Mendim

“Zyrtarizoni shqipen!” Partitë shqiptare vënë Zaev me “shpatulla pas murit”

Në momentin që mendoi se kishte siguruar votat e nevojshme nga opozita maqedonase për zbatimin e marrëveshjes me Greqinë, kryeministri Zoran Zaev mund të ketë kuptuar se ka marrë për të mirëqenë mbështetjen e aleatëve të tij më të vyer në këtë proces: atë të shqiptarëve të Maqedonisë. Dy parti shqiptare kanë kërkuar zyrtarizimin e gjuhës shqipe në këmbim të mbështetjes politike për paktin Athinë-Shkup.

Partitë e vogla të opozitës shqiptare, Lëvizja BESA dhe Aleanca për shqiptarët këmbëngulin se ndryshimi i kushtetutës për zbatimin e marrëveshjes së emrit, është një mundësi e mirë edhe për ndryshime të tjera që do të përmirësonin jetën e shqiptarëve atje. Si kryetari i Lëvizjes Besa, Bilal Kasemi, ashtu edhe kreu i Aleancës për Shqiptarët , Ziadin Zela, kanë paralajmëruar se mbështetja e mëtejshme për marrëveshjen e emrit, varet nëse qeveria e kryeministrit Zaev do të pranojë kërkesat e tyre për ndryshimet kushtetuese. Dy liderët e partisë politike kërkojnë zyrtarizimin e  gjuhës shqipe në mbarë vendin.

https://www.youtube.com/watch?v=uk_ULV6hnTk

 "Ne mendojmë se është koha që çështjet politike që kanë të bëjnë me shqiptarët të jenë pjesë e debatit dhe natyrisht të miratohen, në mënyrë që t'i zgjidhim përfundimisht", tha të mërkurën deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli. Ai tha se partia e tij ka arritur tashmë një marrëveshje me Aleancën për shqiptarët për ndryshimet shtesë që planifikojnë të paraqesin në parlament këtë javë. Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka deklaruar nga ana tjetër se partia e tij dëshiron gjithashtu që në kushtetutën e Republikës Maqedonase të thuhet qartë se shqiptarët janë shtetformues dhe jo pakicë etnike.

Së bashku, dy parti opozitare kanë vetëm katër deputetë në parlamentin me 120 vende, por votat e tyre mund të jenë vendimtare gjatë raundeve të mëvonshme të votimit mbi marrëveshjen 'emrin'. Partia më e madhe  shqiptare në parlament, Bashkimi Demokratik për Integrimin, BDI, tha se nuk kishte ndërmend të rrezikonte procesin e "emrit" me kërkesa shtesë.

"Ne mendojmë se ky proces është një përparësi absolute. Kemi punuar 17 vjet për të arritur këtë pikë dhe ne nuk do ta rrezikojmë këtë proces me ndonjë kërkesë shtesë, "tha deputeti i BDI-së, Artan Grubi. Ai tha se është i bindur se të gjithë deputetët do ta kuptonin rëndësinë e situatës dhe se "të gjitha partitë shqiptare do të mbështesin dhe do të votojnë për përfundimin e suksesshëm të marrëveshjes së emrit".

Cilat janë kërkesat e partive shqiptare

Ziadin Sela dhe Ali Ahmeti

Dy partitë opozitare shqiptare kanë hartuar tanimë amendamentet përkatëse për ndryshimet kushtetuese që do të përmirësojnë pozitën juridike të shqiptarëve të Maqedonisë. Lëvizja Besa ta hartuar katër amendamente, nëpëemjet së cilave kërkon që shqiptarët të jenë shtetformues, që gjuha shqipe të përcaktohet si gjuhë zyrtare dhe të hiqet emërtimi si gjuhë që e flasin mbi 20 për qind e popullatës në vend. Gjithashtu lëvizja kërkon ndryshimin e nenit 49 të Kushtetutës që të mos ketë diskriminim në mbrojtjen e entiteteve tjera që jetojnë jashtë vendit si dhe ndryshimin e nenit 75 me qëllim që të gjendet mënyrë që kryetari i shtetit të mos bllokoj ligjet që miratohen në Kuvend.

“Propozimi për përdorimin e gjuhës shqipe është diçka që kërkohet vazhdimisht nga të gjitha subjektet politike shqiptare. Preambula duhet të ndryshojë në mënyrë që të jetë më afër realitetit shoqërorë të Maqedonisë”- u shpreh Zendeli,

Hartimi i amendamenteve për ndryshimet kushtetuese është paralajmëruar edhe nga Aleanca për Shqiptarët. Sela kërkon që amendamentet të mbështeten edhe nga partitë tjera me qëllim që të arrihet një kushtetutë e cila do të promovojë të drejtat e shqiptarëve të Maqedonisë.

“Plani dhe strategjia jonë është që amendamentet të kalojnë se bashku me ndryshimet e tjera kushtetuese. Kushtetua të promovojë të drejta dhe liri e jo t’i sanksionojë ato. Kjo është ideja e ASH-së sepse vetëm kështu ka kuptim anëtarësimi i vendit në NATO dhe BE” – thekson kryetari i Aleancës për Shqiptarët. Duke komentuar qëndrimin e BDI-së, ai shprehet se kryetari i saj, Ali Ahmetit është duke dalë kundër deklaratës së përbashkët, baza kryesore e të cilës është përkrahja e ndërsjellë për çështjet shqiptare.

“Unë natyrisht se nuk habitem nga veprimi i tyre politik, sepse i kam pasur vazhdimisht këto dyshime. Përgjigjen ata do ta marrin në popull” – u shpreh Sela.

“Ne jemi nënshkrues të Deklaratës së përbashkët, sipas të cilës gjuha shqipe duhet të jetë e barabartë, prandaj i ftoj partitë shqiptare që të japin kontributin e tyre së bashku me LSDM-në, e cila ka kërkuar gjithashtu votat e shqiptarëve në referendum”- theksoi nga ana tjetër Zendeli.

Bilall Kasami, kryetari i Lëvizjes Besa

Shfrytëzimi i kësaj mundësi për të drejtat e shqiptarëvë të Maqedonisë u paralajmërua dy muaj më parë nga Bilall Kasami në një intervistë për Gazetën Si. Ai shprehej se ratifikimi i marrëveshjes së emrit dhe hyrja e Maqedonisë në NATO, janë garancia e vetme e shqiptarëve për të luftuar dhe mbrojtur të drejtat e tyre dhe nëse referendumi kalon me sukses, do të shfrytëzonte momentin e ndryshimit të kushtetutës për të sjellë në vëmendje zyrtarizimin e gjuhës shqipe.

“Ka një paralelizëm të rëndësishëm, mes dy referendumeve më të mëdhenj që ka pasur Maqedonia, ai për pavarësi dhe referendumi ] për anëtarësimin në organizatat euroatlantike. Pasi bojkotuan referendumin e parë dhe i kanë pasur si “shpatë pas koke” akuzat se ishim kundër mëvetësimit të Maqedonisë, tanimë shqiptarët e kanë pjekurinë e duhur politike që përballë abstenimit të zgjedhim një alternative historike. Ky referendum ishte po aq i rrezikshëm për shqiptarët po aq sa edhe i pari, në dimensionin etnik, pasi ka të bëjë me dëshirën e shtetit maqedonas për të forcuar elementin homoetnik. Por këtë herë, shqiptarët po tregohen më të mençur, duke u bërë partnerë të komunitetin ndërkombëtar dhe faktorëve të rëndësishëm në Uashington dhe Bruksel, në drejtim të përkrahjes së integrimit të vendit në disa struktura që nesër mund t’i shfrytëzojmë për të arritur të drejtat tona. Edhe pse çështja e zgjidhjes së emrit dhe identitetit të Maqedonisë, nuk është në interes të drejtpërdrejtë të shqiptarëve, ne e përkrahëm për integrimin e vendit në BE dhe NATO. Mendoj se referendumi është një kauzë e përbashkët që do t’i bashkojë edhe më shumë shqiptarët dhe maqedonasit. Pas anëtarësimit në BE dhe NATO, maqedonasit do t’u jenë mirënjohës shqiptarëve që çuan përpara këtë kauzë. Dhe nëse referendumi kalon me sukses, ne do të shfrytëzojmë momentin e ndryshimit të kushtetutës për të sjellë në vëmendje zyrtarizimin e gjuhës shqipe”, deklaroi ai për gazetën.

Edhe pse Maqedonia ka hartuar një sërë ligjesh për diskriminimin dhe barazinë etnike, shqiptarët vazhdojnë të mbeten të paragjykuar. Të intervistuar nga “Alsat TV” një pjesë  e qytetarëve shqiptarë shprehen se nuk punësohen, se kanë të vështirë të përfaqësohen në Kuvend dhe se të rinjtë diskriminohen në pothuajse të gjitha institucionet. Kornizat kushtetuese dhe ligjore të Maqedonisë garantojnë një gamë të gjerë të të drejtave dhe lirive, por zbatimi i tyre dhe debatet mbi ligjin e diskriminimit kanë krijuar përçarje të mëdha politike. Pavarësisht përpjekjeve,zhvillimet e dy dekadave të fundit kanë prodhuar dy shoqëri paralele që bashkëjetojnë në të njëjtin vend por kanë shumë pak lidhje me njëra-tjetrën. Me zgjerimin e boshllëqeve etnike dhe shoqërore, qeveria maqedonase duhet të ndërhyje sa më parë për të lidhur fijet e komunikimit mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

Parlamenti maqedonas

Si do të vijojë procesi?

Parlamenti maqedonas kaloi të premten e kaluar fazën e parë të zbatimit të marrëveshjes së Prespës. Të gjithë deputetët e partive shqiptare votuan në favor të paktit mes Athinës dhe Shkupit, duke ndihmuar në arritjen e shumicës së nevojshme prej 80 deputetësh.  Por për të përfunduar procesin deri në fund të vitit, ligjvënësit  do të duhet të votojnë edhe në dy raunde të tjera.

Së pari ata do të duhet të kalojnë projekt-amendamentet e propozuara nga qeveria dhe pastaj, pas një debati publik, do të duhet të votojnë për herë të tretë dhe të fundit. Raundi i tretë i votimeve do të kërkojë sërish një shumicë prej dy të tretash.

Shqiptarët përbëjnë më shumë se një të katërtën e 2.1 milion qytetarëve të Maqedonisë.

 ështja e përmirësimit të të drejtave të shqiptarëve ka qënë një temë e nxehtë përgjatë vitit 2017.  Pavarësisht mosmarrëveshjeve mes partisë kryesore e opozitës VMRO DPMNE, presidenti t, LSDM-së dhe partive shqiptare, , parlamenti maqedonas ka miratuar tashmë një ligj që përcakton përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në të gjithë vendin. Megjithatë, ndryshimet e nevojshme kushtetuese nuk janë miratuar ende, ndërkohë që presidenti Ivanov refuzon të nënshkruajë ligjin për zyrtarizimin e gjuhës shqipe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë