Bota

Ndalimi i mishit të pulës nga Brazili: BE e shtyn vendimin, pavarësisht auditimit pozitiv

27 shtete anëtare të BE-së kanë shtyrë votimin për heqjen e ndalimit të importeve të mishit të pulës nga Brazili, pasi disa vende kërkuan sqarime të mëtejshme nga Komisioni Evropian lidhur me përputhshmërinë e Brazilit me rregulloret e BE-së për substancat antimikrobike.

Votimi ishte planifikuar pasi, në muajin shtator, BE-ja ndaloi importet e mishit nga Brazili, për shkak të përdorimit të substancave antimikrobike nga ky vend për të stimuluar rritjen e kafshëve.

Ky ndalim shkaktoi pakënaqësi në Brazilia, pasi erdhi vetëm pak muaj pasi marrëveshja tregtare e diskutueshme “Mercosur” me vendet e Amerikës Latine hyri në fuqi në mënyrë të përkohshme, duke hapur tregun për produkte bujqësore, përfshirë mishin brazilian.

“Disa shtete anëtare kërkuan sqarime të mëtejshme mbi sistemin e vendosur nga Brazili,” deklaroi zëdhënësja e Komisionit, Eva Hrncirova. Ajo shtoi se Komisioni tani do të “gjejë kohën për t’i shqyrtuar këto komente dhe pyetje” përpara një takimi të ri që do të mbahet në fillim të dhjetorit.

Ndalimi, i cili pasoi një votim nga ekspertë kombëtarë në muajin maj, përfshin mishin e gjedhit, shpendët, vezët dhe mjaltin. Megjithatë, një auditim i BE-së në fillim të shtatorit zbuloi se sistemi i kontrollit të shpendëve në Brazil funksiononte në mënyrë efektive.

Importet e mishit brazilian mbeten një çështje përçarëse midis vendeve të BE-së; disa shtete, të udhëhequra nga Franca, e kundërshtojnë fuqimisht marrëveshjen “Mercosur”, e cila u nënshkrua në janar të këtij viti.

Fermerët e BE-së kanë frikë se do të përballen me “dampin” (shitjen e produkteve me çmime nën koston e prodhimit), për shkak të standardeve më të ulëta të prodhimit në vendet që nënshkruan marrëveshjen, Argjentina, Brazili, Paraguai dhe Uruguai, veçanërisht në lidhje me rregullat shëndetësore dhe fitosanitare.

Për të adresuar shqetësimet e fermerëve, marrëveshja përfshin kuota që kufizojnë qasjen pa tarifa për produkte bujqësore të ndjeshme. Importet vjetore të mishit të gjedhit janë kufizuar në 99,000 tonë me një tarifë të reduktuar prej 7.5% (që barazohet me 1.5% të prodhimit të BE-së), ndërsa importet e mishit të shpendëve janë kufizuar në 180,000 tonë në vit (ose 1.3% të prodhimit të BE-së).

Megjithatë, ratifikimi i marrëveshjes është shtyrë, pasi Parlamenti Evropian ia ka referuar atë Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian, duke vënë në dyshim ligjshmërinë e saj. I përballur me presionin nga vendet e Mercosur dhe shtetet anëtare të BE-së që mbështesin marrëveshjen, veçanërisht Spanja dhe Gjermania, Komisioni Evropian vendosi përfundimisht në maj ta zbatojë përkohësisht marrëveshjen në pritje të një vendimi nga gjyqtarët e BE-së mbi ligjshmërinë e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë