Histori

Si i pagëzoi Shekspiri gratë e veprave të tij

Poeti dhe dramaturgu anglez, Uilliam Shekspir mbahet si një nga shkrimtarët më prodhimtarë të botës. Të studiuara mirë dhe të mbledhura me pasion, shumica e dramave të tij paralelizojnë ndryshimet kulturore që ndodhën në Epokën Elizabetiane të Anglisë, gjatë së cilës ai ishte kyç për sjelljen e ideve Rilindase të humanizmit në teatër. Pavarësisht faktit se u shkruan në një kohë kur gratë nuk kishin ndonjë farë statusi ekonomik apo politik, kontributet letrare të Shekspirit janë përplot me personazhe të fuqishëm femërorë.

Megjithëse shumë kritikë, veçanërisht ata gjatë valës së dytë të feminizmit, në vitet 1960, e dënojnë paraqitjen që ai u bën grave, veçanërisht në referencë me trupat e tyre dhe nënshtrimin e tyre ndaj burrave. Shekspiri ishte një nga të paktët në kohën e tij, që përfshiu heroina të ndryshme e emocionalisht komplekse si edhe antagoniste me synime dhe personalitete të dallueshme, në veprat e tij. Nga personazhet popullore femërore si Zonja Makbeth apo Zhuljeta, tek ato më pak të njohur, kemi gjurmuar origjinën e nëntë prej personazheve më kokëforta të veprave të Shekspirit.

William Shakespeare

Gratë tek Shekspiri paraqesin personalitete të larmishme, nga avokatet  e fuqishme tek vashat e ndrojtura. Ndërsa dramaturgu i zgjidhte me kujdes secilin prej emrave të heroinave të tij për të shpërfaqur personalitetin e tyre, atributet dhe karakteristikat e tyre fizike pasqyrohen shpesh në etimologjinë e emrave të tyre.

Kordelia (Mbreti Lir, 1606)

Emri Kordelia mendohet se ka origjinë latine dhe kelte dhe thuhet se është një anglikanizim i perëndeshën uellsiane Creiddylad. Kuptime popullore të emrit përfshijnë “zemër”, “Bijë e detit” dhe “xhevahir i detit”. Kordelia e Shekspirit është heroina tragjike e Mbretit Lir, një përshtatje e rrëfenjës së mbretit Lir, që ishte mbreti legjendar i britanikëve. Në dramën e Sheksirit, Kordelia refuzon ta lajkatojë të atin në këmbim të pushtetit, duke e bërë atë ta dëbonte të bijën, në zemëratë. Mungesa e saj e çon mbretin Lir në rrënim, ndërsa ajo kthehet për ta ndihmuar në një akt vetëmohimi dhe dhembshurie. Vdekja e saj shkakton ndryshim tek mbreti Lir, që në fund kupton sa shumë kishte humbur në përpjekjet egoiste. Kordelia mbetet një emër i fuqishëm letrar, një ikonë e dashurisë së vërtetë dhe shembull i qëndrimit të patundur, në mes të kaosit imoral.

Kresida (Troili dhe Kresida, 1609)

Shekspiri shpesh u udhëhoq nga materiale burimore për të prodhuar emrat e personazheve të tij, në vend që të krijonte të rinj. Emri Kresida -që është përshtatur nga fjala “chrysos”,  që në greqishten e vjetër do të thotë “e artë” – u mor nga një rrëfenjë e një heroine trojane, e rrëfyer nga poeti italian Giovanni Boccacio tek “Il filostrato”, dhe më pas përmes poemës epike të Chaucer-it shkruar më 1380-n, titulluar “Troili dhe Kriseida”. Tek Troili dhe Kresida, Shekspiri përpunon rrëfenjën origjinale me një dekonstruksion të errët të dashurisë.

Otello dhe Desdemona

Desdemona (Otello, 1604)

Desdemona ka origjinë greke dhe do të thotë “e pafat” ose “fatkeqe”. Është antonim i emrit grek Eudaimonia, që i referohet një gjendjeje të kënaqshme shëndeti, lumturie dhe begatie. Emri përshtatet vërtet dhe protagonisten e Shekspirit tek “Otello”, që portretizohet si një personazh i padjallëzuar, e nënshtruar ndaj bashkëshortit të saj shpërthyes, Otellos, që i referohet gruas së tij si “ një vajzë e pafat”, e që në fund e vret atë në përgjigje të tradhtisë së saj të hamendësuar, një pasqyrim i mjerimit të saj dhe mungesës së fatit të mirë. Ky emër, deri në ditët tona, shmanget shpesh si besëtytni për shkak të rrënjëve tragjike.

Zhuljeta (Romeo dhe Zhuljeta, 1597)

Zhuljeta rrjedh nga emri francez “Juliette,” që përkthehet si “rinore”. Përdorimi i emrit nga Shekspiri tek tragjedia “Romeo dhe Zhuljeta” me gjasë i referohet rinisë dhe bukurisë së katërmbëdhjetëvjeçares Zhuljeta, që përshkruhet në vepër si e pastër dhe e dëlirë. Heroina e re e Shekspirit gjendet shpesh e portretizuar në letërsi, muzikë, balet dhe teatër.

Romeo dhe Zhuljeta, skicë e Franco Zeffirelli

Katerina (Zbutja e kryeneçes, 1623)

Katerina është forma e latinizuar e emrit me origjinë të vjetër angleze,  me variante të larmishme si Katerinë, Katarinë apo Katrin. Rrënjët e emrit vijnë nga fjala greke, katharos, që ka kuptimin e “pastër” dhe “virgjërore”; karakteristika që përfaqësojnë çdo zonjë të kësaj epoke, të pamartuar dhe çka e identifikon Katerinën tek vepra e Shekspirit. Emri gjithashtu e lejon Petruçion, bashkëshortin e Katerinës, të bëjë lojëra që tregojnë njëherazi gruan kryeneçe që ajo është dhe planet e tij për ta zbutur atë.

Ofelia, Friedrich Wilhelm Theodor Heyser,

Ofelia (Hamleti, 1609)

Megjithëse Ofelia është personazh danez tek Hamleti i Shekspirit, origjina e emrit vjen nga fjala greke “ophelos”, që do të thotë “ndihmë”. E bëri paraqitjen e parë letrare tek “Arkadia” (1504), një vepër e poetit italian, Jacopo Sannazaro. Emri i shkon për shtat personazhit tragjik, që mbyt veten si rezultat i sjelljes irracionale nga dashnori i saj, Hamleti. Që prej shfaqjes së personazhit tek vepra legjendare e Shekspirit, Ofelia ka qenë subjekt i vazhdueshëm i veprave të artit, shpesh në vepra romantike apo neo-klasike. Një shembull i njohur është Ofelia e piktorit dhe ilustruesit anglez Arthur Hughes, ( Dhe ai nuk ka për t’u kthyer më).

Portia ( Tregtari i Venedikut, 1605)

Portia rrjedh nga emri latin “Porcia”, një formë femërore e Porcius, që ishte një emër i një familjeje të vjetër romake, që rrjedh nga fjala “porcus” , që do të thotë “derr”. Emri i referohet një avokateje femër. Portia është një nga heroinat më joshëse dhe të suksesshme të Shekspirit, një avokate e shkëlqyer, plot jetë, që është e pasur dhe e bukur. Megjithëse ajo e maskon veten si burrë, në mënyr ëqë të mbrojë Antonion në gjykatë, aji paraqet vetëbesim dhe klas. Emri Portia vijoi të ndikojë në veprat e mediumeve të ndryshme, veçanërisht tek Thomas Sully, me “Portia dhe Shylock” (1835) dhe tek “Portia” e piktorit John Woods (1888). Është edhe emri që burrështetasi amerikan John Adams e përdorte për bashkëshorten e tij, Abigail, në letra, me gjasë frymëzuar nga personazhi i Shekspirit.

Rosalinda (Siç ju pëlqen, 1603)

Emri Rosalinda ka origjinë nga gjermanishtja e vjetër dhe u prezantua nga Angli nga normanët. Më vonë, kaloi në Spanjë nga gotët, ku emri evoluoi nga forma “Rosalind” në “Rosalinda”. Për këtë arsye, etimologjia popullore shpesh e identifikon emrin si me origjinë spanjolle, për shkak të elementëve “rosa” që do të thotë “trëndafil” në spanjisht dhe “linda”, që do të thotë “e bukur”. Tek vepra e Shekspirit, Rosalinda spikat për bukurinë dhe elasticitetin. Ajo është një personazh i fortë femëror me mendjemprehtësi të shpejtë dhe veprim vendimtar, duke e bërë emrin një përkim elegant për personazhin e saj. Alteregoja e saj tek drama është Ganimedi, që deklaron “Nuk do të kisha emër më të keq se vetë korrieri i Jupiterit,/ Ndaj për këtë më thirr Ganimed”, ndërsa shkon në Pyllin e Ardenit. Ganimedi u shfaq fillimisht në mitin grek, më pas u përshtat nga romakët, që përshkruanin Princin e Trojës si një djalë i ri tërheqës dhe i dëshiruar. Gjatë kësaj kohe, të kishte një shërbyer të ri dhe të pashëm konsiderohej si shenjë e pasurisë, kështu Shekspiri e përdori emrin me gjasë për të minuar statusin e saj të privilegjuar.


Edwin Henry Landseer, skenë nga Ëndrra e një Nate Mesvere

Titania ( Ëndrra e një Nate Mesvere, 1605)

Titania është emri i mbretëreshës së zanave në komedinë e Shekspirit, “Ëndrra e një Nate Mesvere”. Besohet se Shekspiri erdhi tek ky emër, nga poema narrative latine, “Metamorfozat” e Ovidit, që rrëfen historinë e botës nga krijimi deri tek hyjnizimi i Jul Cezarit. Në të, Titania është emri i dhënë bijave të Titanëve dhe përfaqëson krijesa krenare të ngjashme me ato të veprës së Shekspirit. Për shkak të ndikimit të thellë të dramaturgut, emri vijoi të përdorej në piktura, poema dhe drama, për të personifikuar mbretëreshat magjike.

 

Më Shumë