Futboll

“Xhevahiret” e zbuluar nga Igli Tare dhe rilindja e Lacios

Nga Fatjon Rupi – Sergej Milinkoviç-Saviç nuk e njihte askush para se Igli Tare të vendoste ta blinte për rreth 14 milionë euro në total nga Genku në Belgjikë. Vetë drejtori sportiv i Lacios e konsideron blerjen më të zgjuar, apo zbulimin më të madh të tij mes shumë e shumë “xhevahireve” që i ka sjellë Lacios, duke ndikuar drejtpërdrejt në konsolidimin financiar të klubit. Nuk ka vend për diskutim, sepse faktet flasin qartë. Milinkoviç-Saviç kërkohet nga klubet më të madhe europiane, Juventusi, Reali i Madridit dhe Mançester Junajtid, për shifrën e 110 milionë eurove. Tare dhe Lotito pretendojnë më shumë dhe po mendohen të rezistojnë. Por nuk është kjo e vetmja blerje e bujshme e Tares, i cili, falë punës së jashtëzakonshme që ka bërë dhe intuitës së tij për të zbuluar talente, e ka rregulluar ndjeshëm bilancin e Lacios, duke sjellë në arkat e klubit miliona euro, por edhe duke e ngritur Lacion në vendet e para, pjesëmarrës në Kupat e Europës.

Lojtarët e Lacios janë ndër më të kërkuarit në treg. Gjatë aktivizimit me këtë ekip ata janë rritur profesionalisht dhe rrjedhimisht shumë prej tyre janë shitur në klube të mëdha me shumëfishin e vlerës së blerjes. Aktualisht, disa lojtarë të klubit bardhekaltër janë në fokusin e klubeve të mëdha. Në 10 vitet që Tare mban postin e drejtorit sportiv të Lacios, skuadra është rritur shumë në aspektin sportiv dhe financiar, ndërsa në aspektin personal gjithçka është shpërblyer për Iglin me disa çmime prestigjioze të akorduara për të, siç janë “Drejtori më i mirë sportiv i 2017-ës” në Itali dhe “Scouting Leader”.

Igli Tare nderohet me çmimin “Drejtori më i mirë sportiv i 2017-s”

Igli Tare ka mënyrën e vetë të punës dhe i qëndron besnik asaj. Që në verën e 2008-s, kur presidentit Lotito – një person shumë i vështirë në marrëdhëniet me punonjësit e tij – i besoi postin drejtues, Tare ka punuar fort, duke i ndjekur lojtarët vetë nëpër ndeshje zyrtare, pasi i kishte studiuar mirë në “Instat Scout”. Pa zhurmë ai ka arritur të bindë të bashkohen me Lacion edhe lojtarë që kërkoheshin nga gjithë Europa, ku vlen të përmenden braziliani Hernanes, holandezi De Vraj, apo dhe veterani gjerman Mirosllav Klose, i cili erdhi nga Bajerni i Mynihut vetëm prej Tares. Ndonjë gabim sigurisht që e ka bërë edhe shqiptari, por bilanci total është mjaft pozitiv dhe për këtë arsye së fundi ka pasur interes edhe nga Milani për të. Është ndër më të zotët, pse jo më i zoti, në Itali. “Punoj në hije, sepse zërat e merkatos prishin punë në tratativa dhe ndikojë në rritjen e çmimit të lojtarit. Kemi krijuar një “mur”, ndoshta pak të lartë, për këtë arsye”, – ka shpjeguar shpesh Tare në intervistat e tij, kur është pyetur për sekretet e punës së tij. Enriko Alavena është një nga bashkëpunëtorët e tij më të mirë. Ai përgatit videot për lojtarët që janë objektiv i merkatos dhe më pas konkretizohen blerjet, në sekret të plotë.

Milinkoviç-Saviç, blerja më e madhe e Tares

Igli Tare ka sjellë te Lacio lojtarë si Hernanes, Keita Balde, Stefan De Vrij, Luis Alberto, Felipe Anderson, Mirosllav Klose, Antonio Kandreva, Senad Luliç, Sergej Milinkoviç-Saviç, Adam Marusiç, Thomas Strakosha e të tjerë. Shumë prej tyre janë shitur me shifra të larta, disa të tjerë presin të shiten, ndërsa Igli vazhdon të punojë me të njëjtin ritëm për të gjetur të tjerë “xhevahire”. Ndoshta “pengu” i tij më i madh është rinovimi i munguar i mbrojtësit holandez Stefan De Vraj, tashmë lojtar i Interit, ku kaloi me parametra zero. Tare e bleu pas Botërorit “Brazil 2014”, kur holandezi rezultoi një nga mbrojtësit më të mirë dhe nëse do të kishte rinovuar disa muaj më parë, Interi duhej të paguante të paktën 40 milionë euro për ta marrë. Blerjet që kanë sjellë më shumë fitime janë ato të Keita Balde, Hernanes dhe Kandreva, ndërsa Milinkoviç-Saviç pritet të thyejë çdo rekord. Edhe këtë verë Igli ka bërë shumë blerje, në ndonjë rast duke mposhtur edhe konkurrencën me klube të njohura, siç është rasti i kroatit Milan Badelj, i cili ka firmosur për Lacion.

Disa nga goditjet më të bujshme të Tares

Interesant është rasti i Keita Balde, të cilin Tare e “peshkoi” që në moshën 16-vjeçare nga të rinjtë e Barcelonës dhe e mori pa kosto. Një goditje e madhe, pasi pak vite më pas sulmuesi u shit rreth 30 milionë euro te Monako. Miqësia me shokun e Kombëtares, Foto Strakoshën, ishte vendimtar për afrimin e portierit Thomas Strakosha në vitin 2012. Për të interesohej në atë kohë edhe Sabatini i Romës, por Tare e rrëmbeu me kosto 0 dhe sot Thomas është një ndër portierët më të mirë të Serisë A. Liverpuli dhe Bajer Liverkusen kanë treguar interes konkret për të, duke ofruar deri në 30 milionë euro.

Lacio dhe shqiptarët

Ndikimi i Igli Tares ka qenë i madh në lidhje me afrimin te Lacio të disa futbollistëve shqiptarë. Thomas Strakosha është titullar i padiskutueshëm i Lacios, ndërkohë që më parë në klubin bardhekaltër janë aktivizuar portieri tjetër kuqezi, Etrit Berisha dhe ish-kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana. Këtë verë te Lacio janë afruar edhe dy lojtarë të tjerë me origjinë shqiptare, Valon Berisha, i cili luan për Kosovën, dhe Riza Durmishi që ka luajtur me kombëtaren e Danimarkës. Falë ndihmës së Tares, ka edhe të tjerë shqiptarë që janë pjesë e ekipeve zinxhir të Lacios.

Thomas Strakosha, portieri shqiptar i Lacios

Kush është Igli Tare

Sulmuesi shtatlartë, një pikë referimi në kohën që ka luajtur me Kombëtaren, ka dalë nga të rinjtë e Partizanit dhe ka debutuar në futbollin profesionist në sezonin 1993-1994. Më pas kaloi në Gjermani, fillimisht te Valdhof Manheim dhe në vazhdim me Ludvigshafen, Karlsruhen, Fortuna Duseldorfin dhe Kaizerslauternin. Me këtë të fundit bëri edhe kapërcimin e madh në karrierë, teksa në sezonin 2001-2002 u transferua në Serinë A, te Breshia, ku luajti me lojtarë si Roberto Baxho dhe Luka Toni. Te Breshia u njoh me trajnerin Karlo Macone, i cili u bë një admirues i lojtarit shqiptar dhe e mori me vete te Bolonja, ku Tare shënoi 11 gola në 2 sezone. Në vitin 2005 kaloi te Lacio, ku nisi një etapë e re në karrierën e tij, jo për tre vitet si futbollist (4 gola), por për rolin drejtues në klub. Më 20 prill të 2009-s është diplomuar në Koverçiano si drejtor sportiv, duke u bërë krahu i djathtë i presidentit të Lacios, Klaudio Lotito.

Igli Tare gjatë ndeshjes me Rusinë

Igli Tare numëron 68 ndeshje me fanellën e Kombëtares së Shqipërisë. Ka shënuar 10 gola me fanellën kuqezi dhe në listën e shënuesve më të mirë është i shtati. Në vitin 1997 ka shënuar në humbjen 3-4 ndaj Gjermanisë, në ndeshjen për kualifikueset e “Francë 1998”. Në kualifikueset për Botërorin e 2006-ës shënoi një dygolësh në ndeshjen me Gjeorgjinë, ku kuqezinjtë fitua 3-2. Në listën e shënuesve të Shqipërisë vjen pas Sokol Kushtës, Erjon Bogdanit, Alban Bushit, Ervin Skelës, Altin Rrakllit, Hamdi Salihit dhe Armando Sadikut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë