Nga Gazeta ‘Si’– Ashtu siç pritej, seanca plenare e së enjtes nisi me debate.
Deputetja e PD Ina Zhupa tha se Kuvendi po miraton me procedurë të përshpejtuar projektligje të panevojshme ndërsa nuk futet në rend dite kërkesa e ardhur nga Parlamenti Europian për të shfuqizuar ligjin për zonat e mbrojtura.
“E kanë trajtuar zhvillimin me konceptin: kur do Rama, kë do Rama, ku do Rama, si do Rama. Kjo nuk është as Siria europiane me të cilën keni bërë fushatën dhe as Shqipëria që duan shqiptarët. Ju keni një projektligj të datës 14 maj për shfuqizimin e ligjit të zonave të mbrojtura. Ishte një kërkesë e Parlamentit Europian. Është i vetmi projektligj në kalendar që nuk ka një datë se kur do të shqyrtohet.
Është një nga kërkesat e protestuesve për të mbrojtur zonat e mbrojtura, trashëgiminë natyrore dhe kulturore. Miratoni kalendar për gjëra të pavlera. Përgjigjjuni realitetit. Realiteti kërkon dorëheqjen e Edi Ramës, kërkon një qeveri tranzitore, një parlament që miraton shfuqizimin e ligjeve kundër interesit publik”, tha Zhupa.

Fjalës së saj, kreu i grupit parlamentar të PS iu referua si ‘Flamingo nga Temu’.
Balla theksoi se do të rrëzohen 4 projektligjet e sjella nga PD-së dhe se Shqipëria sipas tij nuk e ka luksin të humbasë një investim 4 miliardësh.
Duke iu referuar Berishës, Balla u shpreh se “bufi i madh” u shpreh pro investimit në Zvërnec dhe tashmë ndryshoi trajektore duke sjellë 4 projekt-ligje, që do të rrëzohen.
“Më pëlqen që keni disa ditë që ju zogjtë e bufit, ju duket vetja flamingo, ose keni filluar të silleni si flamingo. Bëni zhurmë sa të doni, vidheni edhe protestën po deshët, sa i përket 4 pr.ligjeve që keni sjellë ne jemi kundra dhe do t’i rrëzojmë ato, sepse jemi votuar për ta zhvilluar Shqipërinë. Ju një javë më parë dolët me bufin e madh dhe thatë që jeni pro investimit, tani kush është qëllimi i 4 pr.ligjeve? Jeni pro apo kundër investimit? Ne jemi pro investimit. Investimi do të bëhet, Shqipëria s’e ka luksin të humbi 4 miliardë. Kundër kujt sistemi jeni ju? Në një protestë ku thirret ‘Sali Berisha në burg’”, ishte pyetja që u drejtoi të djathëve, sa i takon kundërshtive që ka tanimë Partia Demokratike për projektin e Zvërnecit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje