Politike

Balla-Shehajt: Ti s’ke hallin e protestës por të pronave të fisit tënd në Vlorë

Nga Gazeta ‘Si’- Nga salla e Parlamentit, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla lëshoi një seri akuzash të drejtpërdrejta ndaj kreut të partisë Mundësia Agron Shehaj, duke e cilësuar atë “hajdut”, “gjobaxhi” dhe person të dënuar për vjedhje të të dhënave personale.

Kreu i grupit socialist tha se Shehaj ka përvetësuar listën e anëtarësisë së Partisë Demokratike dhe e sfidoi publikisht të japë shpjegime për këtë çështje.

“Ti je një hajdut. I vodhe Partisë Demokratike listën e anëtarësisë. Je një hajdut të dhënash personale, je një gjobaxhi. Ktheji Partisë Demokratike listën e të dhënave personale që i ke vjedhur”, deklaroi Balla gjatë fjalës së tij.

Socialisti akuzoi gjithashtu Shehajn se po përpiqet të përdorë politikisht protestën kundër projektit në Zvërnec, duke pretenduar se lëvizja qytetare nuk ka lidhje me të dhe me forcën politike që ai drejton.

Ai deklaroi se shqetësimi real i Agron Shehajt nuk lidhet me investimin, por sipas Ballës me çështje pronësie në zonën e Vlorës.

Sipas Ballës, një i afërm i Shehajt, rezulton i përfshirë në hetimet që lidhen me pretendimet për manipulim pronash.

“Ky Agron Shehaj që bërtet nuk e ka hallin te protesta. Halli i tij është Agim Shehaj. E di gjithë Vlora sa tokë ka Agim Shehaj. Të sfidoj, dalim nga kjo sallë dhe shkojmë bashkë në Vlorë për t’ua shpjeguar qytetarëve problemet që keni me pronat”, u shpreh Balla.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së shpotiti Shehajn duke i thënë se ish-kreu i PD, Lulzim Basha mund të bëhet i penduar edhe mund të tregojë se sa e pagoi ai që të futej në listën e partisë disa vjet më parë.

Shehaj mohoi akuzat, ndërsa iu drejtua me tone të ashpra Ballës duke i thënë se do të përfundojë në burg.

“Zbatoni ligjet e Kushtetutën. I shihni njerëzit që kanë dalë apo jo. Ju kalojnë afër shtëpisë apo jo. Janë me dhjetëra mijëra, del Taulanti dhe i tall. Keni shitur Shqipërinë dhe interesin e shqiptarëve në 35 vite, kanë dalë në shesh shqiptarët. Kuvendi duhet të shkrihet nuk ju duan më njerëzit duhet të vijnë t’ju marrin zvarrë. Taulant kujdes kur kalon afër koshit të plehrave se mund të të marrin e t’ju fusin atje siç kanë bërë në vende të tjera. Do të mbahet mend si qershori i protestave. Mjaft i injoruat dhe ua nxitë jetën qytetarëve. Kur populli ngrihet duhet të shkohet në zgjedhje”, tha Shehaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë