Rend dhe Ligj

Zaganjori si Dedja, ONM rekomandon rihapjen e vettingut

Për trupën me tre anëtarë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit deklaratat e kreut të Gjykatës së Lartë për burimin e pasurive të tij ishin bindëse dhe më 24 korrik vendosi konfirmimin e tij në sistemin e drejtësisë.

Por, për ndërkombëtarët çështja nuk ka përfunduar. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, një organ që asiston institucionet e vettingut në procesin e rivlerësimit, por që nuk ka fuqi vendimmarrëse u ka rekomanduar Komisionerëve Publikë që të ankimojnë rastin e kreut të Gjykatës së Lartë.

Rekomandimi është dorëzuar në tavolinën e komisionerëve publikë ditën e hënë më 6 gusht. Sipas zyrës së Komisionerit Publik kërkesa e ndërkombëtarëve do të shqyrtohet, pasi të merret njoftimi zyrtar nga KPK për vendimin e dhënë ndaj Zaganjorit.

Sipas ligjit, Komisioneri Publik ka afat 15 ditë nga marrja e njoftimit zyrtar nga KPK për të ankimuar vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Gjatë seancës dëgjimore, Xhezair Zaganjorit iu vendosën në pikëpyetje burimet dhe ligjshmëria e të ardhurave të siguruara ndër vite, sidomos të atyre para vitit 2003, vit kur nisi për herë të parë edhe deklarimi i pasurive të zyrtarëve të lartë dhe gjyqtarëve.

Gjyqtari, që në vitet ’90 ka mbajtur postin e Ambasadorit të Shqipërisë në Gjermani u mbrojt duke deklaruar se e kishte të pamundur që të siguronte dokumentacionin e të gjitha të ardhurave të përfituara nga ai dhe bashkëshortja e tij në kohën që bashkëpunonte me Institutin Max Planck në Gjermani.

“Vetëm për vitet ’98-’99 kam marrë gjithsej 94 mijë e 600 marka”, deklaroi Xhezair Zaganjori.

Problemet e gjetura në seancën dëgjimore lidheshin edhe me pasuritë e paluajtshme që zotërohen nga familja Zaganjori, një apartament 293 metra katrorë në rrugën “Dedë Gjo Luli” në Tiranë, një dyqan i deklaruar si bibliotekë, një bodrum 65 metra katrorë dhe një zyrë prej 15 metrash katrorë, të cilat ndodhen në të njëjtën godinë të ndërtuar mbi tokën e gjyshit të bashkëshortes së tij.

KPK thotë se për këto prona ka kontrata fiktive më qëllim shmangien e taksave. Por, gjyqtari u mbrojt se pasuritë e mësipërme ishin ndërtuar në vitin 1997 me kontributin e të gjithë familjarëve në truallin e gjyshit të bashkëshortes së tij dhe se qëllimi i kontratave nuk ishte blerja, por futja e tyre në qarkullimin civil.

Ky është rasti i dytë kur ndërkombëtarët ndërhyjnë me rekomandim për apelim në KPA duke mos u pajtuar me vendimet e KPK-së. Në rastin e parë, ONM kërkoi nga Komisioneri Publik ankimimin e vendimit që konfirmonte kreun e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë