodër, pat vënë shfaqje në skenë si “Armiku i Popullit”,  i Ibsen dhe “Juda Makabe”,  të Fishtës. Ndoshta kjo ishte  edhe arsyeja pse u burgos më 1946, për vite me radhë.

Zef Zorba

Zorba kapërceu kufijtë e krijimit mirëfilli letrar dhe eksploroi pikëtakimin e  letërsisë me muzikën apo artet pamore, duke i shtuar korpusit  të tij artistik edhe dy librete operash, “Teuta” dhe “Rozafa”, tekste këngësh me muzikë të Prenk Jakovës, por edhe punime gdhendjesh në dru, të cilat ilustrojnë poezinë antike greke , tragjedinë dhe komedinë klasike.

Librat e tre poetëve  italianë, Zorba nuk i shihte si  një përmbledhje e thjeshtë poezish, por një vepër e plotë , në vështrimin e mirëfilltë aristotelian, Për  librin e tij Allegria, Giuseppe Ungaretti “Ky libër s’është veçse një ditar. Autori nuk ka ndonjë ambicie tjetër dhe beson se edhe poetët e mëdhenj s’kanë pasur pikësynim të ndryshëm, posë që të linin një biografi të bukur të vetën.” Prandaj edhe librat e tyre mbajnë që në titull këtë karakteristikë ditari, mendon Zorba.“Përpos parametrave të përbashkët këta tre poetë kanë veçori krejt individuale,  sidomos në shpalosjen e botës poetike të secilit, guxoj të them se vepra e tyre duke mbetur subjektive , është njëheri komplementare e prodhimtarisë  së njëri-tjetrit duke pasqyruar kështu një sistem qiellor unik,  me veçori të pandryshueshme individuale, por harmonike në mes tyre e sidomos pa errësuar njëri-tjetrin”.

Fotografi dhe dorëshkrime të poetit Zef Zorba

Më 2019-ën, Zorba i sjell lexuesit shqiptar rreth 100 poezi të tre poetëve italianë të shekullit XX. Botuesja e “Çabej”, Brikena Çabej ka zbuluar se fare pak ndryshime iu bënë tekstit origjinal, gjatë redaktimit. “Gjatë punës që bëmë me tekstin, disa dyshime fillestare për ndonjë lapsus që na pati shtyrë të ndërhynim në tekst,  në fund i lamë mënjanë, duke menduar se shqipëruesi ishte larguar me kast nga origjinali dhe i kishte dhënë vetes liri për licencë poetike. Mendimin e parë për t’i korrigjuar ato pak raste e ndryshuam në çastin e fundit dhe i kthyem tekstet siç i kishte në dorëshkrim shqipëruesi”.  Botuesi italian “Mondadori”, dha  leje për botimin e kësaj përzgjedhjeje me kushtin për të vendosur përbri edhe tekstet origjinale italisht, në një botim dygjuhësh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë