Ekonomi

Xhepa: Pse zhvillimi s’duhet mbështetur te borxhet e shtuara publike

Sabina Veizaj - Teksa konferenca e donatorëve përfundoi me sukses, përpos entuziazmit fillestar dhe ende pa u shpallur linjat e programit të qeverisë për rindërtimin, janë shtuar zërat e shqetësuar në lidhje me huatë e ofruara nga ajo konferencë.

Shumë syresh u merakosën se buxheti nuk ka hapësirë fiskale për të përdorur huatë e të tjerë do të sugjeronin qeverinë për maturi në lidhje me këto donacione.

Por në fakt, borxhi publik është një shqetësim për ekonominë shqiptare, i kritikuar edhe nga organizmat ndërkombtëare të cilat në raportet e tyre periodike kanë sugjeruar uljen e tij dhe kujdes për kontratat me Partneritet Publik Privat.

Fondi Monetar Ndërkombëtar klasifikon si vende me rrezik të lartë për kriza të mundshme borxhi vendet në zhvillim, që kanë një borxh mbi 60% të PBB-së dhe që duhet të rifinancojnë mbi 30% të borxhit brenda një viti. Shqipëria i tejkalon të dy këto kritere.

Gjatë diksutimeve për projektbuxhetin 2020 Ministria e Financave do të deklaronte se 2019-ta do të mbyllej me një borxh 64% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe 2020 me një borxh prej 62% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Historia tregon se Shqipëria ka ndjekur një politikë ku mbështetjen e zhvillimit ekonomik e ka bërë përmes borxheve të shtuara publike.

Dhe në vitet e fundit kjo politikë është argumentuar me fjalinë: “Nuk mund të presim sa vendi të ketë burimet e duhura për të investuar për zhvillimin. Meqenëse sektori privat dhe bankat kanë para, le të investojmë që tani dhe t'i shlyejmë pastaj me kohë”.

Por a është rritja ekonomike përmes borxheve një rritje e shëndetshme dhe e qëndrueshme?
Eksperti në fushën e ekonomisë dhe financave publike Selami Xhepa mendon që jo.
Në botimin e kryer nga fondacioni FRIEDRICH-EBERT-STIFTUNG me titull “Sfidat e Zhvillimit Ekonomik në Shqipëri”, eksperti Xhepa shpjegon pse mbështetja e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë në hua është një rrezik për zhvillimim afatgjatë.

Modeli i mirëqenies përmes borxheve, thotë Xhepa, kur përdoret në mënyrë të moderuar dhe të kujdesshme, është provuar se ka shërbyer si një bekim për shoqëritë; por kur është tepruar dhe kur vendet apo familjet janë përfshirë në huamarrje ekstensive, është provuar se kjo aventurë ka qenë me pasoja serioze ekonomike dhe sociale.

“Në fund të vitit 2018 borxhi publik i vendit shënoi shifrën prej 8.9 miliardë euro ose 67% të PBB-së, sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Financave. Kjo shifër është kontestuar nga raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili, sipas legjislacionit në fuqi, ka detyrimin ligjor të çertifikojë të dhënat e buxhetit të shtetit. Mosmarrëveshje ekzistojnë edhe për kontabilizimin e detyrimeve të marra përsipër nga buxheti nga kontratat e partneritit publik privat, të cilat kapin një shifër të prokuruar në vlerën e rreth 2 miliardë euro, por që, në procesin e realizimit, me shumë gjasa, bazuar dhe në eksperiencën e vendeve të tjera, do të rezultojë me një shtesë në kufijtë e 20% të shumës bazë.”- sqaron Xhepa.

Selami Xhepa, ekspert i ekonomisë, financave publike

Sipas tij, krizat e borxheve, jo vetëm se zhbëjnë progresin e arritur, duke mbjellë dëshpërim ekonomik dhe social (studimet tregojnë se vendeve në kriza borxhesh iu duhet më shumë se një dekadë që të rikuperohen nga pasojat negative të saj), por edhe shoqërohen me një proces të rishpërndarjes së të ardhurave, duke thelluar edhe më shumë pabarazinë në të ardhura. Duke qenë tashmë një përvojë e provuar në pasojat e saj negative, për Xhepën, nevoja që borxhi publik të vihet në reduktim deri në nivelin e 40% të PBB-së në një periudhë të gjatë kohore të një dekade, mendon se është një prioritetet që duhet të respektohet në vazhdimësi nga qeveritë e vendit.

Ai sugjeron se tre duhet të jenë drejtimet për t’u mbajtur në konsideratë:

  1. Transparenca e statistikave fiskale, duke përfshirë në treguesit e borxhit çdo angazhim që ndërmarrin autoritetet publike, përfshirë kontratat koncensionare dhe partneritetit publik-privat, sa kohë që rrisqet e investimit qëndrojnë te financat publike dhe jo te sektori privat.
  2. Mundësia e një pakti më të gjerë midis forcave politike për të ruajtur parametrat fiskale të buxhetit në nivele të sigurta.
  3. Kryerja e parashikimeve makroekonomike fiskale dhe disiplina mbi kryerjen e shpenzimeve publike të vendosen pranë një njësie të posaçme, mundësisht pranë.

Kuvendit të Shqipërisë, e cila do t’i përcaktonte detyrat qeverisë dhe do të ushtronte, gjithashtu, presionin e duhur për disiplinën fiskale dhe të shpenzimeve buxhetore në vend. Vendosja e kësaj strukture të specializuar dhe të pajisur me profesionistë të pavarur, jashtë politikës, do t’i shërbente edhe qëllimit të forcimit të demokracisë në Shqipëri, duke i dhënë më shumë fuqi Parlamentit përballë ekzekutivit.

Ende nuk dihet nëse pas konferencës së donatorëve ku u mblodhën shumë më shumë para se ç’pritej nga qeveria, shumë që e plotëson faturën financiare të rindërtimit, qeveria do ta rishikojë buxhetin, pjesë të tij edhe borxhin publik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë