Editorial

Hije(na)t e të kaluarës

Ekonomia bie, ngrihet sërish, por ligësia që këta persona injektojnë në të gjithë sistemin është e njëjtë në çdo kohë

Në Kuvendin e Shqipërisë po ridiskutohet për të shumtën herë çështja e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit në periudhën e komunizmit. Prej rënies së atij sistemi kanë kaluar gati 30 vjet dhe për shumë njerëz ajo periudhë është një kujtim i keq i largët.

Risjellja në vëmendje u bën pak ose aspak përshtypje, sepse kanë kaluar më shumë se tre dekada dhe sepse ata nuk duan ta kujtojnë më atë periudhë. Shumë të tjerë, janë rritur në një periudhë tjetër dhe nuk e njohin fare këtë aspekt të errët të historisë së Shqipërisë. Si të tillë, edhe këta nuk kanë më asnjë emocion në lidhje me të shkuarën e largët mes të cilës kanë kaluar vuajtje, frikë dhe terror prindërit e gjyshërit e tyre. E kanë dëgjuar, por nuk e imagjinojnë dot se çfarë ka qenë.

Të dy këto kategori do të duhet t’i lidhte me të kaluarën vetëm kujtesa dhe keqardhja për mijëra viktimat e Sigurimit të Shtetit, fatet e të cilëve priteshin një ditë të bukur, në një çast nga një Gaz 51 me inkuizitorët brenda, vetëm sepse ndoshta dikush që ata e kishin futur në shtëpi si mik, dikush të cilin e përshëndesnin çdo ditë si fqinj, dikush me të cilin kishin ndarë një fjalë më shumë se sa duhej, kishte raportuar të nesërmen në zyrat pa dritë të një një mekanizmi të errët që ushqehej me jetën e mijëra shqiptarëve.

Eshtë e habitshme se përse pas 30 vitesh dosjet po rikthehen sërish në debatin publik dhe sërish është e pakuptueshme për shumëkënd se si nuk i është dhënë zgjidhje këtij problemi në tre dekada, për të arritur sërish sot pas dy brezash që kanë lindur pas periudhës së komunizmit, të diskutojmë ende dosjet dhe bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit.

Kjo po ndodh sepse pas vitit 1990 nuk u mor asnjëherë seriozisht pastrimi i shoqërisë nga skorjet e së kaluarës. Inkuizitorët e djeshëm vazhduan të qëndronin në sistem, duke gjetur mënyra jo vetëm për të mbijetuar në demokraci, por edhe për të diktuar sërish jetën e qindra e mijëra shqiptarëve. Këta radhë jo më nën flamurin e luftës ndaj armikut të klasës, por të të persekutuarve dhe pishtarëve të demokracisë.

Këta që kishin marrë në qafë me ligësinë e tyre edhe shokët më të ngushtë, vazhduan dhe vazhdojnë të përgjojnë ende nga vrima e çelësit këdo që u del përpara në rrugën e tyre dhe u rrezikon pushtetin e uzurpuar për shkak të kalimit brenda natës nga xhelatë të komunizmit, në kasapë të tranzicionit.

Dikur këta njerëz i bënin biografinë të gjithë shoqërisë, ishin të fshehur në errësirën e sistemit më të egër komunist në Europë. Sot këta vazhdojnë të përgojojnë cilindo që nuk mendon si ata, që është në këndvështrimin e tyre të ngushtë pengesë e pushtetit dhe dallavereve të tyre të vogla në emër - na ruajt zoti - të parimeve.

Ironia është e thellë se vjen nga njerëz që parimet as nuk i kanë njohur ndonjëherë, si atëherë edhe tani. Ata duan që përmes të vetmes mënyrë që njohin, vëzhgimit, spiunimit, linçimit, informacionit, biografisë familjare dhe profesionale për këdo dhe për gjithçka, të mbajnë peng me dosje shpirtërat e njerëzve të lirë. Dhe përmes frikës e shantazhit, të vendosin për fatet e secilit prej nesh, ashtu si atëherë, edhe tani.

Këta njerëz e kanë kuptuar në atë sistem se duke u bërë të dobishëm për pushtetin duke shkelur mbi jetë njerëzish, pushteti ua kthente nderin duke i dhënë pushtet dhe ofiqe. Kjo mund të ishte e kuptueshme atëherë ndoshta, por kurrë jo tani. Jo me të njëjtët dinosaurë që dalin nga thellësia e një epoke që është mbyllur një herë e përgjithmonë, jo në Shqipëri, por në të gjithë botën.

E pra, këtu qëndron faji i politikës së 30 viteve që asnjëherë nuk ndriçoi realisht bodrumet e errëta ku këta inkuizitorë kanë bërë zullumet në komunizëm dhe vazhdojnë në rrëmojnë e rrënojnë jetën e njerëzve të thjeshtë ende edhe në këto 30 vite.

Nuk kanë ikur asnjëherë dhe nuk kanë për të ikur për sa kohë parimi "shërbeji pushtetit se pushteti do të të shërbejë ty" ka vlejtur edhe në këtë tranzicion të gjatë shqiptar. Këta njerëz janë kudo sot, por sot më shumë se dikur, i gjen edhe në nivele të larta të institucioneve.

Mbyllja e dosjeve të tyre me argumentimin se kemi të bëjmë me jetë njërëzish, është po aq kriminale sa veprimet e tyre në atë kohë dhe në këtë kohë. Nuk kemi të bëjmë me jetët e njerëzve që pas vitit 1990, edhe pse i kanë shërbyer për arsye nga më të ndryshmet sistemit të kaluar, janë tërhequr nga jeta publike dhe kanë parë jetën e tyre. Përkundrazi, kemi të bëjmë me ata që, si në komunizëm dhe në demokraci kanë vijuar të shohin jetën e të tjerëve, të fusin në sistem linçimin dhe ligësinë, të gjëmojnë nga pas, të gërmojnë në biografi dhe të marrin peng gjithë shoqërinë shqiptare. Këta njerëz përfaqësojnë rrezikun që vjen jo vetëm nga e shkuara, jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen.

Këta njerëz, krahas krizës ekonomike, krahas çmimeve dhe inflacionit, krahas të gjithë vështirësive të tjera, janë arsyeja që shumë shqiptarë ikin nga vendi. Sepse vërtetë në një moment të rinjtë nuk shohin të ardhme në kohë të vëshira sa i përket ekonomisë. Por, duke përfaqësuar një sistem kriminal të së shkuarës, këta inkuizitorë të mbijetuar në tranzicion po i largojnë shqiptarët sepse ua bëjnë jetën ferr si dikur në diktaturë, edhe në një rrafsh social. Ekonomia bie, ngrihet sërish, por ligësia që këta persona injektojnë në të gjithë sistemin është e njëjtë në çdo kohë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë