Rend dhe Ligj

Begaj firmos shkarkimin e kreut të SHISH, Helidon Bendo, por Rama nuk e lë fare pa punë

Gazeta Si - Zyrtarizohet shkarkimi nga detyra i drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo, edhe pse kryeministri Edi Rama ka vendosur të mos e lërë pa punë.

Zyrtari i sigurisë u lirua nga detyra me kërkesë të kryeministrit Rama dhe u dekretua këtë të premte nga presidenti Bajram Begaj.

Duket se vendimi i shefit të qeverisë ka gjetur dakordësi me Begajn, përfshirë dhe emërimin e zv. drejtorit në krye të Shërbimit Informativ Olian Kanushi.

“Në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës, si dhe të nenit 5, paragrafit 2, të ligjit nr. 8391, datë 28.10.1998, “Për Shërbimin Informativ Kombëtar”, të ndryshuar, me propozim të Kryeministrit, dekretoj: Zoti Helidon Bendo, lirohet nga detyra e drejtorit të Shërbimit Informativ Kombëtar”, njoftoi Presidenca.

Megjithatë, kryeministri Edi Rama thotë se ai do të jetë në vijim këshilltar i kryeministrit për reformën e institucioneve të sigurisë, ndaj edhe ka dhënë dorëheqjen nga SHISH.

“Me Helidon Bendon, Drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit, i cili për arsye të vazhdimit të studimeve pasuniversitare në Kolegjin e Studimeve Ndërkombëtare e të Sigurisë, pranë Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara, ka dorëzuar dorëheqjen. Ai do të angazhohet në vijim si këshilltar i kryeministrit për reformën e institucioneve të sigurisë”, shkruan Rama në një postim në Fb.

Helidon Bendo u emërua në detyrën e Drejtorit të SHISH më 5 nëntor 2018. Bendo është një inspektor karriere, pasi iu bashkua shërbimit inteligjent në vitin 1995. Ai ka një eksperiencë të gjerë në detyra të ndryshme në Aparatin Qendror dhe bazë.

Bendo është diplomuar për matematikë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ka një master në studime për sigurinë, si dhe trajnime të ndryshme brenda e jashtë vendit. Ai është mbajtës i disa vlerësimeve profesionale për kontribut në fushën e sigurisë kombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë