Sport

Zgjedhjet në KOKSH, Duka: Politizim i hapur, ka tentativa për manipulim

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, kundërshton fort zhvillimin e zgjedhjeve për president të Komitetit Olimpik Shqiptar (KOKSH) një javë para zgjedhjeve politike në vend. Me anë të një letre publike ai bën të ditur se kemi të bëjmë me një politizim të hapur të këtyre zgjedhjeve, kur kandidat të president është deputeti Fidel Ylli, edhe pse nuk ia përmend emrin.

Duka shprehet gjithashtu se ka tentativa për manipulim të zgjedhjeve me ndryshim të votuesve dhe këtu ai sjell në vëmendje përjashtim e 23 fedaratave nga votimi nga një komision anonim, siç e quan ai.

Armand Duka, president i FSHF. Gazeta Si, 11 prill 2021

Një javë para datës së zgjedhjeve në KOKSH duket se situata është nxehur shumë. Në fakt, nga komisioni që përmend presidenti i FSHF-së është mohuar përjashtimi i 23 federatave dhe është sqaruar se ato thjesht kanë mangësi në dokumentacion. Gjasat janë që këto federata të votojnë më 17 prill. Duka, kohët e fundit veçanërisht, e ka ngritur fort zërin kundër KOKSH-it.

Letra e Dukës
Federata Shqiptare e Futbollit shpreh shqetësimin e saj për situatën e krijuar në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar përpara asamblesë zgjedhore. Caktimi i datës së zhvillimit të saj në kulmin e fushatës së zgjedhjeve politike, vetëm 7 ditë përpara datës 25 prill, është një veprim që synon të ndikojë politikisht në rezultatin e tyre.

Ne e kemi kundërshtuar përfshirjen në kandidim për president të një deputeti që synon të zgjidhet përsëri në listën e PS. Ky është një politizim i hapur dhe shumë i dëmshëm për një organizatë sportive, që në statutin e saj përcaktohet si apolitike. Është e qartë që edhe vetëm kandidimi i një personi me pozicionim të qartë partiak është një faj i rëndë.

Opinioni sportiv është njohur me tentativën e një komisioni anonim, që kërkon të ndikojë në procesin zgjedhor, duke përjashtuar nga kandidimi dhe votimi individë dhe 23 federata anëtare të KOKSH. Kjo është një tentativë jo statutore që synon të ndryshojë votuesit dhe listën e kandidatëve për t’i hapur rrugë manipulimit të zgjedhjeve.

FSHF dëshiron t’i bëj të qartë iniciatorëve të këtyre veprimeve se, nëse vazhdojnë me këto veprime, do të kallzohen penalisht në gjykatë. FSHF i fton të gjithë anëtarët e KOKSH që të përdorin të drejtën e tyre të votimit për të ndryshuar historinë e deritanishme të kësaj organizate dhe për ta rikthyer atë në rrugën e ligjshmërisë.

Nëse dikush mendon se mund të përdorë presionin politik mbi anëtarët e Asamblesë, apo se mund të manipulojë zgjedhjet, atëherë le të bëhemi bashkë për të treguar forcën dhe vullnetin tonë në dobi të sportit dhe drejtësisë. KOKSH është organizata jonë dhe jo e atyre që e kanë marrë peng politikisht dhe duan të vazhdojnë ta mbajnë peng edhe në të ardhmen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë