Shkencë

Zbulohet miniera 11 mijë vjeçare në shpellat nënujore të Meksikës

Në pranverën e 2017-s, një grup zhytësish notuan varg jo pa vështirësi mes një shtegu në shpellat e mbushura me ujë të Gadishullit Jukatan në Meksikë. Pasi kishin notuar për 700-800 metra në sistemin e shpellave grupi i zhytësve u gjend para një porte me diametër jo më shumë se 70 centimetra.

“Ishte një portal për në një botë tjetër”, kujton Sam Meacham, pjesë e ekspeditës dhe drejtor i Qendrës Kërkimore “Quintana Roo Aquifer System”.

Në dhomën që shfaqej menjëherë pas kalimit përmes kësaj parte ishte një skenë antike e ruajtur në detaje; një minierë 11 mijëvjeçare e nxjerrjes së pigmentit të okrës, e ku dalloheshin lehtësisht ende mjetet e punës dhe vatrat e zjarrit. Zbulimi, siç përshkruhet në një studim të publikuar së fundmi në revistën “Science Advances”, e bën këtë zonë një prej të paktave zona arkeologjike që tregon se ku dhe si njerëzit antikë nxirrnin nga nëntoka pigmente që përdoreshin për një mori funksionesh, që nga ritet e vdekjes, pikturat nëpër shpella e deri si mbrojtës ndaj rrezeve të diellit.

“Kam shpenzuar shumë kohë duke imagjinuar rrugë të ndryshme sesi ia kanë dalë mbanë njerëzit për mijëra e mijëra vite që të nxjerrin pigmente të mineraleve. Por, të jesh dëshmitar i një prej këtyre zonave ku nxirreshin këto pigmente dhe të ruajtur në këtë gjendje është fantastike”, thotë Brandi MacDonald, arkeolog i Universitetit të Misurit dhe autor i studimit në fjalë.

Përveç kësaj, zbulimi ofron një pamje të rrallë mbi jetën e rezidentëve të parë të Amerikës, që jetonin në Jukatan mijëra vite para lindjes së qytetërimit Maja. Një prej këtyre banorëve të hershëm ishte një vajzë, që arkeologët e kanë quajtur Naia, e cila me shumë mundësi është rrëzuar dhe ka humbur jetën rreth 13 mijë vite më parë në një shpellë pranë shpellës së sapozbuluar. Të paktën 9 trupa të tjerë antikë janë identifikuar në sistemin e shpellava Quintana Roo. Mbetjet e tyre janë ruajtur për mijëra vite nga përmbytja e shpellave, rreth 8 mijë vite më parë.

Megjithatë, debati shkencor është se çfarë bënin njerëzit e lashtë kaq thellë nëntokë. Varrosnin të vdekurit? Kërkonin burime ujore të freskëta?

“Tani ne kemi me të vërtetë një provë të fortë që të vërtetojmë se njëra prej arsyeve se përse njerëzit e lashtë zbrisnin kaq thellë nëntokë ishte edhe arsyeja e nxjerrjes së okrës”, thotë Roberto Junco Institutit të Arkeologjisë Nënujore në Meksikë.

Sipërmarrje në errësirë

Zbulimi i minierës ishte një rastësi. Fred Davos dhe Sam Meacham ishin duke shoqëruar një grup studentësh nëpër sistemin e shpellave, kur vunë re tunelin që nuk mbanin mend ta kishin shkelur ndonjëherë. Ata vendosën që të riktheheshin për ta zbuluar dhe në fund të udhëtimit mbetën të mahnitur nga ajo që panë.

Miniera është si një kapsulë, ku koha është ndaluar 8 mijë vite më parë. Në shesh gjen gurë stalaktidesh dhe stalakmidesh që janë përdorur si varre e çekiçë për të gërmuar. Gjendet gjithashtu edhe gjurmët e zjarrit nëpër shkëmbinj dhe shenjat e vatrave të tyre, si dhe pirgje të vogla me gurë ende në këmbë, që u tregonin minatorëve rrugën e daljes.

“Unë dhe Fred nisëm të pyesim njeri-tjetrin. Menduam që nuk ishte normale dhe as natyrale. Nuk kishte asnjë mënyrë tjetër përveçse dorës së njeriut”, thotë Sam Meacham.

Fred Devos kontaktoi me Eduard Reinhardt, një prej gjeoarkeologëve ndërkombëtarë më me emër. Reinhardt fillimisht ishte skeptik. Megjithatë, kureshtja e shtyu drejt Meksikës për ta parë vetë nga afër minierën e zbuluar. “Miniera është fenomenale, fantastike”, thotë ai.

Ajo që e bën më interesante është se miniera nuk ishte e kufizuar vetëm në një shpellë. Meacham thotë se gjatë zhytjeve të mëparshme kishin vënë re gjëra të çuditshme, si gurë apo struktura që me vështirësi e besonin se ishin vepër e natyrës. Megjithatë, Reinhardt thotë se dyshimi ishte i bazuar, pasi përgjatë një viti janë me qindra zhytës që vizitojnë këto shpella dhe shkencëtarët e kishin të vështirë të ndanin nëse shenjat që zbulonin gjatë ekspeditave ishin nga aktiviteti antik, apo aktiviteti modern njerëzor.

Por, tani me zbulimin e minierës gjërat kanë ndryshuar. Shkencëtarët kanë qenë në gjendje që të provojnë se edhe dy zona të tjera, rreth 33 kilometra larg minierës së zbuluar janë shfrytëzuar sërish për të njëjtën gjë. Nga analizat me radiokarbon, shkencëtarët kanë arritur që të zbulojnë se minierat janë përdorur 10 deri në 12 mijë vite më parë.

“Nuk bëhet fjalë për një rast të izoluar. Bëhet fjalë për një program aktiv për të gjetur, nxjerrë dhe zhvilluar okrën dhe padyshim që duhet të ketë edhe zona të tjera”, thotë Reinhardt.

Ndërlidhjet shumëngjyrëshe

Grupi i shkencëtarëve fillestarë kërkoi ndihmën e kolegëve të tjerë dhe misione të shumta pasuan në zonë, me 100 ekspedita me mbi 600 orë nën ujë, skuadrat e zhytësve regjistruan me video, morën mostra dhe fotografuan zonën në mënyrë që të arrijnë të ndërtojnë një model tredimensional të minierës. Analizat e deritanishme sugjerojnë se bëhet fjalë për një ekspeditë të mirëorganizuar dhe planifikuar nga gjenerata njerëzish për dy mijë vite me radhë.

Nga analiza e gjurmëve të zjarrit kuptohet që 11 mijë vite më parë njerëzit përdornin dru me përmbajtje të fortë rrëshire, që me gjasë është përzgjedhur për aftësinë për të krijuar flakë të madhe, që përkthehej në më shumë dritë, por edhe sepse digjet më ngadalë.

Zona tregon gjithashtu edhe metodologjinë e përdorur për nxjerrjen e okrës. Minatorët hapnin gropa, që më pas i mbushnin me ujë dhe duke shfrytëzuar presionin e tij nxirrnin në sipërfaqe okrën. “Ata kuptonin disa parime bazë të gërmimit në miniera, parime që ishin kodifikuar, apo formalizuar deri në mes të viteve 1600”, thotë Barry Rock nga Universiteti i Nju Hempshajër.

Shkencëtarët besojnë se përdorimi kryesor i okrës së zbuluar lidhej me arsye fetare, kryesisht për të ngjyrosur të vdekurit.

“Shpellat prodhojnë të gjitha llojët e të mirave dhe të këqijave. Janë ndoshta vendet më të shenjta të natyrës”, thotë Holley Moyes nga Universiteti i Kalifornisë.

Okra ishte një përbërës i shenjtë edhe në kulturën e majave dhe të aztekëve në Amerikë, por edhe për kulturat e tjera indigjene. Gjithashtu, ajo përdoret ende sot nga indigjienët në Brazil dhe Australi, si mjet ritual, antimushkonjë, apo edhe për t’u mbrojtur nga djegiet e diellit.

Burimi: National Geographic. Përshtati në shqip: Gazeta "Si"

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë