Mendim

Zoti Spiun!

Nga Ilir Metaj*-Shumica nga ne në këtë sallë, e kemi jetuar komunizmin.

Dhe nga komunizmi dy plagë do i kemi në vetdije sa të jemi gjallë:

burgun politik dhe spiunët.

Sepse te njeriu dy gjëra nuk harrohen kurrë: dhimbja dhe turpi.

Dhimbja dhe turpi që la pas komunizmi ynë, ngjajnë me te tjerët, por në fakt janë unike.

Sepse, dhimbja ende nuk është kuruar mjaftueshëm dhe  turpi ende nuk është bllokuar mjaftueshëm.

Por ndërsa dhimbja do dojë kohë të lehtësohet nga ndërgjegja e këtij kombi, turpi duhet bllokuar sot dhe urgjent!

Spiunët e sigurimit, sidomos ata vullnetarë, që jo dhuna, por etja provinciale për karrierë dhe dominim, i bëri dashnorët perversë më të devotshëm të skutave të errëta të sigurimit të shtetit, janë ende mes nesh e ndoshta edhe mbi kokat tona.

Spiuni i sigurimit nuk është metaforë e një gjesti, e një dite, e një momenti dobësie.

Spiuni i sigurimit është një specie kancerogjene, e gatshme të shperndajë metastaza kudo ku bie në kontakt.

Sepse duhet shumë frustrim, duhet shumë kompleks, duhet shumë mllef i kultivuar prej vitesh e i bërë njësh me trupin e me shpirtin që të bëhesh spiun i shokut, i vëllait.

Dhe një ngjizje të tillë nuk ka purgator t’i bëjë derman.

Për një ngjizje të tillë ka vetëm një rrugë që ajo mos t’i bëjë më dëm vetes dhe gjithshkaje që e rrethon: bllokimi.

Izolimi nga cdo përcjellës me të cilin mund të shperndajë përsëri sëmundjen.

Izolimi pra, jo asgjësimi.

Ai ka të drejtë të jetojë jetën e tij, me të ngjashmit e tij e, po mundi, le të pershtatet e le të përmirësohet.

Po mundi.

Por asesi një spiun nuk mund të bëhet mentor, lider, përfaqësues.

Sepse e ka humbur të drejtën për të qenë i tillë qysh kur vendosi që, si skuth, të trokasë në atë derë të nxirrë sterrë.

Ka gabime në jetë që mund të ndreqen, sepse ka gabime që i sjell një moment, apo një dobësi.

Por ka faje që janë të thelbit të antinjeriut, dhe ato nuk mund të ndreqen.

Të paktën jo për shoqërinë. Ato janë faje që duhet t’i vuash, aq sa mund të ndjesh vuajtjen.

Dhe nëse vuajtjen arrin të ndjesh, diçka do  fitosh nga hiri i fisshëm i të vuajturit.

Nëse ke qenë spiun, sidomos vullnetar, por edhe i detyruar, më e pakta është që nuk mund të jesh model për t’u ndjekur nga shoqëria, qofte edhe formalisht.

Dhe të jesh deputet, president, kryepolitikan apo ministër do te thotë të jesh i zgjedhur nga shoqëria për model.

Do të thotë të kesh gjithë rrugët për të shpërndarë ende metastazat e të keqes në këtë popull.

Ajo kohe ka ikur!

Ti zoti spiun, jeto jetën tende, si individ në punë te vet. Kaq i detyrohesh shoqërisë.

Por,në fakt  jo.

Këta nuk e pranojnë tolerancën e viktimës!

Këta i kanë thirrur te gjithë  djajtë në ndihmë për të cuar deri në fund veprën e tyre!

Këta e kanë po njësoj të gjallë djallin brenda vetes, që ende i shtyn me devotshmëri drejt mëkatit!

Këta duan të marrin frutet e frustrimit!

Këta duan të vdesin në karrierën e dominantit të pushteteve!

Dhe djalli u ka mësuar ca truke, e truket ndoshta u kanë siguruar imunitet per 30 vjet të tjerë.

Jo zotërinj spiunë!

Nuk ka më kohë per ju!E vërteta vonon, por nuk harron.

Sot është ora e të vërtetës!

Sot është ora të thyejmë trukun e djallit e bashkë me të, të thyejmë turinjtë e atyre që kanë 30 vjet që hanë turpin me bukë.

Spiunët vullnetarë janë turpi i këtij populli, njolla më ndyrë e historisë se tij. Ata ishin arma në duart e atyre që u përpoqën të kontrollonin mendjen dhe jetën e shqiptareve të varfër, duke mos i lënë as të qanin në vuajtjen e vet.

Por ama është e pafalshme për këtë popull, që të lejojë që po këta, spiunët, të gjejnë ende shkallë per t’u kacavjerrë drejt pushteteve, madje atyre më sublime të këtij vendi.

Ky është turp mbi turpe për ndërgjegjen tonë.

*Fjala e mbajtur në seancën parlamentare për projektligjin “Për të Drejtën e Informimit për dokumentat e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë